• e shtunë, 28 shkurt 2026
MIA Flesh

18:00 / 26 shkurt / 2026

Shkup - Kompanitë që në vitin 2023 kanë paguar mjete në buxhet në bazë të Ligjit të Tatimit të Solidaritetit, në muajin mars të këtij viti do ta marrin gjysmën e mjeteve të paguara. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare në seancën e sotme në Kuvend. “Siç paralajmëruam, gjysma e 3 miliardë denarëve të paguara do të kthehen në muajin mars. Procesi për organizimin e procedurës së përgjithshme ishte i vështirë, por Ministria e Financave ishte transparente dhe në komunikim të vazhdueshëm me sektorin privat. Duhej të vendosej komunikim me të gjitha kompanitë, prandaj fillimisht vendosëm të komunikojmë me odat ekonomike, ku diskutuam për qëndrimet dhe propozimet tona, e më pas të përcaktojmë një qëndrim të përbashkët. Në muajin gusht të vitit 2025, Qeveria na ngarkoi neve si Ministri e Financave që t’u dërgojmë shkresa zyrtare të gjitha 156 kompanive, me kërkesë që të prononcohen lidhur me modelin e kthimit të mjeteve. Propozimi ynë ishte që kthimi të realizohet në dy këste: kësti i parë në muajin mars të vitit 2026, ndërsa kësti i dytë në muajin mars të vitit 2027, propozim ku pjesa më e madhe e kompanive e kanë pranuar”, tha ministrja e Financave

Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga foltorja e Kuvendit theksoi se opozita po përhap panik dhe dezinformata në mesin e bujqve të Maqedonisë. “Në ditët e fundit jemi dëshmitarë të një modeli klasik të politikanizmit nga ana e opozitës, në vend të debatit, po plasohen gënjeshtra dhe manipulime me qëllim që të krijohet kaos në sektorin bujqësor të vendit”, theksoi ministri. Ai nënvizoi se ndryshimet në Programin për pagesa direkte për vitin 2026 nuk nënkuptojnë ulje të subvencioneve, por vendosje të rregullit dhe shpërndarje të drejtë të mjeteve që i siguron shteti.

Shkup - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes avokatit të tij Abidin Abduli, ka dorëzuar dje padinë për shpifje në Gjykatën Themelore Shkup 2 kundër kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, informon Aleanca për Shqiptarët përmes kumtesës, të cilën MIA e publikon në mënyrë integrale. Padia vjen pas deklaratave të bëra nga Mexhiti në një emision televiziv në Lajm TV, ku ai ka pretenduar se gjatë mandatit të tij si ministër, Taravari ka dhënë shtatë licenca për fabrika për përpunimin e kanabisit. Sipas njoftimit, para dorëzimit të padisë ishte dhënë edhe afati ligjor për kërkim-falje publike, të cilin Mexhiti nuk e ka shfrytëzuar.

Shkup - Me pyetje drejtuar funksionarëve qeveritarë, sot në shtëpinë ligjvënëse u mbajt seanca plenare e 86-të, me një pikë të vetme në rend dite – parashtrimi i pyetjeve parlamentare. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në përgjigje të një pyetjeje nga deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Diana Toska, lidhur me fyerjet nacionaliste të grupeve të tifozëve gjatë ndeshjeve sportive, vlerësoi se, po të ishte vepruar pa seleksionim në vitet e kaluara nga të gjitha institucionet kompetente për të konstatuar dhe reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj këtij lloji sfidash, sot nuk do të dëshmonim thirrje për urrejtje dhe dhunë ndëretnike. "Është ndjenjë e shëmtuar kur shikoni një ndeshje sportive dhe një grup tifozësh fyen një etni në Maqedoni dhe anasjelltas, kur një grup tjetër tifozësh fyen, mallkon, shan, pështyn e kështu me radhë; por sinqerisht më vjen shumë keq që gjatë 20 e më shumë viteve, ndërsa keni qenë pjesë e pushtetit, nuk keni bërë absolutisht asgjë që sot të mos e kishim sërish atë që nuk duam as ta shohim, as ta dëgjojmë, por që po ndodh, tha Toshkovski.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot kumtoi se portofoli i Zonave Zhvillimore Teknologjike dhe Industriale përmban mbi 17 projekte, investime me vlerë prej gjithsej 650 milionë euro, të cilat duhet të krijojnë deri në 5.000 vende të reja pune. “Investimet të cilat ose kanë filluar, ose po realizohen, ose janë në fazë të negocimit për ndihmë shtetërore, e që janë pjesë e portfolios së zonave ZZHTI, arrijnë vlerën rreth 650 milionë euro. Bëhet fjalë për 17 projekte që duhet të krijojnë deri në 5.000 vende të reja pune, ndërsa në pjesën e eksportit pritet ta rrisin atë për rreth 2% të BPV-së, konkretisht në vlerë prej rreth 400 milionë dollarë eksport shtesë në fillim, e që do të arrinte deri në një miliard euro. Këto janë investimet në zonat ZZHTI”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në seancën për pyetje të deputetëve, duke shtuar se ka investime edhe jashtë zonave. Mickoski njoftoi se së shpejti do të fillojë ndërtimi i parkut me erë, investim i kompanisë Alkazar, i cili këto ditë pritet të marrë lejen e ndërtimit. 

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se dënon të gjitha llojet e gjuhës së urrejtjes, duke përfshirë dhe atë në bazë etnike. Beson se askush nuk duhet të përdorë një gjuhë të tillë dhe se do të kërkojë sanksionet më të rrepta nga institucionet shtetërore për ata që ofendojnë në bazë etnike. "Lidhur me çdo shpërthim nacionalist, qofshin ato grupe tifozësh apo ndonjë gjë tjetër, unë i dënoj absolutisht ato. Absolutisht. Dhe këtu nuk duhet të kesh dilemë, pavarësisht nëse vjen nga një grup tifozësh te një tjetër, apo nga një tjetër te një i tretë, apo nga një i tretë te një i katërt, nga një etni te një tjetër dhe nga një tjetër te një i tretë e kështu me radhë. Absolutisht nuk mund të pranoj ofendime në bazë të përkatësisë etnike, dhe unë si qenie njerëzore e kam thënë këtë dhe do të vazhdoj të punoj për ta parandaluar këtë", tha Mickoski në përgjigjen e pyetjeve të deputetëve e parashtruar nga deputeti Rijad Shaqiri. 

Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ka pritur presidentin e Republikës së Shqipërisë, Barjam Begaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vend, ku Çairi ishte pika e parë e kësaj vizite shtetërore. Vizita, siç informohet nga qeveria lokale, filloi me një pritje institucionale në hapësirat e Komunës së Çairit, ku u zhvillua një takim në frymën e respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Në vijim, programi u përqendrua në simbolikën historike dhe kulturore të Çarshisë së Vjetër, duke kulmuar me një vendosje ceremoniale lulesh para përmendores së heroit kombëtar Gjorgj Kastriot - Skënderbeu.

Shkup - Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, sot u takua me Petra Dreksler, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe Arbnora Qaili dhe Tijana Jankovska, bursiste të Programit Ndërkombëtar Parlamentar (IPS) të Bundestagut gjerman për vitin 2026. Siç bëhet e ditur në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit, Bendevska i uroi bursistet për përzgjedhjen e tyre dhe theksoi se kjo është mundësi e shkëlqyer që të njihen me jetën politike dhe akademike të Gjermanisë, si dhe që përvojën e fituar ta përcjellin në vendin tonë dhe të shërbejnë si urë lidhëse midis dy parlamenteve. "Ajo theksoi se Kuvendi, si institucion, në vazhdimësi punon me përkushtim për avancimin dhe promovimin e këtij programi për të gjithë të rinjtë nga vendi ynë që janë të interesuar që të kryejnë praktikë te një deputet gjerman në Bundestagun e Republikës Federale të Gjermanisë. Para nisjes së bursistëve për në Gjermani, Kuvendi u mundëson atyre qëndrim disaditor në institucionin tonë, me qëllim që të njihen më të afërt me mënyrën e funksionimit të Kuvendit", bëhet e ditur në kumtesë.

Shkup - Buxheti është në gjendje stabile dhe të mirë dhe të gjitha detyrimet servisohen në kohë dhe pa probleme, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska në përgjigjen e pyetjes së deputetëve në Kuvend. Ajo apeloi që të mos krijohet perceptim i rremë se buxheti është në gjendje kolapsi financiar dhe theksoi se fakti që nuk ka vonesa në pagesa dhe nuk ka barrë shtesë për qytetarët dhe ekonominë tregon qartë se financat publike po menaxhohen në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe me plan të qartë. “Apeloj që të mos krijohet perceptim i rremë se buxheti është në gjendje kolapsi financiar. Nëse buxheti i servison të gjitha detyrimet në kohë dhe nuk krijon barrë shtesë për qytetarët dhe kompanitë, kjo tregon qartë se financat publike janë të qëndrueshme dhe në gjendje të mirë. Politikat tona orientohen drejt konsolidimit fiskal, transparencës dhe krijimit të besimit midis investitorëve dhe publikut”, theksoi Dimitrieska Koçoska.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot i bëri homazhe ish presidentit Boris Trajkovski dhe anëtarëve të delegacionit të cilët humbën jetën gjatë rrëzimit të aeroplanit në Bosnje e Hercegovinë 22 vjet më parë. "Njëzet e dy vjet pas tragjedisë, me trishtim të thellë i bëmë përsëri homazhe presidentit Boris Trajkovski dhe anëtarëve të delegacionit, jetët e të cilëve u shuan gjatë rrëzimit të aeroplanit në Bosnje e Hercegovinë. Presidenti Trajkovski do të mbahet mend si burrë shteti, lider dhe njeri i mirë, jeta dhe politika e të cilit bazohej në parime dhe vlera. Ai ishte një paqebërës i betuar, një luftëtar për të drejtat e njeriut dhe besonte thellësisht në të ardhmen evropiane dhe demokracinë e Maqedonisë. Vizioni i tij mbetet detyrimi ynë", shkroi presidentja Siljanovska-Davkova në Fejsbuk.

Strugë - Problemi me ujin e pijshëm në Strugë dhe fshatrat përreth është sfida më e madhe me të cilën përballet kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra. Ai e theksoi këtë në konferencën e sotme për shtyp ku raportoi për punën e bërë në 100 ditët e para të mandatit të tij, duke theksuar se furnizimi me ujë i Strugës me ujë cilësor ka qenë një problem i akumuluar me vite për shkak të menaxhimit të dobët. "Por, kjo është përgjegjësia jonë dhe nuk po i ikim. Ndotja ka ndodhur edhe më parë, një vit më parë dhe tre vjet më parë, por tani jam transparent dhe për këtë arsye jemi këtu, kemi marrë të gjitha masat. Me ekspertë, vazhdojmë të përcaktojmë shkakun e ujit të turbullt dhe do të dalim me një përfundim zyrtar", tha Qyra.

Gjenevë - Pothuaj 8.000 persona e kanë humbur jetën ose janë zhdukur vitin e kaluar në rutat e migrimit, siç janë Deti Mesdhe ose Briri i Afrikës, por numri i saktë është me siguri shumë më i madh, pasi zvogëlimet e buxhetit e kanë zvogëluar qasjen deri te ndihma humanitare dhe e ka vështirësuar ndjekjen e rasteve të vdekjes, kumtoi agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë. Numri i rrugëve të ligjshme të migrimit po zvogëlohet, duke shkaktuar që më shumë njerëz t'u drejtohen kontrabandistëve, kumtoi Organizata ndërkombëtare për migracion (IOM), ndërsa Evropa, SHBA-ja dhe rajone tjera i përforcojnë kontrollet kufitare dhe investojnë në mjete për kthimin e migrantëve.

Varshavë - Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslav Shikorski sot në një prezantim për politikën e jashtme polake paralajmëroi se Rusia nuk dëshiron paqe, por kapitullimin e Ukrainës dhe se nuk do të ndalet me kaq, si dhe se rendi ndërkombëtar, i rrënuar nga themelet, dhe turbulencat në botë nuk i lënë Varshavës hapësirë ​​për luksin e pasivitetit. "Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun. Situata është serioze. Ndërgjegjësimi për rrezikun mund të paralizojë. Nuk mund ta përballojmë luksin e të qëndruarit të paralizuar", u tha Sikorski deputetëve në Sejm, dhomën e ulët të Parlamentit polak. Ai paralajmëroi se disa aleatë nuk e përjashtojnë skenarin që Rusia të sulmojë NATO-n, siç tha, jo pas dy ose tre vjetësh, por këtë vit.

QËNDRONI TË LIDHUR