• e mërkurë, 25 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/ 28 qershor/ 2023

Shkup - Besimtarët e konfesionit islam sot e festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe të myslimanëve pas Bajramit të Fitrit. Në ditën e parë të festës bëhet lutja e Bajramit - namazi i Bajramit, me çka besimtarët kërkojnë mëshirë nga Allahu.  Karakteristikë e kësaj feste është therrja e kurbanit, i cili ka simbolikën e afrimit ndaj Zotit. Zakonisht flijohen deshë ose viça. Zakonin e kryejnë kushdo që ka mundësi, dhe ata që therrin kurban, pastaj ua shpërndajnë mishin të varfërve, fqinjëve dhe të afërmve. Kurban Bajrami zgjat tri ditë. Kjo festë kurorëzon haxhin, i cili konsiderohet si shtylla e pestë i Islamit.

Shkup - Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Sholc, është në  vizitë zyrtare në Berlin të Republikës Federale të Gjermanisë. Në kuadër të vizitës zyrtare, siç është paralajmëruar, është planifikuar pritje zyrtare me nderime shtetërore në selinë e Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, takim i kryeministrit Kovacevski me kancelarin Sholc,  konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave, si dhe takim dypalësh pune dhe darkë e dy delegacioneve zyrtare.

Uashington - Për sigurinë rajonale dhe globale është më rëndësi që Maqedonia e Veriut të përqendrohet në demokracinë dhe sundimin e ligjit, deklaroi për Zërin e Amerikës në maqedonisht, zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së për politikë evropiane dhe NATO, Spenser Bojer. I pyetur nëse beson se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare, Bojer ka thënë se qëndrimi i Pentagonit është se sundimi i ligjit dhe demokracia janë të rëndësishme në mënyrë që të kemi sisteme të fuqishme që do të jenë të qëndrueshme dhe do të kontribuojnë si për rajonin ashtu edhe sigurinë globale.

Shkup - Detyra jonë në afat sa më të shpejtë është që ta fillojmë diskutimin parlamentar për ndryshimet kushtetuese. Fundi i korrikut është momenti kur Kuvendi pushon, prandaj vlerësoj se duhet deri atëherë të ndodhë votimi i parë. E gjithë procedura duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq në emisionin "Studio 10" në TV 24. 

Shkup - Në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij personal, kryetari i Kuvendit  Talat Xhaferi të gjithë pjesëtarëve të konfesionit islam me rastin e festës së madhe myslimane - Kurban Bajramit, u shprehi urime, me shpresë se festa do t'i gjejë me shëndet të mirë, qetësi shpirtërore dhe ngrohtësi familjare, kudo që ata festojnë.

Shkup - Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq sot është për vizitë njëditore në Mbretërinë e Danimarkës. Me ftesë të ministrit danez të Punëve të Jashrme dhe ish kryeministër Lars Loke Rasmusen, Mariçiq do të marrë pjesë në konferencën me rastin e 30-vjetorit të kritereve të Kopenhagës. 

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski me rastin e një prej festave më të mëdha fetare, Kurban Bajrami, i dërgoi urime kreut të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, reis-ul-ulema haxhi hfz. Shaqir efendi Fetai, anëtarëve të Rijasetit dhe të muftinisë, si dhe të gjithë pjesëtarëve të besimit mysliman. "Shënimi i kësaj feste, e cila është simbol i solidaritetit dhe mirëqenies, është në frymën e bashkëjetesës sonë shekullore të cilën e ndërtojmë me gjenerata. Festa e Kurban Bajramit na kujton të gjithë neve rëndësinë dhe madhështinë e ndarjes, dashurisë, ndaj të afërmve dhe respektit të ndërsjellë", bëhet e ditur në urimin e kryeministrit, të publikuar nga shërbimi informativ i Qeverisë. 

Shkup - Presidenti Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe myslimane, Kurban Bajrami, i ka dërguar urime kreut të Bashkësisë Fetare Islame, reis-ul-ulema haxhi hfz. Shaqir efendi Fetahu dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në shtet. 

Shkup  - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot u dërgoi urim qytetarëve të besimit islam, të cilët e festojnë Kurban Bajramin.  "Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të MPB-së t'ju uroj ju dhe familjet tuaja me rastin e Kurban Bajramit, festës së veprave fisnike dhe vlerave humane, me urime për shëndet e prosperitet. Lutja e mëngjesit nëpër xhamitë e vendit të fshijë çdo dyshim në zemrat e besimtarëve - koha e pasigurisë është prapa nesh! Në shoqërinë tonë një për të gjithë kemi përkushtim të përbashkët për bashkëjetesë, dialog dhe bashkëpunim për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne", ka shkruar Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk.

Shkup- Prokuroria Publike informon se Komisioni për mbikëqyrje të jashtëzakonshme të lëndëve të parashtruara kundër Ramiz Merkos, kryetar i Komunës së Strugës, ka bërë mbikëqyrje në të gjitha lëndët e përfunduara dhe ato në proces kundër personit në fjalë, ndërsa për shkak të kompleksivitetit të aktiviteteve të ndërmarra, siç thonë ata, "disa nga lëndët ende janë duke u studiuar dhe analizuar detajisht".

Shkup- Rruga jonë drejt Evropës është e qartë. Bëhet fjalë për kornizën negociuese të cilën e miratuam vitin e kaluar. Në atë kuptim, kërkesa të reja nga Bullgaria nuk lejohen, deklaroi sot presidenti Stevo Pendarovski, i pyetur si i komenton deklaratat e presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev në lidhje me ndryshimet kushtetuese.  Pendarovski tha se gjatë vizitës së tij në Podgoricë ka realizuar takim të shkurtë me Radevin, në të cilin është biseduar për këtë temë, por në lidhje me deklaratën e tij theksoi se bëhet fjalë për "riciklim të historisë së vjetër bullgare".

Shkup - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit reagoi për deklaratën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili dje tha se nuk beson në kapacitetet e Komisionit.  Në një emision në Televizionin Sitel, Grubi deklaroi se i beson institucionit, megjithatë ka dyshime në kapacitetet e tij. "Një shumicë e madhe e rasteve ose janë humbur në procedura administrative ose janë hedhur nga ana e gjykatësve për atë që e punon KSHPK dhe shpresoj se përbërja e ardhshme do të jetë me të vërtetë serioze, nuk kanë asnjë sukses pasi janë në mandat", tha Grubi.

Shkup - Çështjet më të rëndësishme si Marrëveshja e Prespës dhe Ligji për Gjuhët do të vendosen në seancë në shtator, më së voni tetor, deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.  Në brifingun e sotëm me gazetarët, ajo theksoi se shtyrja e zgjidhjes së këtyre lëndëve është për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese.  "Deputetët edhe më tutje nuk zgjedhin gjykatës kushtetues. Nga 2 qershori është tashmë viti i tretë që kur gjykata nuk është e kompletuar", tha ajo.

Shkup - Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot ka takuar ambasadoren e sapoemëruar të Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Dreksler. Në takim, siç njofton MPPS, Dreksler theksoi mbështetjen e fuqishme për rrugën e vendit drejt BE-së, si dhe mbështetjen për pastrimin e narratives në shoqëri rreth propozim- ligjeve për evidencën amë dhe barazinë gjinore, si dhe kuptimin e tyre të vërtetë.

Shkup - Është me rëndësi që ta ruajmë njohjen se ekzistimi ynë, gjuha, arti, kultura, pikëpamja jonë nuk ekzistojnë sepse janë të verifikuara nga të tjerët, por se janë bërthama, vetë thelbi i jetëve tona që na mundëson kohëzgjatje në kohë dhe hapësirë, theksoi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në hapjen e Konferencës së Tetë Shkencore "Kërste Misirkov dhe gjuha maqedonase - burim i hulumtimeve shkencore" në kuadër të Ditëve të Hapura në Institutin e Gjuhës Maqedonase. 

Shkup - Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punët e brendshme. Obligim legjitim i çdo ambasadori është të mbrojë interesat e bizneseve private të qytetarëve të vendit të tij, jo vetëm të institucioneve shtetërore, deklaroi sot presidenti Stevo Pendarovski i pyetur për letrën e hapur të ambasadorit austriak Georg Vucas.

Shkup - Mbetemi në qëndrimin se ndryshimet kushtetuese në këto rrethana dhe nën diktat bullgar janë të papranueshme për VMRO-DPMNE-në. Ky është qëndrim i organeve partiake, i grupit tonë parlamentar, qëndrim i miratuar pas një konsensusi të gjerë dhe debati të mirëfilltë brenda partisë, deklaroi për TV 24 Timço Mucunski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së. Sipas Mucunskit, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së vendosi të marrë përgjegjësi jashtë kompetencës së saj sa i takon Kushtetutës dhe ligjeve në raport me Bullgarinë.

Shkup - Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) sot ka publikuar raportet përfundimtare për revizion të raporteve financiare së bashku me revizionin rreth harmonizimit të llogarive për punën e rregullt për vitin 2021 të partive politike LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Alternativa. "Me revizionin e realizuar për vitin 2021 kemi shprehur mendim me rezervë për paraqitjen e vërtetë dhe objektive të raporteve financiare dhe harmonizimin e transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës, udhëzimet dhe politikat e vendosura", theksohet në përmbledhjen e revizionit të ESHR-së për raportet financiare të LSDM-së.

Tetovë - Pesë persona janë lënduar në një aksident komunikacioni gjatë përplasjes së tri veturave sot paradite rreth orës 10 në autostradën Tetovë - Gostivar. Të gjithë pesë të lënduarit janë dërguar në spitalin e Gostivarit për tu ofruar ndihmë mjekësore.  "Në autostradën Tetovë - Gostivar ka ndodhur një aksident në të cilin kanë marrë pjesë tri vetura: 'seat leon' me targa të Gostivarit dhe 'folsfagen golf' dhe 'fiat' me targa të Tetovës. Në aksident, lëndime kanë marrë gjithsej pesë persona të cilët menjëherë janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit 'Ferid Murat' për ofrimin e ndihmës mjekësore", informojnë nga SPB Tetovë. 

Strumicë - Një person ka humbur jetën, ndërsa një është lënduar në aksidentin e mbrëmshëm që ka ndodhur në orën 21:45 në rrugën kryesore A4 Strumicë-Novo Sellë në dalje të fshatit Dabile drejt Bosilovës. Sipas informacioneve nga SPB Strumicë, në aksidentin janë përfshirë veturë e tipit “fiat” drejtuar nga R.M.(31) nga fshati Kosturino dhe “mercedes” drejtuar nga A.Gj.(47) nga fshati Borievë të dyja me targa të Strumicës.

Uashington - Një grup senatorësh amerikanë kanë kërkuar nga administrata e presidentit amerikan Xho Bajden që "t'i japë përparësi zgjidhjes së situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë". Në letrën e nënshkruar nga tetë senatorë demokratë dhe republikanë, kërkohet që Bajdeni të mendojë për shtyrjen e shitjes së pajisjeve ushtarake, nëse të dyja palët nuk angazhohen për respektimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, raporton sot Radio Evropa e Lirë (REL). Kosova dhe Serbia kanë pranuar këtë propozim në fund të shkurtit, ndërsa në mars kanë dakorduar Aneksin për zbatimin e ti

Kiev - Numri i të vdekurve në sulmin rus ndaj një restoranti në qytetin Kramatorsk në Ukrainën lindore është të paktën tetë, ndërsa 56 janë të lënduar, sipas informacioneve të reja të shërbimeve për raste urgjente. Në mesin e të vdekurve ka tre fëmijë, njoftoi shërbimi ukrainas për raste urgjente. "Shpëtimtarët po i kërkojnë mbetjet nga ndërtesa dhe kërkojnë njerëz të cilët ndoshta gjenden nën rrënoja", shtohet në kumtesë. 

Londër - Numri i njerëzve të vrarë në konflikte në mbarë botën kaloi 238.000 vitin e kalur, që është numri më i madh i gjenocidit në Ruandë në vitin 1994, njoftoi Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP) në Indeksin e tij global të paqes, të publikuar në Londër, informon DPA. Indeksi global i paqes e rendit situatën në 163 vende të botës në bazë të 23 treguesve cilësorë dhe sasiorë, duke formuar listën nga më paqësorët deri te më problematikët. Sipas indeksit, bota është gjithnjë e më pak paqësore tashmë nëntë vite me radhë.

Kiev - Presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski deklaroi sot se nuk do të pranojë asnjë plan paqësor të propozuar i cili do ta shndërronte luftën ruse në vendin e tij në konflikt të ngrirë. Presidenti ukrainas në paraqitjen para Parlamentit me rastin e Ditës së Kushtetutës Ukrainase theksoi se mbetet kundër çdo plani paqësor me të cilin do të ngriheshin territoret e mara nga Rusia në pushtimin i cili filloi në shkurt të vitit të kaluar. "Ukraina nuk do të pajtohet me asnjë nga opsionet për konflikt të ngrirë", tha ai.

Çikago - Presidenti amerikan Xho Bajden sot në Çikago do të mbajë fjalim kyç për vizionin për prosperitet ekonomik të Amerikës.  Pjesë e rëndësishme e këtij vizioni është që të tatimohen të pasurit dhe të investohen paratë e fituara në fusha lidhur me sigurinë kombëtare, siç është industria e gjysmëpërçuesve, transmetojnë agjencitë botërore.

Londër - Ekipi londinez i ligës së parë angleze Arsenali i dërgoi ofertën e tretë rivalit të qytetit Uest Hem për shërbimet e kapitenit të klubit Deklan Rajs, informon sot televizioni Skaj.  Arsenali për shërbimet e mesfushorit 24-vjeçar ka ofruar 122 milionë euro.  Dy ofertat e para Uest Hemi i refuzoi, ndërsa në ndërkohë klubi londinez nuk e pranoi edhe ofertën prej 104 milionë eurove nga kampioni aktual anglez dhe evropian Mançester Siti.

Londër – Portieri i Empolit, Gilermo Vikario ka ndryshuar ambientet e klubit dhe ka nënshkruar kontratë me klubin e Premier ligës Totenhem në vlerë 18.6 milionë euro. Vikario, siç raportuan mbrëmë mediat britanike ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare dhe për herë të parë në karrierën e tij do të performojë jashtë Italisë. Më herët në karrierën e tij, portieri italian ka luajtur edhe për Udinezen, Kaljarin, Venecian dhe Peruxhën.

QËNDRONI TË LIDHUR