• e shtunë, 28 shkurt 2026
MIA Flesh

18:00/ 27 shkurt/ 2026

Shkup – Të hënën, më 2 mars do të mbahet mbledhje e Këshillit Ekonomik – Social. Siç deklaroi për MIA-n ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në mesin e pikave të rendit të ditës do të jetë edhe Shporta mesatare konsumatorëtë cilën tashmë e përgatiti Qeveria, por ende e pret qëndrimin e punëdhënësve dhe sindikatave.  Në mbledhje të KES do të publikohet edhe shuma e saktë për të cilën do të rritet paga minimale.  “Shporta mesatare konsumatore është vënë tashmë në rend dite të KES-it, por ende nuk kemi përgjigje - propozime, vërejtje, sugjerime nga dy palët e tjera, punëdhënësit dhe sindikatat. Në këtë mbledhje, e cila do të mbahet më 2 mars, do ta vendos përsëri në rend dite për ta diskutuar. Në fund, kur ta finalizojmë, do të publikohet për publikun - shportë konsumatore që do të bazohet në të dhëna reale nga institucionet përkatëse. Nuk do të kemi shportë konsumatorë të bërë nga ndonjë profesor ose disa njerëz që nuk janë relevantë, domethënë nuk janë kontrolluar nga institucionet. Të mos mbjellim konfuzion tek qytetarët, por t'i bëjmë të ditur realisht se sa para duhet të ketë një familje me katër anëtarë për të kaluar një muaj”, tha Durmishi.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti Gordan Gërliç Radman, ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Në takim, siç njofton Kabineti i Siljanovska-Davkovës, të dy konfirmuan miqësinë e fortë Maqedoni e Veriut -Kroaci që të dy vendet e kultivojnë për më shumë se tre dekada, të bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë dhe të realizuar përmes dialogut politik dhe bashkëpunimit konstruktiv. Siljanovska-Davkova shprehu mirënjohje të sinqertë për mirëkuptimin dhe mbështetjen e hapur dhe të vazhdueshme të Kroacisë për integrimin e Maqedonisë, si dhe për qëndrimin parimor të Kroacisë se zgjerimi i Unionit me Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet në merita reale, pa bilateralizim dhe veto.

Shkup - Kam dëgjuar shumë herë për momente që duhen shfrytëzuar, dhe momenti tani lidhet me hyrjen e Ukrainës dhe Moldavisë në BE. Nuk do të kisha asgjë kundër ndryshimeve kushtetuese nëse ato vërtet janë dispozita që lidhen me kriteret e Kopenhagës ose, nëse doni, në këtë rast, me tejkalimin e diskriminimit ose garantimin e të drejtave të pakicave - deklaroi sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me deklaratën e raportuesit për Maqedoninë e Veriut në PE, Tomas Vajc, se vendi duhet të shfrytëzojë momentin dhe të votojë për ndryshimet kushtetuese për të filluar negociatat me BE-në, presidentja e theksoi qëndrimin për garancitë.

Shkup - Ministria e Transportit sot ka shpallur Thirrje publike për furnizimin e 150 autobusëve ekologjikë elektrikë dhe 75 stacione për mbushje. Në pajtim me planin për furnizim, 100 autobusë janë dedikuar për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjera për komunat. Ofertuesi më i volitshëm është i detyruar të prodhojë dhe të dorëzojë 30 autobusë me afat prej gjashtë muajve, 60 autobusë me afat prej 12 muajve dhe 60 autobusë në afat prej 18 muajve. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm është 30 marsi i këtij viti. Sipas Ministrisë së Transportit, prokurimi i autobusëve ekologjikë elektrikë paraqet angazhim të qartë politik për mbrojtjen e mjedisit, si dhe për përmirësimin e efikasitetit të transportit publik në Shkup dhe komuna tjera. Përveç përfitimeve ekologjike, kjo tregon se prokurimi i autobusëve të rinj sjell edhe përfitim ekonomik në planin afatgjatë me harxhime të reduktuara të mirëmbajtjes dhe energjisë.

Strugë – Mbetet në fuqi ndalesa për pirjen e ujit nga ujësjellësi i Strugës për shkak të turbullirës, e cila varion në pikat matëse nëpër qytet. Uji mund të përdoret vetëm për qëllime teknike, konfirmoi sot dr. Lidija Simonoska, specialiste e higjienës dhe ekologjisë shëndetësore në Qendrën për Shëndet Publik – Ohër. Mostrat e marra sot nga disa pika matëse, sipas Simonoskës, tregojnë turbullirë nga 0,62 deri në 1,73, kurse vlerat e lejuara janë 1,5 turbullirë. "Turbullira është ulur. Mostrat e marra nga tre pika matëse janë tashmë normale. Megjithatë, do të kontrollojmë edhe javën tjetër. Derisa të merren tre mostra radhazi në të gjithë qytetin ku nuk ka ndryshime në turbullirë, nuk do të jap rekomandim për pirjen e ujit. Prandaj, ndalesa është ende në fuqi", tha Simonoska.

Moskë - Kremlini sot i konfirmoi planet për negociata të reja trepalëshe për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë pas bisedimeve të ndara me përfaqësuesit e SHBA-së këtë javë në Gjenevë. “Sapo të dakordohen për datën dhe vendndodhjen, do të jepen detaje shtesë. Deri më tani nuk ka ndryshime të rëndësishme në qëndrimet e regjimit në Kiev”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. Më herët, Ukraina paralajmëroi bisedime për në fillim të marsit në Abu Dabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kryenegociatori i Kievit, Rustem Umerov, dje zhvilloi bisedime në Gjenevë me përfaqësuesin amerikan, Stiv Uitkof.

QËNDRONI TË LIDHUR