• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 10 dhjetor/ 2024

Shkup - Në Kuvend sot pritet të fillojë debati për Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës së seancës së 22-të. Debati rreth amendamenteve për Propozim- buxhetin përfundoi më 29 nëntor, ndërsa në Propozim-buxhetin e plotësuar përfshihen amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Konform Rregullores për punë të Kuvendit, shqyrtimi i Propozim -buxhetit të plotësuar në seancë të Kuvendit zgjat më së shumti pesë ditë. Deputeti gjatë debatit mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i qeverisë mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta. Me Propozim buxhetin e plotësuar parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind dhe sipas Qeverisë, ai është zhvillimor, mbështetës me mjete të planifikuara për investime kapitale, projekte të komunave dhe mbështetje për ekonominë.

Shkup -Brifing mbi nivelin e gatishmërisë luftarake të Armatës për vitin 2024 para presidentes dhe Komandantit suprem të forcave të armatosura, Gordana Siljanovska Davkova do të mbahet sot në Shtëpinë e Armatës në Shkup. Siç paralajmëron Shtatmadhoria e Armatës, para Komandantit të përgjithshëm të Armatës, Gordana Siljanovska Davkova në prani të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, përfaqësuesve të Kabinetit të presidentit dhe gjeneralëve të Armatës, shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneralmajori Sashko Lafçiski do të informojë për realizimin e planeve, detyrave dhe gjendjes në Armatës gjatë vitit 2024.

Shkup - Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kulturë në lexim të dytë është në rend të ditës së seancave të sotme të Komisionit për kulturë dhe turizëm dhe të Komisionit ligjdhënës-juridik. Anëtarët e Komisionit ligjdhënës - juridik do ta shqyrtojnë edhe propozim vendimin për ndarjen e mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe mes fondeve në lexim të dytë.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në Qeveri do të nënshkruajë marrëveshje për investim me "DM Bau AG", kumtoi pres shërbimi i Qeverisë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri Mickoski do të mbajë konferencë për shtyp në Media qendrën e Qeverisë.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot do të realizojë takim me një delegacion nga Bundestagu gjerman. Siç u publikua në ueb faqen e Kuvendit, anëtarët e Bundestagut do të realizojnë takim edhe me Grupin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Federale të Gjermanisë.

Shkup - Konferencë për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe vajzave, me fokus në dhunën kibernetike, do të mbahet sot në Kuvend, të organizuar nga Komisioni për mundësi të barabarta të grave dhe burrave. Janë paralajmëruar fjalime hyrëse të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska - Davkova, ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, drejtoreshes ekzekutive të Lobit të grave të Maqedonisë, Daniella Dimitrievska, kryetares së Lobit evropian të grave - EZHL, Iliana Ballabanova, e cila do të kyçet me video porosi dhe të Liljana Popovskës, ish deputete dhe anëtare e Komitetit ekzekutiv të Lobit evropian të grave.

Shkup - Propozim vendimi për rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetor të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve është në rendin e ditës së seancës së sotme të Komisionit parlamentar për financim dhe buxhet. Qëllimi i vendimit të propozuar është rialokimi adekuat i mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetor me qëllim të financimit të nevojave prioritare të shfrytëzuesve buxhetor me qëllim të funksionimit të realizimit të buxhetit për vitin 2025, thuhet në sqarimin e Qeverisë.

Shkup - Në zyren e Avokatit të popullit në Shkup sot do të prezantohen të dhënat për respektimin e parimit të jodiskriminimit dhe përfaqësimit adekuat dhe të drejtë për viitn 2023. Të dhënat do t'i prezantojë avokati i popullit, Naser Ziberi.

Shkup – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të ndahet çmimi shtetëror “Meto Jovanovski” për vitin 2024 – mirënjohja më e lartë për realizime shumëvjeçare në promovimin, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut.  Këtë vit çmimi do t’i ndahet Shoqatës civile “Qendra për Komunikime të Qytetarëve” – Shkup dhe aktivistes Mila Miliç nga “Transforma”.  Këshilli për ndarjen e çmimit shtetëror “Meto Jovanovski”, nën kryesimin e Aleksandra Cvetanovskas, ka marrë vendimin për fituesit e këtij viti të çmimit, i cili ndahet me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Njeriut.

Shkup - Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do të duhet të fillojë seancën e 22-të, në rend dite të së cilës është Propozimi për shpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe ndërmjet fondeve, Propozimi buxheti i plotësuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, si dhe Propozim- ligji për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025 në procedurë të shkurtuar.

Shkup - Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e njeriut sot në një ceremoni në Fakultetin Juridik "Justiniani i parë", do të shënojë jubileun e saj të 30-të, simbolikisht në Ditën e nënshkrimit të Deklaratës universale për të drejtat e njeriut – 10 Dhjetor. Komiteti i Helsinkit informon se në tre dekadat e fundit ka monitoruar dhe punuar për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut, siguron ndihmë juridike për të gjitha kategoritë e margjinalizuara dhe vullnetare të qytetarëve, bashkëpunon me organizata të tjera dhe autoritete shtetërore në drejtim të rritjes së promovimit, respektimin, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shkup - Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Programi për zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP, me përkrahje të Qeverisë së Zvicrës, sot organizojnë konferencë vjetore për decentralizim dhe vetëqeverisje lokale, me temë "Drejt vetëqeverisjes së qëndrueshme lokale: sfidat, mundësitë dhe strategjia për të ardhmen". Siç kumtoi Ministria, tema kyçe, për të cilat do të bisedohet në konferencë janë reforma e vetëqeverisjes lokale - ndryshime për pushtete më efikase, përgjegjëse dhe llogaridhënëse lokale, transformimi digjital në nivel lokal dhe planifikimi i integruar strategjik në nivel kombëtar dhe lokal.

Shkup - Anëtarët e Komisionit për siguri kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë sot qëndrojnë për vizitë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç bëhet e ditur në faqen e Kuvendit, anëtarët e delegacionit nga Shqipëria do të zhvillojnë takime dypalëshe me Komisionin për mbikëqyrje të punës së Agjencisë për siguri kombëtare dhe Agjencisë së inteligjencës dhe Komisionin për mbikëqyrjen e zbatimit të masave për ndjekje të komunikimeve.

Shkup– Iniciativa e përbashkët Qyteti human i gjelbër sot në Shkup organizon marsh protestues "Për ajër të pastër". Protesta fillon në orën 16 para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, vazhdon përmes Kuvendit dhe përfundon para ndërtesës së Qeverisë. "Protestojmë sepse çdo vit nga 3.828 deri në 5.000+ persona në Maqedoni humbin jetën e tyre si pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit ndaj grimcave të dëmshme PM2.5. Kjo përbën 17.7% të vdekshmërisë totale në vend. Veçanërisht shqetësues është fakti se një në nëntë fëmijë të vdekur nën moshën një vjeç vdes për shkak të ndotjes së ajrit. Kërkojmë nga institucionet kompetente që menjëherë dhe sistematikisht të merren me ndotjen e ajrit përmes zbatimit të këtyre masave efikase që do të mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe do të ulin në mënyrë drastike ndotjen e ajrit", theksojnë nga Qyteti human i gjelbër.

Shkup - Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët, paradite me paraqitje të mjegullës dhe vranësirave të ulëta nëpër lugina. Kryesisht në pjesët jugore të vendit do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 1 deri në 6 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 7 deri në 13 gradë Celsius. Në Shkup mot pjesërisht i vranët dhe i qetë, paradite me paraqitje të mjegullës dhe vranësira të ulëta. Temperatura minimale do të ulet deri në 3, ndërsa maksimalja do të arrijë në 11 gradë Celsius.

Sofje– Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev sot i fillon konsultimet me grupet parlamentare në parlamentin e ri, njoftoi shërbimi për informim i shefit të shtetit.  Radevi sot paradite do të ketë takime me përfaqësues të GERB – SDS dhe më vonë me “Vazhdojmë me ndryshimin – Bullgaria Demokratike”. Në fund të javës së kaluar presidenti Rumen Radev paralajmëroi se sot do t’i fillojë konsultimet me forcat politike. Sipas tij, është me rëndësi që Kuvendi Kombëtar të punojë, sepse nëse nuk ka fuqi të rregullt, kjo nënkupton edhe rrënim të punës së këtij parlamenti, ndërsa para tij ka detyra shumë serioze. Në mesin e detyrave më urgjente, Radevi e theksoi miratimin e buxhetit shtetëror për vitin e ardhshëm, informon BTA. 

Bruksel - Të drejtat e njeriut janë një garanci universale ligjore, morale dhe aktive për njerëzimin dhe janë thelbësore për dinjitetin njerëzor, barazinë, demokracinë, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Paqja dhe prosperiteti, si dhe arritja e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, shkojnë dorë më dorë me respektimin e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut, theksohet në mesazhin e Përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas me rastin e Ditës së të drejtave të njeriut - 10 Dhjetor. "Në Ditën e të drejtave të njeriut, Bashkimi Evropian e konfirmon angazhimin e tij të palëkundur për respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen universale të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo. Motoja e këtij viti, "Të drejtat tona, e ardhmja jonë, pikërisht tani", thekson nevojën për të mbrojtur të drejtat dhe liritë për një të ardhme të drejtë, elastike dhe të qëndrueshme – duke mos lënë askënd në një anë", theksohet në mesazh.

Bruksel – Këtë vit në botë janë vrarë 104 gazetarë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë vrarë në Gazë, tregojnë sot të dhënat e publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Pas 129 rasteve të vdekjes të regjistruara në vitin 2023, "viti 2024 është një nga vitet më të këqija", tha sekretari i përgjithshëm i IFJ, Antoni Belanzhe. Sipas IFJ, që nga fillimi i këtij viti ishin vrarë 55 punonjës mediatikë palestinez. Nga fillimi i luftës, më 7 tetor 2023, numri i gazetarëve të vrarë palestinezë është të paktën 138, që e bën këtë territor “një nga më të rrezikshmit në historinë e gazetarisë moderne, pas Irakut, Filipineve dhe Meksikës, sipas IFJ me seli në Bruksel. 

Damask - Shpërthime të fuqishme sot u dëgjuan në kryeqytetin sirian, Damask, njoftuan mediumet perëndimore. Shpërthimet kanë ndodhur pasi Observatori sirian për të drejtat e njeriut, organizatë joqeveritare, njoftoi se Izraeli ka kryer rreth 250 sulme deri tani ndaj objektivave në Siri, pas rënies së regjimit të Bashar al Asadit. Forcat izraelite nga dita e diel i gjuajnë impiantet kyçe ushtarake siriane në tërë vendin me qëllim për t'i shkatërruar. Sipas Qendrës, janë dëmtuar aeroporte, radarë, depo për armë, anije ushtarake, qendra hulumtuese ushtarake. U sulmua edhe një sistem për Mbrojtje kundërajrore në Latakia.

Nju Jork - Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të KB-së morën pjesë në takimin me dyer të mbyllura kushtuar situatës në Siri. Pas takimit, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë, Vasilj Nebenzia tha se "Këshilli, të paktën unë mendoj kështu, ishte pak a shumë i unifikuar rreth nevojës për të ruajtur integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë për të siguruar mbrojtjen e civilëve, garanton qasje në ndihmën humanitare." “Por të gjithë u befasuam nga zhvillimi i ngjarjeve, të gjithë, përfshirë anëtarët e Këshillit. Prandaj duhet të presim se si do të zhvillohet situata”, shtoi ai dhe siguroi se në këtë kontekst Këshilli nuk është i gatshëm të vendos menjëherë për këtë çështje.

Orlando– Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua me presidentin e porsazgjedhur amerikan Donald Tramp dhe miliarderin Ilon Mask në pronën e Trampit, Mar A Lago në Floridë.  Orbani publikoi një koment të shkurt për takimin në rrjetet sociale, por nuk hyri në hollësi. Në takim ka marrë pjesë edhe Majk Uollc, i cili do të jetë ndihmës për sigurinë kombëtare Trampit. Në takim mori pjesë edhe ministri hungarez i Punëve të Jashtme, Petar Sijarto. 

Tajpei - Kina e ka sistemuar flotën e saj më të madhe detare në ujërat rajonale në pothuaj tre dekadat e kaluara, ndërsa kërcënimi për Tajvanin është më i shprehur sesa në rastin me stërvitjet paraprake ushtarake kineze, publikoi sot Ministria tajvaneze e Mbrojtjes. Zëdhënësi i Ministrisë tajvaneze të Mbrojtjes, Sun Li-Fang, tha se vëllimi i sistemimit momental të marinës kineze në rajonin që shtrihet në ishujt jugorë të Japonisë deri në Detin Jugor Kinez është më i madhi prej se Kina ka mbajtur stërvitje ushtarake rreth Tajvanit para zgjedhjeve presidenciale në Tajvan në vitin 1996.

Uashington– Administrata e presidentit amerikan Xhozef Bajden kërkon mënyra që të hyjë në kontakt me grupet kryengritëse siriane të cilat e rrëzuan presidentin sirian Bashar al – Asad dhe i drejtohen partnerëve në rajon, si Turqia, për ndihmë në fillimin e diplomacisë joformale, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Methju Miler.  Miler në konferencë për media tha se Uashingtoni ka disa mënyra që të komunikojë me grupe të ndryshme në Siri, prej të cilëve njërën Uashingtoni e shpalli organizatë terroriste. 

Bergamo - Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti i ka ndarë pritjet e tij për ndeshjen nga Liga e Kampionëve kundër Atalantës. "Ata luajnë shumë mirë. Gjenden në formë të jashtëzakonshme. Ekipi disponon me shumë entuziazëm, por ne jemi të vendosur t'i fitojmë pikët dhe t'i shfrytëzojmë ndeshjet tjera për rezultate të volitshme. Belingem sërish shënoi gol në ndeshjen e kaluar, që është shumë me rëndësi për të dhe për ne. Çdoherë kontribuon, madje edhe kur nuk shënon gol. Kam besim të plotë në ekipin tim. Në kohë të fundit gjërat po përmirësohen. Vlerësojmë se kjo ndeshje është një nga më të vështirat në kohë të fundit", deklaroi Ançeloti për faqen zyrtare të UEFA-s. Ndeshja Atalanta - Real Madrid do të luhet sonte në ora 21 në Bergamo.

QËNDRONI TË LIDHUR