• e shtunë, 28 shkurt 2026
MIA Flesh

15:00/ 27 shkurt/ 2026

Shkup –Bilateralizimi i integrimit evropian nuk do të jetë shembull i vetëm dhe anëtaret e BE-së duhet ta parandalojnë, deklaroi sot presidentja Gordana Siljanovska – Davkova në konferencën e sotme për media me homologun shqiptar Bajram Begaj, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.  Presidentja Siljanovska – Davkova përsëriti se jemi të përcaktuar fuqishëm për hyrje në BE dhe theksoi se hapat e Malit të Zi dhe të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së i sheh hapat evropianë edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.  “Anëtarësimi arrihet nëpërmjet reformave, veçanërisht sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike. Dhe këtu kemi një konsensus se kjo është diçka që nuk lidhet vetëm me kriteret e Kopenhagës, por edhe me evropianizimin tonë”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, realizoi sot takim me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Bruner, gjatë të cilit u diskutuan çështje kyçe lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, menaxhimin e migracionit, sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit të organizuar. Në takim, infornojnë nga Kabineti i Sali, u konfirmua përkushtimi i fuqishëm i Qeverisë për vazhdimin e reformave në kuadër të klasterit “Themeloret”, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Ministri Sali theksoi angazhimin e vendit për përmbushjen e kritereve hapëse dhe ruajtjen e dinamikës reformuese.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot realizoi takim me komisarin evropian për punë të jashtme dhe emigracion, Magnus Bruner. Në takim, informojnë nga MPJdheTJ, ministri Mucunski e ceki angazhimin e vazhdueshëm të vendit në procesin e inkuadrimit drejt Bashkimit Evropian, posaçërisht në fushën e punëve të brendshme dhe emigracionit. Ai e ceki përkushtimin drejt avancimit të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave në këtë fushë, me qëllim të harmonizimit të mëtutjeshëm me rregullat dhe standardet evropiane. "Bashkëbiseduesit folën për thellim të bashkëpunimit në menaxhimin me emigrimet, përfshirë edhe partneritetin me Fronteksin, luftën kundër emigracionit ilegal dhe krimit të organizuar, politikën e vizave, si dhe këmbimib e vazhdueshëm të infornatave dhe përvojave", kumtuan nga MPJdheTJ.

Shkup - Kroacia mbetet mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, u potencua në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe ministrit kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në vend. Duke i uruar mirëseardhje të përzemërt në shtëpinë ligjvënëse përfaqësuesit të lartë të një shteti mik dhe të afërt, Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Republika e Kroacisë i jep perspektivës evropiane të shtetit, si dhe për bashkëpunimin e përgjithshëm dypalësh që zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, solidaritetit dhe partneritetit. Ai theksoi se vlerësohet veçanërisht gatishmëria e Kroacisë për të dhënë ekspertizën dhe përvojën e saj të çmuar nga procesi i anëtarësimit dhe zhvillimi i negociatave për anëtarësim.

Shkup - Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ujësjellës sot në mbledhjen e 15-të shqyrtoi Propozim-ligjin për bujqësi organike dhe vendosi ta dërgojë në lexim të dytë. Propozim-ligji ishte pika e vetme e rendit të ditës i trupit amë të punës, dhe harmonizon legjislacionin kombëtar me atë të Bashkimi Evropian. Gjatë diskutimit, deputeti Sali Murati para Komisionit paraqiti nëntë amendamente, duke përfshirë disa ndryshime teknike në tekst, për të cilat, siç tha ai, synojnë përmirësimin e zgjidhjes ligjore. Komisioni nuk i pranoi amendamentet e tij. Pas miratimit të propozim-ligjit në lexim të dytë, ai do të dërgohet për diskutim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. 

Shkup - Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e lojërave amatere sportive Plazma për fëmijë, të cilat gjatë viteve të fundit kanë bashkuar mbi dy e gjysmë milionë fëmijë nga disa shtete. Më të mirët do të marrin pjesë në ndeshjet finale që do të zhvillohen në gusht të këtij viti në Split. Kjo iniciativë vazhdon prej 27 vjetësh, ndërsa përfshin fëmijë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Sllovenia. Qëllimi është që fëmijët të ndjejnë vlerën e vërtetë të sportit dhe përmes tij të mësojnë vlerat e duhura në jetë. Në nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes mes platformës ndërkombëtare "Lojërat sportive për të rinj" dhe Federatës së sporteve shkollore, ishin të pranishëm edhe kryeministri Hristian Mickoski dhe ministri i sportit Borko Ristovski.

Shkup - Nuk ka nevojë të tërhiqet ligji sepse çdo tërheqje dhe shtyrje e kësaj zgjidhje ligjore është në dëm të arsimit të lartë në vend, ndërsa kjo do të thotë në dëm të studentëve dhe të rinjve, dhe, në përgjithësi, të të gjithë vendit, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse ligji i propozuar për arsimin e lartë do të tërhiqet për përmisim të mëtejshëm.  Siç tha, nuk ka aq shumë vërejtje nga të gjitha universitetet, se një numër i caktuar përsëritet dhe se ato për të cilat profesorët kanë të drejtë do të korrigjohen. Potencoi se disa për të cilat tashmë ka marrëveshje për t'u ndryshuar. 

Shkup - Çmimet me pakicë të EURODIZEL (D-E V) dhe Vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) do të rriten me dy denarë për litër nga mesnata e sonte, ndërsa çmimi i benzinës do të mbetet i njëjtë, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energji, Shërbime Ujore dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE). Me këtë vendim bëhet rritje e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës me mesatare prej 1,17 për qind. Çmimi i ri i shitjes me pakicë i EURODIZEL (D-E V) do të jetë 71, ndërsa i Vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) 70 denarë për litër. EUROSUPER BS – 95 edhe më tutje do të shitet për 73,5, ndërsa EUROSUPER BS – 98 për 75,5 denarë për litër. 

Shkup - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë deh Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, dhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, sot zhvilluan një takim me kultivuesit e deleve, në të cilën u diskutua për gjendjen aktuale epidemiologjike të sëmundjes së lisë tek delet dhe dhitë në Likovë, Kumanovë. Me qëllim parandalimin e shpërthimeve të reja në territorin e shtetit, në takim, siç theksohet në njoftimin e MBPU-së, u theksua se është e domosdoshme që fermerët të respektojnë rreptësisht masat e kontrollit dhe mbrojtjes të miratuara nga Agjencia. Lëvizja e kafshëve duhet të bëhet vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare të lëshuar nga shoqata kompetente veterinare.

Shkup - Integrimi evropian, lufta kundër krimit të organizuar dhe menaxhimi i forcuar i kufijve ishin në fokus të takimit të sotëm të punës në Shkup mes ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski, dhe Komisionerit të Punëve të Brendshme dhe Migrimit të Bashkimit Evropian, Magnus Bruner. Në takim, siç informojnë nga MPB-ja, u konfirmua angazhimi i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut ndaj procesit të integrimit evropian dhe harmonizimit të mëtejshëm me standardet evropiane në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.

Shkup - Nuk u mbajt seanca konstituive e grupit punues për reforma në legjislaturën zgjedhore për shkak të kërkesës së disa partive shqiptare që materialet të përkthehen. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili duhej të kryesojë me seancën, deklaroi se as që ka filluar debati material dhe shpreson se javën e ardhshme do të mbahet seanca. Siç paraprakisht informuan nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n, në takimin duhej të zgjedhet kryetari i grupit punues dhe të miratohet Rregullore për punë.

Shkup - Me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes midis platformës ndërkombëtare "Lojëra sportive për të rinj" dhe Federatës së Sporteve Shkollore, vendi është bërë pjesë e "Plazma - Lojëra Sportive Amatore për Fëmijë", e cila në vitet e fundit ka bashkuar më shumë se dy milionë e gjysmë fëmijë nga disa vende. Më të mirët do të jenë pjesë e garave finale, të cilat do të mbahen në gusht të këtij viti në Split. Kryeministri Hristijan Micskosi në aktin solemn në Qeveri theksoi se është nder për ne që mund të jemi pjesë e kësaj ngjarjeje, sepse si Qeveri i kushtojmë vëmendje të jashtëzakonshme politikave për investimin te të rinjtë. Ai theksoi se demografia paraqet një problem të përgjithshëm evropian dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të rinjtë, që nga mosha më e hershme, t’i edukojmë dhe t’i mësojmë se e ardhmja është në duart e tyre.

Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i njofton qytetarët se po vijon pagesa e shtesës arsimore për periudhën e dytë matëse për vitin shkollor 2025/2026. Nga Ministria sqarojnë se pagesa e shtesës arsimore bëhet në katër periudha matës. Pagesa për periudhën e parë matëse gjatë muajit dhjetor të vitit aktual kalendarik, për periudhën e dytë matëse gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm kalendarik, për periudhën e tretë matëse gjatë muajit maj në vitin aktual kalendarik dhe për periudhën e katërt matëse, pagesa bëhet gjatë muajit korrik të vitit kalendarik aktual.

Tetovë - Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë informojnë se nesër në qytet do të ketë masa të përkohshme sigurie, një regjim të veçantë trafiku dhe ndalim parkimi në disa rrugë me rastin e vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tetovë. Komuna e Tetovës rekomandon që automjetet të mos parkohen në bulevardin "Marshall Tito" nga fillimi deri te rrethrrotullimi pranë tregut me bulevardin "Bllagoja Toska", në bulevardin "Bllagoja Toska" nga rrethrrotullimi me bulevardin "Marshal Tito" deri te ndërtimi i Komunës së Tetovës, në rrugën "JNA" ("Dervish Cara") në tërësi, deri te semaforët, në rrugën "Ilindenska" nga Gjykata Themelore deri te Universiteti i Evropës Juglindore, në rrugën "Kiro Ristoski-Drnc deri te Arabati Baba Teqe, në rrugën "VonVardarska" dhe në rrugën "172".  "Automjetet e parkuara në kundërshtim me njoftimin do të largohen nga shërbimet përkatëse", njofton Komuna e Tetovës.

Prishtinë - Filloi gjykimi i Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, "për pengimin e drejtësisë dhe ndikimin ndaj dëshmitarëve". Sipas akuzës, "në periudhën prej 12 prillit e deri më 2 nëntor të vitit 2023, gjatë disa vizitave të Thaçit në paraburgim, ai u ka zbuluar informata për dëshmitarët tre të akuzuarve tjerë, u ka urdhëruar të ndikojnë ndaj tyre dhe ka dhënë udhëzime të hollësishme se si ta bëjnë këtë". Në akuzën thuhet se "Thaçi ka dhënë udhëzime të hollësishme për atë se si do të dëshmojnë dëshmitarët, për shembull, ka urdhëruar një dëshmitar të thotë se Adem Demaçi ka qenë udhëheqësi i UÇK-së, ose të udhëzojë një dëshmitar tjetër se UÇK-ja nuk ka pasur autorizim të fillojë ose të ndal luftë, se është tërësisht e paorganizuar".

Kiev - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski e ka ftuar kryeministrin sllovak, Robert Fico në Ukrainë për të biseduar për "të gjitha problemet aktuale" mes dy vendeve, njoftoi sot kabineti i liderit ukrainas, i cituar nga Ukrinform. Ftesa u dërgua gjatë bisedës me telefon mes dy liderëve dhe vjen në kushte të kontestit rreth gazpërçuesit "Druzhba", me të cilin transportohet nafta ruse përmes Ukrainës, informojnë mediumet britanike. "Presidenti ukrainas në këtë moment bisedon me kryeministrin sllovak, Robert Fico. Presidenti e ka ftuar në Ukrainë për të biseduar për të gjitha problemet aktuale", thuhet në kumtesën e kabinetit të presidenti ukrainas, i cituar nga Ukrinform.

Teheran - Irani u ka bërë thirrje qeverive të Pakistanit dhe Afganistanit që të ulin tensionet e larta pas sulmeve gjatë natës, pasi dy fqinjët kishin përkeqësuar marrëdhëniet e tyre për muaj të tërë, raportoi DPA. Teherani është "gati të ofrojë të gjithë ndihmën për të lehtësuar dialogun", shkroi sot në platformën Iks, ministri i iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi. "Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, muaji përmbajtjes dhe forcimit të solidaritetit në botën islame, është e përshtatshme që Afganistani dhe Pakistani të menaxhojnë dhe zgjidhin dallimet ekzistuese brenda kornizës së fqinjësisë së mirë dhe përmes dialogut", tha ai, raportoi agjencia gjermane.

Islamabad – Qeveria pakistaneze sot shpalli “luftë të hapur” kundër talebanëve pasi dje filloi ofensiva afgane në kufirin e tyre, që e detyroi Islamabadin ta bombardojë Kabulin si hakmarrje.  Pakistani sulmoi disa lokacione afgane gjatë natës, duke përfshirë edhe qytetet e mëdha Kabul dhe Kandahar, në atë që ministri pakistanez i Punëve të Brendshme, Mohsin Nakvi e quajti përgjigje adekuate të sulmit afgan ditën e kaluar.  "Durimi ynë ka mbaruar. Tani ka një luftë të hapur midis nesh dhe jush", tha ministri pakistanez i Mbrojtjes, Havaxha Asif, duke shtuar se ushtarët e tyre kanë të gjitha aftësitë e nevojshme për të shkatërruar të gjitha ambiciet agresive të Afganistanit fqinj.

Nju Jork - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, bëri thirrje që Pakistani dhe Afganistani t’i përmbahen rreptësisht detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar, me theks të veçantë mbi ligjin humanitar ndërkombëtar. Përfaqësuesi i Lartë i KB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, apeloi për dialog midis të dy vendeve në kushte të përleshjeve kufitare dhe sulmeve vdekjeprurëse ajrore. Kina është thellësisht e shqetësuar për eskalimin e tensioneve përgjatë kufirit midis Afganistanit dhe Pakistanit, njoftoi Ministria kineze e Punëve të Jashtme, duke i ftuar të dyja palët të "zgjidhin dallimet dhe mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe negociatave".

Kabul - Forcat afgane sulmuan një objekt bërthamor në Pakistan dhe, siç pohon televizioni "Ariana Njuz", duke cituar burimet e saj, në sulmin ka viktima. "Pas sulmit ndaj një qendre ushtarake në zonën Kokal të provincës Kiber-Pahtunva, dhe një qendre tjetër bërthamore, qindra njerëz kanë vdekur, ndërsa të plagosurit janë transferuar në spitalet në Islamabad", theksohet në publikimin në platformën Iks. Më herët sot, Kabuli njoftoi se Forcat Ajrore afgane kanë sulmuar me sukses një kamp ushtarak dhe një kazermë ushtarake në Novshera, si dhe bazën Xhamrud.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR