• e shtunë, 06 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 26 prill/ 2025

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot do të marrë pjesë në meshën mortore kushtuar Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut, që do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Mesha do të drejtohet nga Shkëlqesia e Tij Kardinali Xhovani Batista Re, Dekan i Kolegjit të Kardinalëve.

Shkup - Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski sot do mbajë konferencë për media ku do t'i prezantojë shërbimet e reja digjitale. Shërbimet e reja digjitale do të jenë të qasshme për qytetarët përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk. 

Shkup - Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kreu një inspektim në vendngjarje pas shkëmbimit të zjarrit të djeshëm me armë pranë Bit Pazarit, njoftoi sot Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga vendngjarja janë mbledhur gjurmët e ekspertizës. Mbi trupin e të ndjerit do të bëhet autopsi.

Shkup - Në Institutin për gjuhën maqedonase "Kërste Misirkov" sot në orën 11 do të mbahet Ditë e hapur për lektorët, njoftuan nga Shoqata e lektorëve të RMV-së. Qëllimi është të promovohet Shoqata, të prezantohet Programi i punës, të përditësohet anëtarësimi dhe të shkëmbehen informata për problemet aktuale lidhur me lektorimin, ndërsa në kontekst të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase.

 Prilep  - Janë zbuluar keqpërdorime në më shumë se 2000 hektarë tokë bujqësore që shteti i ka dhënë me koncesion, ndërsa inspektorati do të vazhdojë kontrollet për të siguruar që toka të arrijë te bujqit e ligjshëm, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë vizitës së sotme në Prilep.

Prilep - Filloi pagesa e subvencioneve për duhanin nga rekolta e vitit të kaluar  dhe në llogaritë e 14.500 prodhuesve të duhanit nga vendi janë transferuar afër 40 milionë euro, që është shumë rekorde nëse merret parasysh se vitin e kaluar janë prodhuar 24.000 ton duhan, tha ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski, i cili sot e vizitoi prodhuesin e fidanëve të duhanit të Prilepit Risto Xhambazov në periferinë e Prilepit.

Shkup - Në Shkup, në orën 01:00, policët nga SPB Shkup arrestuan E.J. (31) nga Shkupi i cili mbrëmë në orën 20:30, në një rrethrrotullim në rrugën "Kiril dhe Metodij", rrugën "Mitropoliti Teodosij Gologanov" dhe rrugën "Kosturski Heroi", me makinën "fonksvagen" me targa të Shkupit, të cilën e drejtonte, goditi këmbësorin GJ.P.(87) nga Shkupi. MPB njoftoi sot se pas dokumentimit të plotë të rastit, në koordinim me prokurorin publik, kundër E.J. do të paraqitet një raport adekuat.

 Ankara - Rreth 50 bashkëpunëtorë të ngushtë dhe mbështetës të ish-kryebashkiakut të arrestuar të Stambollit janë arrestuar në kuadër të hetimit për korrupsion të nisur kundër Ekrem Imamoglu, njoftoi sot Prokuroria e Stambollit. Në kuadër të hetimit, janë lëshuar urdhërarreste për 53 persona në Stamboll dhe Ankara, ndërsa 47 persona janë arrestuar, theksohet në kumtesën Prokurorisë.

Vatikan - Pas meshës mortore, e cila do të drejtohet nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Kardinali Xhovani Batista Re, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maxhore në qendër të Romës. Kreu i Kishës Katolike Romake vdiq në moshën 88 vjeç më 21 prill.

Romë - Ceremonia e varrimit të Papa Françeskut filloi në sheshin e mbushur plot me njerëz të Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të mijëra besimtarëve dhe një numri të madh udhëheqësish botërorë. Arkivoli me trupin e papës u dërgua nga Bazilika e Shën Pjetrit në sheshin me të njëjtin emër, ku janë vendosur karrige për priftërinjtë, udhëheqësit botërorë dhe përfaqësuesit e familjeve mbretërore.

Bruksel - Bazilika e Shën Pjetrit në Romë do të transformohet sot në një vatër të diplomacisë ndërkombëtare, kur udhëheqësit botërorë të mblidhen atje për t'i bërë nderimet e fundit Papa Françeskut, i cili vdiq të hënën në moshën 88 vjeç. Siç raporton portali i Brukselit "Euraktiv", në krye të listës së dëshirave të shumë pjesëmarrësve do të jetë një takim ose të paktën një shkëmbim i shkurtër fjalësh me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, i cili deri më tani ka treguar se është shumë selektiv në zgjedhjen e atyre që do të takohen.

Romë - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se Ukraina dhe Rusia janë pranë një marrëveshjeje historike. Me të mbërritur në Romë, ku do të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut, ai deklaroi se është koha që Rusia dhe Ukraina të ulen në tryezë. "Sapo kam zbarkuar në Romë. Një ditë e mirë për bisedime dhe takime me Rusinë dhe Ukrainën. Ata janë shumë afër një marrëveshjeje dhe të dy palët tani duhet të takohen në një nivel të lartë për të përfunduar punën", vuri në dukje Tramp.

Romë - Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergej Nikiforov tha se Volodimir Zelenski dhe presidenti amerikan Donald Tramp gjatë ditë do të kenë edhe një takim. Zelenski dhe Trampi patën një bisedë 15-të minutëshe në bazilikën e Shën Pjetrit, para funeralit të papa Françeskut.

Romë - Presidenti amerikan dhe ai ukrainas, Donald Tramp, dhe Volodimir Zelenski u takuan sot në Romë, para funeralit të Papa Françeskut. Zëdhënësi i Zelenskit konfirmoi takimin, ndërsa Shtëpia e Bardhë e përshkroi atë si "shumë produktiv". Ky është takimi i parë midis Trampit dhe Zelenskit që nga një përplasje verbale në Shtëpinë e Bardhë në shkurt.

Romë - Pas një takimi 15-minutësh në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan midis presidentëve ukrainas dhe amerikanë, përpara funeralit të Papa Françeskut, Volodimir Zelenski dhe Donald Tramp u takuan me presidentin francez dhe kryeministrin britanik. "Mund të konfirmoj që Presidenti (Emanuel) Makron foli me të vërtetë me Trampin, Zelenskin dhe (Kir) Starmer dhe se biseda ishte pozitive", tha një zyrtar i Pallatit të Eliseut.

Teheran - Irani, i cili ka marrëdhënie të mira si me Indinë ashtu edhe me Pakistanin, ofroi sot të ndërmjetësojë për të ulur tensionet midis dy vendeve. India ka fajësuar Pakistanin për sulmin terrorist të 22 prillit në Kashmir, me ç'rast humbën jetën 26 persona.

Teheran - Të paktën 195 persona u lënduan në shpërthimin e sotëm në portin Shahid Raxhai në qytetin jugor iranian Bandar Abas, publikuan mediat iraniane. "Shpërthyen disa kontenjerë të deponuar në njërin nga portet e Shahid Raxhai. Aktualisht po evakuojmë njerëz dhe të lënduarit i transferojmë në institucionet shëndetësore", tha një përfaqësues i shërbimeve vendase për raste emergjente për televizionin shtetëror iranian.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm me reshje të përkohshme lokale të shiut dhe bubullimave. Në disa vende proceset do të jenë më intensive në formë të stuhisë me reshje më të rrëmbyeshme të shiut, bubullimave, erës së fortë dhe paraqitjes së izoluar të breshërit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 17 deri në 25 gradë. Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në disa pjesë të luginës i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erë të fortë dhe kushte për paraqitje të izoluar të breshërit. Temperatura minimale do të bie deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 23 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR