15:00/ 2 korrik/ 2023
Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot mban zgjedhje brenda partisë për konsolidim të organeve të saja partiake në 14 degë me zbatimin e parimit demokratik "një anëtar, një votë". "Pas procesit të realizuar me sukses të regjistrimit të anëtarësisë, verifikimit dhe shpalljes së kandidaturave dhe fushatës zgjedhore të kandidatëve që përfundon sot, të dielën ftojmë anëtarësinë e Bashkimit Demokratik për Integrim që të deklarojnë lirshëm vullnetin e tyre për udhëheqësinë e re të degëve në Butel, Çair, Dibër, Jegunovcë, Kërçovë, Krushevë, Kumanovë, Likovë, Manastir, Petrovec, Pllasnicë, Prespë, Shuto Orizare, Veles", qëndron në kumtesën e BDI-së.
Shkup - Ne fuqimisht jemi me qëndrimin që të hapet hetim për tërë veprimtarinë e BDI-së, për të gjithë funksionarët, duke filluar nga unë, deklaroi kryetari i Bashkimit Dmeokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai, në deklaratë për TV21, sot pas votimit në zgjedhjet brenda partiake në Kërçovë, tha se Ramiz Merko duhet të hetohet dhe se vetë ai nuk e kundërshton një gjë të tillë, pasi për këtë është votuar në Këshillin e përgjithshëm të partisë.
Shkup - SHBA-ja do të vazhdojë të përkrah qeveri, partnerë nga shoqëria civile, mediume të pavarura dhe qytetarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe çrrënjosjen e korrupsionit, thonë nga pres shërbimi i Departamentit të Shtetit, në përgjigje të pyetjes nëse SHBA-ja është një nga pesë shtetet që kanë siguruar ndihmë juridike ndërkombëtare për gjetjen e provave në hetimin për "Shkupi 2014", për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase. Prokuroria themelore publike të premten kumtoi se po zbaton procedurë hetuese kundër 15 personave fizikë dhe shtatë juridikë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe larjen e parave për 11 përmendore, me ç'rast janë keqpërdorur mbi 16 milionë euro para të buxhetit.
Shkup - Kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese janë në fakt mbështetës të ideve të radikalëve bullgarë se perspektiva evropiane e shtetit duhet të vendoset në marrëdhënie dypalëshe me Republikën e Bullgarisë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ndryshimet kushtetuese, sipas Osmanit, janë faktori i cili do të përcaktojë se në cilin grup bëjmë pjesë dhe për këtë, siç tha, përgjegjësia e çdo deputeti është aq e madhe.
Shkup- Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Shkup zhvilloi takim me shefat e misioneve të OSBE-së në Serbi, Kosovë dhe në Shkup, ambasadorët Jan Bratu, Majkëll Davenport dhe Kilian Vall, në fokus të të cilit, siç informojnë nga MPJ-ja, ishin situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës. Osmani para ambasadorëve të OSBE-së e prezantoi planin 9-pikësh, i cili duhet të ndihmojë në deeskalimin e situatës dhe të kontribuojë në arritjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe procese demokratike. “Është inkurajuese të dëgjosh mendimet e tyre për perspektivat e mundshme të planit për deeskalimin e situatës që kam paraqitur si Kryesues i OSBE-së. Udhërrëfyesi i ofruar inkurajon atmosferë të dialogut dhe të bashkëpunimit”, tha Osmani.
Shkup - Në Bruksel u nënshkrua Marrëveshja për partneritet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian në programin "Evropa digjitale (2021-2027)". Marrëveshjen e kanë firmosur ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azil Aliu dhe përfaqësues të Komisionit Evropian. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Aliu falëndëroi BE-në për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot në pres konferencë e ka prezantuar Planin për qetësimin e situatave në veri të Kosovës, si dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kohë kur Republika e Maqedonisë së Veriut është kryesues me OSBE-në. Bëhet fjalë për udhërrëfyes në nëntë pika. Plani, tha Osmani, është dërguar deri te misionet e OSBE-së në Prishtinë dhe Beograd dhe për këtë qëllim, sot në Shkup do të ketë takim me shefat e misioneve të OSBE-së në Kosovë dhe në Serbi, ku do të na bashkangjitet edhe ambasadori i OSBE-së në Shkup.
Shkup - Po e humbas shpresën se të vetëm mund ta përmirësojmë gjyqësorin. Shpresën e vetme e shoh në hapjen e Kapitujve 23 dhe 24 dhe përfshirjen e mekanizmave të Bashkimit Evropian në atë pjesë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. I pyetur për qëndrimin e Departamentit të Shtetit amerikan për përzierjen politike në gjyqësor, Osmani theksoi se edhe një herë, çështja e hapjes së kapitujve po bëhet kyçe, jo vetëm për perspektivën e përgjithshme të shtetit, por edhe për proceset e brendshme.
Shkup - Kompetenca të flasin për çështjet e brendshme të partisë, kanë vetëm ata, të cilët janë riregjistruar si anëtarë të BDI-së, u përgjigj sot ministri i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani. I pyetur se a pret që zgjedhjet në parti ta zgjidhin problemin që ka ekzistuar me Grupin e zjarrit, Osmani në konferencën e sotme për media në MPJ, tha se ka pasur proces të riregjistrimit të anëtarësisë.
Shkup - Me fillimin e verës dhe temperaturat e larta të verës, profesionistët shëndetësorë këshillojnë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mbrohen nga rrezet e forta të diellit. Të mos dilni pa nevojë kur rrezet e diellit janë më të forta, të vishni rroba më të lehta, të pini më shumë ujë, të mbroni lëkurën me krem mbrojtës nga dielli, edhe në destinacione më të afërta. Personat me nishane të shumta në trup duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë verës, theksojnë profesionistët e mjekësisë. Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë të Maqedonisë, mjekja Lilija Çollakova Dervishova, tha për MIA-n se është e nevojshme përdorimi i faktorëve mbrojtës, që qytetarët të mbrohen nga rrezet e forta të diellit.
Shkup - Prokuroria themelore publike Shkup sot ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër një personi, për të cilin ekziston dyshim themelor se ka kryer vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunukacion, sipas nenit 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi penal. "I dyshuari 42-vjeçar nga Shkupi, dje në rrugën 'Jordan Mijallkov' në Shkup, ka drejtuar makinë mobile 'liebherr", pa iu përmbajtur rregullave në komunikacionin publik dhe e ka sjellur në rrezik jetën e njerëzve. Në kalim të shënuar për këmbësorë, me makinë ka qëlluar në trupin e një gruaje - këmbësore, e cila nga goditja u lëndua rëndë dhe ka vdekur", thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Shkup - Më së shumti shi prej 27 litrave në një metër katror gjatë 24 orëve të kaluara deri ora 8 në mëngjes, ka ra në Strumicë, ndërsa më së paku në Manastir, një litër në një metër katror. Siç informojnë nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike, vijojnë Demir Kapia me 26l/m2 dhe Kodra e Diellit me 25, pastaj Pozharan - 24, Prilepi dhe Vinica nga 22, Shtipi - 21, Krusheva dhe Ohri me nga 20, tetova - 19, Dibra - 17, Hanet e Mavrovës - 16, Berova -15, Kumanova - 13, Shkup Zajçev Rid - 12, Kriva Pallanka - 12, Gjevgjelia - 5, Pretori 3 dhe Manastiri - 1. Vlerat e dhëna për sasinë e të reshurave janë matur në vendet për matjen e shiut të DPHM-së.
Tiranë - Qeveria shqiptare, me fondet e siguruara nga disa institucione financiare ndërkombëtare, së shpejti do të nisë zbatimin e projektit për rehabilitimin dhe ndërtimin e hekurudhës 120 kilometra të gjatë, nga pika kufitare Hani i Hotit, në kufirin shqiptaro-malazez, deri në bashkinë Vorë pranë aeroportit ndërkombëtar në Tiranë. Është pjesë e zgjerimit të rrjetit kryesor trans-evropian të transportit TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe evropiane nëpërmjet Korridorit 10.
Tiranë - Ish presidenti amerikan Bill Klinton, nesër do të udhëtojë për vizitë dyditore në Shqipëri, me çka do t'i dorëzohet mirënjohja "Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike". "Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë në datat 3 dhe 4 korrik 2023. Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë ditën e hënë, më 3 korrik, pasdite, ku në orën 19.00 do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve", informon agjencia shtetërore ATSH. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Athinë - Përbërja e re parlamentare në Greqi që doli nga zgjedhjet e javës së kaluar, nesër do të bëjë betimin solemn, të martën do të zgjidhet kryetari i Parlamentit, ndërsa gjatë fundjavës së ardhshme do të votohet besimi i Qeverisë, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Në zgjedhjet e 25 qershorit, vend në Parlament siguruan tetë parti të cilat e kaluan pragun e nevojshëm zgjedhor prej tre për qind, ndërsa prej tyre tri hyjnë për herë të parë.
Sisak - Është arrestuar sulmuesi i cili mbrëmë në qytetin kroat Sisak qëlloi me kallashnikov ndaj një grupi njerëzish, me çka një person është vrarë, ndërsa disa të tjerë janë plagosur. Pas të shtënave sulmuesi me orë të rëra ishte arratisur, ndërsa pak pas orës 1 pas mesnate ishte arrestuar. "Burri i cili ka lidhje me të shtënat në rajonin Sisak është arrestuar, ai është sjellë në hapësirat zyrtare të policisë dhe kundër tij do të ketë hetim penal", njoftoi policia kroate.
Paris - Policia franceze arrestoi të paktën 719 persona gjatë trazirave kundër brutalitetit të policisë, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme sipas vlerësimit fillestar. Ministria në Tuiter njoftoi edhe se në trazira janë lënduar 45 policë. Në periferinë jugore të Parisit L'aj le Roz, sulmuesit e kanë sulmuar shtëpinë e kryetarit të komunës. Sulmi kishte ndodhur në orën 1:30, kur Vinsent Zhanburn ishte në zyrën e tij. Bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët flinin kur disa sulmues të panjohur e thyen derën e hyrjes dhe e kishin djegur automobilin.
Kiev - Rusia ka kryer sulm gjatë natës me fluturake pa pilot ndaj Kievit pas pauzës prej 12 ditëve, njoftoi ushtria ukrainase, duke theksuar se sistemet për mbrojtje ajrore të Ukrainës i kanë shkatërruar të gjitha caqet, transmetojnë mediat britanike. "Edhe një sulm armiqësor kundër Kievit", shkroi drejtori i drejtorisë ushatarake të qytetit Kiev, Serhi Popko, në publikimin e tij në Telegram. Ai shtoi se për momentin nuk ka informacione për viktima dhe dëme eventuale.
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski deklaroi se trupat ukrainase kanë eliminuar 21 mijë mercenarë të grupit "Vagner" dhe kanë plagosur edhe 80 mijë në lindje. "Vetëm në lindje të Ukrainës, ushtarët tanë eliminuan 21 mijë (mercenarë rusë) dhe plagosën 80 mijë të tjerë. Gjegjësisht, rreth 100 mijë luftëtarë të grupit 'Vagner' u vranë ose u plagosën nga ushtarët tanë në lindje. Këto ishin humbje kolosale për 'Wagner'", deklaroi Zelenski në një intervistë për gazetarët spanjollë.
Lozanë - Policia në qytetin kufitar zviceran, Lozanë ka arrestuar shtatë persona, pasi ata shkaktuan trazira dhe kanë thyer vitrina sipas shembullit të trazirave në Francë, njoftoi sot Agjencia telegrafike zvicerane SDA, e cituar nga DPA. Policia kumtoi se mbrëmë vonë më shumë se 100 të rinj janë tubuar në qytetin në Liqenin e Gjenevës. Ata protestuan për përkrahje të demonstratave të dhunshme në Francë pas vrasjes së adoleshentit 17-vjeçar të martën gjatë kontrollit policor.
Varshavë - Polonia do të dërgojë 500 policë në kufirin me Bjellorusinë, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Mariush Kaminski. Policia kufitare polake sot kumtoi se 187 persona dje kanë tentuar ilegalisht të kalojnë në Poloni nga Bjellorusia.
Herson - Granata ruse kanë qëlluar një zonë banesore në Herson dhe me këtë rast kanë plagosur disa persona, publikoi administrata ushtarake rajonale, njoftojnë mediumet ukrainase. Nga sulmi u qëllua një ndërtesë, barnatore dhe një restorant. Në afërsi të Hersonit thuhet se po zhvillohen luftime të ashpra, por konfirmim zyrtar nuk ka
Baltimor - Dy persona humbën jetën, ndërsa edhe 30 janë lënduar, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike, gjatë të shtënave në qytetin amerikan Baltimor, konfirmoi komisari i policisë në Baltimor, Riçard Uorlli në konferencën për media në vendin e ngjarjes. Më parë, portali "BNO News" raportoi se të shtënat masive dyshohet se kanë ndodhur pak pas mesnate me orën lokale në një festë ku morën pjesë më shumë se 100 persona me rastin e "Ditës së Bruklinit". Dëshmitarët okularë thonë se ka pasur rreth 30 të shtëna.
Damask - Mbrojtja kundërajrore siriane njoftoi se sot është përballur me sulm izraelit me raketa ndaj pjesëve qendrore të vendit dhe i ka zmprapsur shumicën e raketave, transmetojnë mediat shtetërore siriane. Në kumtesën e Armatës bëhet e ditur se raketat, të cilat kishin fluturuar mbi disa pjesë të kryeqytetit libanez Bejrut, kanë goditur rajone në afërsi të Homsit, duke shkaktuar vetëm dëm material.
Teheran - Irani do të përmbahet nga dërgimi i ambasadorit të ri në Suedi në shenjë të protestës për shkak të djegies së një kopje të Kuranit para një xhamie në Stokholm, deklaroi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Hosein Amir Abdollahian. "Edhe pse procedurat administrative për emërimin e ambasadorit të ri në Suedi kanë përfunduar, dërgimi i tij është shtyrë për shkak të lejes së dhënë nga autoritetet suedeze për përdhosje të Kuranit të shenjtë", shkroi shefi i diplomacisë së Teheranit në Tuiter.