• e martë, 24 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 15 dhjetor/ 2024

Shkup - Fillon aksioni "Shporta e Vitit të Ri", me të cilin deri më 15 janar mbi 900 produkte të mbuluara nga lista e aksioneve duhet të shiten me çmime më të ulëta për 10 për qind. Lista e veprimit përfshin bukë dhe drithëra, produkte buke, mish dhe produkte mishi, peshk, qumësht dhe produkte qumështi, produkte ëmbëlsirash, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (të gazuara dhe të pagazuara), pije alkoolike (verë dhe birrë) dhe të tjera. Ato produkte në raftet e zinxhirëve tregtarë me pakicë duhet të shënohen me afishe dhe logon “Më pak harxhime, më shumë për ty”, si pjesë e fushatës së Qeverisë.

Shkup – Policia i përforcon aktivitetet para festave të Vitit të Ri. Ndërmerr masa parandaluese dhe konsultime me qytetarët për shfrytëzim sa më të vogël të mjeteve piroteknike, por është përforcuar prania e saj në qendrat tregtare, si dhe të gjitha vendet e tjera ku ka frekuencë të rritur të lëvizjes, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.  Toshkovski, i cili e vizitoi pikën e sigurimit para Siti Moll, tha se javën e kaluar në Shkup janë marrë 30 000 - 40 000 mjete piroteknike. Aksione të tilla ka pasur edhe në Vallandovë, Sveti Nikollë,... me çka janë parashtruar kallëzime adekuate.  “Jemi të pranishëm në teren, sigurimi komunikon me njerëzit, i ndjekim situatat,... Të gjitha këto veprime parandaluese ndërmerren për zbulim sa më të shpejtë të çfarëdo lloj krimi, duke u nisur nga deliktet pronësore, plaçkitje,...,tha Toshkovski. 

Shkup - Duke pasur parasysh se nga sot fillon fushata e qeverisë "Më pak harxhime, më shumë për ty!", Inspektorati i tregut në mbarë Maqedoninë po kryen kontrolle në zinxhirët e marketeve që sipas ligjit kryejnë aktivitete edhe të dielave me qëllim monitorimin e çmimeve të produkteve që përfshihen në "Shportën e Vitit të Ri". Nga monitorimi është konstatuar se çmimet e produkteve nga “Shporta e Vitit të Ri” janë ulur për 10 për qind dhe në rafte janë shënuar me etiketën përkatëse.

Shkup- Vlerësojmë se jemi në një fazë të hershme për t’u futur detaje, ka thënë sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në lidhje me hetimin në Këshillin gjyqësor. Bëhet fjalë për ndërhyrje të MPB-së me urdhër të prokurorit publik. "Pas informacioneve të marra nga MPB-ja ku ka indikacione për disa parregullsi, ndërsa me urdhër të prokurorit publik është vepruar nga ana e MPB-së", theksoi ministri. Në pyetjen se nga kush është denoncuar, nëse nga ndonjë informator apo nga kryeministri, Toshkovski është përgjigjur se nuk është i njohur me këtë.

Shkup – Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë zyrtarisht nesër të gjitha partive politike parlamentare do tu ofrojë Platformën kombëtare për bashkim kombëtar maqedonas dhe definimin e vijave të kuqe kombëtare maqedonase, njoftoi sot kryetari i partisë Maksim Dimitrievski në Akademinë solemne e cila u mbajt me rastin e një vjetorit të ekzistimit të partisë.  Qëllimi i kësaj platforme, potencoi, është që t’i bashkojë të gjithë faktorët politikë, të ndërtohet qëndrim shtetëror me të cilin do të sigurohet dhe garantohet rruga dinjitoze e Maqedonisë për realizimin e qëllimeve strategjike – anëtarësimin e plotfuqishëm në BE. Është koha, porositi Dimitrievski, Maqedoninë ta kthejmë në parimet e Krushevës, ashtu siç shkruan dhe shkruante në Manifest. 

Shkup - Në aksionin policor që është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen se kanë planifikuar ngjarje të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe shteteve tjera, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai tha se ka vepruar sipas urdhrit të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë ku janë arrestuar katër persona. Është vepruar, thekson Toshkovski dhe me urdhër të gjykatësit në procedurë paraprake, janë bërë kontrolle në më shumë lokacione. Sipas tij, ekzistojnë dyshime dhe MPB-ja ka ngritur kallëzim penal.

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pandërprerë në kushte dimërore, në rrugë të lagështa. Dukshmëri të ulur për shkak të paraqitjes së mjegullës prej 40 – 50 metra, ka në aksin rrugor Tetovë – Kodra e Diellit.  Nga NP Rrugët e Maqedonisë informojnë se të gjitha akset rrugore në shtet janë të kalueshme, pa ndalesa dhe kufizime.  "NP Rrugët e Maqedonisë me mekanizmin gjithëpërfshirës në dispozicion dhe forcën e punës janë të përfshirë në pastrimin e rrugëve. Gjithashtu, në dipozicion janë edhe firmat me të cilat bashkëpunojmë, si me kohë do të përballeshim me borën", thonë nga ndërmarrja publike. 

Tetovë– Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informon se pas thirrjes në Numrin e vetëm të thirrjeve për raste urgjente 112 dje pasdite ishin gjetur gjashtë skiatorë të cilët kishin humbur për shkak të mjegullës në Kodrën e Diellit.  Sipas informacionit të tyre, gjashtë skiatorë me ski-lift ishin ngjitur në pjesët më të larta të një prej shtigjeve të skijimit, por kur kanë dashur të zbresin poshtë ka pasur mjegull shumë të dendur.  Njëherësh janë përballur me borë të re e cila e ka vështirësuar lëvizjen në shtegun e skijimit.  “Skiatorët ishin paraqitur për ndihmë në 112. Nga QMK menjëherë ishin njoftuar SPB Tetovë dhe udhëheqësi në QRMK Tetovë. Në ndërkohë, një person i punësuar në ski-lift ka gjetur pesë nga personat e humbur, ndërsa më vonë në orën 16:15 e ka gjetur edhe personin e gjashtë të humbur. Së pari të gjithë ishin dërguar për kujdes në stacionin e policisë në Kodër të Diellit”, informojnë nga QMK. 

Stamboll – Rreth 7.600 emigrantë sirianë kanë kaluar kufirin turk dhe janë kthyer në vendin e tyre pas rënies së regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad një javë më parë, deklaroi sot ministri për Punë të Brendshme i Turqisë. Numri i përgjithshëm i sirianëve të cilët "u kthyen vullnetarisht nga Turqia" nga 9 deri më 13 shtator arriti në 7621, shkroi Ali Jerlikaja në një postim të publikuar në Iks. Rebelët e udhëhequr nga islamistët hyrën në Damask dhe rrëzuan Asadin nga froni më 8 dhjetor.

Grozni – Në kryeqytetin e Republikës Çeçene, Grozni, sot në mëngjes u dëgjuan katër shpërthime, njoftuan autoritetet lokale në Telegram, duke iu referuar dëshmive të popullatës dhe bëjnë të ditur se bëhet fjalë për sulm me fluturake ukrainase pa pilot.  Dëshmitarë okularë thonë se kanë dëgjuar tinguj të shpërthimeve rreth orës 7 e 45 minuta sipas kohës lokale, duke bërë të ditur se para shpërthimeve në fshatin e afërm dëgjoheshin tinguj karakteristikë për dronë, transmeton Gazeta ruse. “Fillimisht mund të thuhet se bëhet fjalë për sulm me dron”, thuhet në njoftimin e autoriteteve lokale, në të cilin saktësohet se në qytet janë regjistruar katër shpërthime.

Paris – Cikloni i fuqishëm tropikal “Çido”, i cili të shtunën e goditi territorin francez përtej detit Majot në Oqeanin Indian, mori të paktën 14 jetë njerëzish, informuan sot mediat franceze, duke iu referuar disa burimeve anonime në shërbimet e sigurisë.  Sipas Ambdilvahedu Sumaila, kryetar i qytetit ishull Mamuxhu, nëntë persona të lënduar janë strehuar në qendrën spitalore në Majot në gjendje të vështirë, përderisa 246 persona janë lënduar më lehtë, informoi televizioni BFM. Janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa ministri francez i Punëve të Brendshme Bruno Retajo shfaqi frikë se “bilanci i ciklonit do të jetë i vështirë”. Në rajonin e rrezikuar do të dërgohet përforcim, para së gjithash personel mjekësor, pajisje dhe materiale humanitare, si dhe ushtarë përgjegjës për siguri civile dhe zjarrfikës – shpëtimtarë, ndërsa Retajo paralajmëroi edhe vizitë në Majot.

Kiev– Mbrojtja kundërajrore ukrainase ka shkatërruar 56 nga 108 fluturake pa pilot të lëshuara nga Rusia gjatë sulmit të fundit të natës, njoftuan forcat ajrore të Kievit.  Shtohet se edhe 49 ishin “humbur lokalisht”, thjesht si rezultat i ndërhyrjes elektronike. Mbetjet nga fluturaket e shkatërruara pa pilot kanë dëmtuar ndërtesa banimi dhe shtëpi, si dhe një pjesë të papërcaktuar të infrastrukturës, njoftoi Aviacioni ushtarak i Ukrainës.

Londër – Presidenti i rrëzuar sirian Bashar al Asad supozohet se ka fond personal që kushton më shumë se 55 milionë funte në llogari bankare në Londër, njoftoi portali Nju Arab. Burime bankare për “Di Aj pejpër” deklaruan se mjetet janë pjesë e 163 milionë funteve të cilat Asadi, familja e tij dhe aleatët e tij i kishin vendosur në llogari në Britani të Madhe.  Sipas dokumenteve gjyqësore nga viti 2011, Asadi ka pasur rreth 40 milionë funte në llogari në bankën HCBC në Londër. Megjithatë, pasi paratë ishin ngrirë nën sanksionet e Britanisë së Madhe, Asadi nuk pati qasje në to, prandaj vazhdoi të merr kamata dhe tani ka vlerë më shumë se 55 milionë funte (66 milionë euro).

Kiev – Forcat ruse prej 9 deri më 15 dhjetor kundër Ukrainës kanë përdorur afërsisht 630 bomba ajrore, 550 dronë dhe më shumë se 100 raketa, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodomir Zelenski.  “Vetëm gjatë kësaj jave, Rusia ka përdorur afro 630 bomba ajrore, afro 550 dronë dhe më shumë se 100 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës. U jam mirënjohës ushtarëve të cilët e mbrojnë Ukrainën, partnerët të cilët e kuptojnë nevojën tonë që ta fuqizojmë mbrojtjen kundërajrore, t’i shpëtojmë jetët e popullit tonë”, shkroi Zelenski në rrjetet sociale.  Ai theksoi se tani bota duhet të jetë e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë. 

Uashington – Presidenti i porsazgjedhur amerikan Donald Tramp njoftoi se e ka emëruar Riçard Grenellin, ish shefin e Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, përfaqësues të presidentit për misione të posaçme dhe politikë ndaj disa shteteve armiqësore, duke përfshirë edhe Korenë e Veriut.  “Rik do të punojë në disa nga pikat më të nxehta në botë, duke përfshirë edhe Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, njoftoi Trampi në Truth Soushëll, pa hollësi për kompetencat e reja të Grenellit, i cili ishte edhe i dërguar i posaçëm i presidentit për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit nga viti 2019 deri në vitin 2021.  Grenelli më parë ishte ambasador amerikan në Gjermani, si dhe ushtrues detyre drejtor i Shërbimit Kombëtar të Zbulimit gjatë kohës së mandatit të Trampit nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Uashington – Të dhënat personale dhe bankare të qindra mijëra banorëve të shtetit federal amerikan Rod Ajlend, duke përfshirë edhe numrat për sigurim social, sipas gjitha gjasave ishin hakuar nga një grup kriminal ndërkombëtar i cili kërkonte shpërblim, njoftuan autoritetet amerikane.  Në porosinë të cilën përfaqësuesit e Rod Ajlend e përshkruan si zhvatje, hakerët ishin kërcënuar se do t’i publikojnë informacionet e vjedhura nëse nuk paguhet një shumë e caktuar e parave. 

Seul – Presidenti i akuzuar i Koresë së Jugut, Jun Suk-Jeol nuk i është përgjigjur thirrjes së prokurorëve ku planifikohet t’i dërgojnë thirrje të re si pjesë e hetimit për vendimin për shpalljen e gjendjes ushtarake, raportojnë mediat. Jun dhe disa zyrtarë të lartë të Koresë së Jugut përballen me një hetim penal për akuza të mundshme për kryengritje, shpërdorim të pushtetit dhe pengim të qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre. Li Xhae-Mjung, lider i Partisë Demokratike (PD) të opozitës kryesore të Koresë së Jugut së fundmi propozoi formimin e një organi konsultativ për të koordinuar punën e parlamentit dhe qeverisë për të stabilizuar pushtetin e vendit një ditë pas shkarkimit të presidentit Jun.

Damask – I dërguari i KB-së për Sirinë, Geir Pedersen sot ka arritur në Damask, deklaroi zëdhënësja e tij e cila nuk precizoi se cili do të jetë programi i vizitës së tij. Zëdhënësja Xhenifer Fenton nuk qartësoi nëse ai do të takohet me Abu Muhamed al-Xholani, liderin e koalicionit të armatosur të udhëhequr nga islamistët që ka marrë pushtetin në Siri. Në ofensivën 11-ditore që filloi në qytetin veriperëndimor të Idlibit, koalicioni i fraksioneve të rebelëve të udhëhequr nga grupi radikal sunit Hajat Tahrir al-Sham (HTS) mori pjesë të mëdha të vendit nga forcat qeveritare, duke përfshirë bastionin kryesor të Damaskut dhe më 8 dhjetor i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes Asad.

Mançester- Shefat e Mançester Sitit kanë kontaktuar me njerëz të afërt me Pol Pogban për të hetuar situatën rreth lojtarit, gjendjen e tij fizike dhe prirjen e tij për t'iu bashkuar klubit në javët në vazhdim, shkruan gazeta "San". Kampionët po kërkojnë urgjentisht përforcime në mesfushë pasi Rodri mori një dëmtim të rëndë në fillim të sezonit që kontribuoi ndjeshëm në përkeqësimin e jashtëzakonshëm të formës dhe rezultateve të "Qytetarëve". Skuadra e Pep Guardiolës ka pësuar shtatë humbje nga dhjetë ndeshjet e fundit, një arritje e paprecedentë gjatë kohës së tij në "Etihad". Kjo situatë ka ndikuar që drejtuesit e Mançester Sitit të hapin portofolin në afatin kalimtar të janarit dhe të forcohen me të paktën një lojtar në mesfushë. Emra të tjerë që përfolen janë ylli i Njukasllit, Bruno Gimaraesh dhe Martin Subimendi i Real Sosiedadit.

Mançester - Trajneri i Mançester Juanajtedit, Ruben Amorim, para derbit kundër Mançester Sitit në Etihad sot në orën 17:30 deklaroi se rivalët e qytetit janë aq të mirë në atë që bëjnë, sa që munden në çdo moment të ndryshojnë dinamikën e rezultateve. "Ky është një ekip shumë i fortë me shumë vite punë të përbashkët. Ata fituan shumë, por edhe humbën shumë. Ne kemi një problem më të madh, sepse po punojmë në gjëra të thjeshta, por duam të fitojmë, të njëjtën e dëshiron edhe Mançester Siti”, tha portugezi. Shtoi se do të duhet kohë për të ndryshuar gjërat në "Old Traford".

QËNDRONI TË LIDHUR