• e mërkurë, 25 dhjetor 2024
MIA Flesh

18:00/ 27 mars/ 2023

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Olta Xhaçkën, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, në suazat e vizitës zyrtare të ministres në vendin tonë. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, me dialog politik produktiv dhe bashkëpunim në një numër të konsiderueshëm të fushave me interes të ndërsjellë. Ai theksoi se të dyja vendet ndajnë qëllime dhe interesa të përbashkëta në planin e jashtëm-politik në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Shkup- Në kuadër të kryesimit të vendit me Iniciativën "SHBA - Karta e Adriatikut” (A5), nesër në Shkup do të mbahet takim joformal i ministrave të Punëve të Jashtme të A5. Siç bën të ditur MPJ, takimin në cilësinë e kryesuesit do ta udhëheq ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa do të marrin pjesë edhe shefat e diplomacive dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare dhe vëzhgues të "SHBA – Karta e Adriatikut".

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani beson se askush nuk do të guxojë ta vendosë shtetin në izolim në momentin kur do të duhet të votohet për ndryshimet kushtetuese.  "Mendoj se komunikimet e vendeve anëtare, partnerëve seriozë të cilët japin garanci për imazhin e procesit, të cilat bëhen mbrojtëse të interesave tona në Evropë, do ta bindin publikun dhe partitë politike dhe askush nuk do të guxojë ta vendosë shtetin në izolim në 10 vitet e ardhshme kur paraqitet rruga e përshpejtuar në rajon. Do të jetë shumë vështirë të shtypet butoni i kuq, të izolohet shteti që kjo qështje të zgjidhet diku deri në vitin 2033 në kushte shumë të papërshtatshme kur të rinjtë janë larguar dhe do të duhet qështjen e njëjtë ta zgjidhim ndoshta edhe më keq", deklaroi sot Osmani duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Shkup - Gati gjysma e diskutimit në takimin e sotëm në Shkup mes ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministres shqiptare për Punë të Jashtme dhe Evropë, Olta Xhaçka ishte e dedikuar në përpjekjet për asimilim të qetë të maqedonasve në Shqipëri nga ana e Bullgarisë. Këtë sot në konferencë për media e deklaroi Osmani, duke u përgigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me ankesat e maqedonasve në Shqipëri për asimilim bullgar dhe presionit nga Bullgaria. Ai theksoi se është kërkuar qëndrim nga Tirana, ndërsa sipas informacioneve të Xhaçkës bëhet fjalë për raste sporadike.

Shkup - Nikolla Gruevski mbetet të përgjigjet edhe për nëntë lëndë para gjykatave vendore dhe edhe një herë do të parashtrojë kërkesë për eksradimin e tij, deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Në brifingun me mediat, Lloga theksoi se në kërkesën me shkrim do të theksohet se ai do të akomodohet në të ashtuquajturën Qeli e Hagës edhe në burg edhe në paraburgim. "Besoj se do të jenë të pranueshme për institucionedt hungareze, se ata i plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare", deklaroi Lloga.

Shkup - Neve na nevojitet një Kod i ri zgjedhor, numri i njësive zgjedhore është problemi më i vogël, deklaroi sot ministri i Drejtësisë, Krena Lloga. Në brifingun me media Lloga tha se nëse nuk ka marrëveshje për ndryshim të Kodit zgjedhor, mbetet zgjidhja ekzistuese me gjashtë njësi zgjedhore. "Kjo është e qartë. Nëse jo kjo, të paktën t'i kemi rekomandimet e OSBE/ODIHR", deklaroi Lloga.

Shkup - Besoj se për një muaj do të kemi zgjidhje adekuate mbi problemin e diskriminimit të grave të burgosura në Burgun e “Idrizovës”, paralajmëron numri një i Drejtësisë, Krenar Lloga. Ai në një brifing për media tha se Burgu i “Idrizovës” mbetet “pikë e zezë” për më shumë çështje, jo vetëm për problemin e kushteve të të burgosurave. "Është formuar një grup pune. Do të duhet të kemi edhe ndryshime të rregullores, në mënyrë që të mund të shfrytëzojnë të gjitha përfitimet që u takojnë me ligj", tha Lloga

Shkup - Sot në kazermën "Ilinden" me intonimin e himneve të vendit, të NATO-s dhe me aftësi demonstruese të njësive të Ushtrisë dhe mbikalim avionësh ushtarakë sot në kazermën “Ilinden” u shënua përvjetori i tretë i anëtarësimit të vendit në NATO.

Shkup - Ata që konsiderojnë se vendi ynë ofron kushte më të mira jetese do ta gjejnë rrugën, ashtu si bashkëqytetarët tanë që besojnë se mund të gjejnë një jetë më cilësore në Evropën Perëndimore, tha sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me importin e fuqisë punëtore në vend.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në drejtim të ngritjes së nivelit të punësimit tek të rinjtë, fillon procesin e vendosjes së sistemit për përcjelljen e karrierës së maturantëve pas përfundimit në shkollat e mesme profesionale, si aktivitet i përcaktuar në Strategjinë e Arsimit të vitit 2018-2025. Këtë, siç bëri të ditur MASH, e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në takimin e sotëm me përfaqësues të shkollave të mesme profesionale në vend, ku është vendosur sistemi për përcjelljen e karrierës së maturantëve, që do të vendoset me mbështetjen e fondeve të BE-së, të cilët, siç tha ai, mbështesin reformimin e sistemit tonë arsimor kombëtar.

Shkup - Tri nga katër kërkesat e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, të cilat para dhjetë ditëve i miratoi Asambleja e Përgjithshme, janë të pranueshme për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, njoftoi kryetari i Unionit, Lluka Paviqeviq, pas takimit të cilin sot pasdite e kishin me ministrin Jeton Shaqiri. Nuk është e pranueshme vetëm kërkesa për ndryshimin e datës për dhënien e provimit të parë ekstern nga 27 maji në 3 qershor dhe nga MASH-i u ishte ofruar kompromis gjegjësisht lehtësime në pikë. 

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës në kumtesën dërguar mediave informoi për kërkesat e pranuara të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të cilët sot kishin takim me ministrin Jeton Shaqiri.  "Do të ndahen materialet për provimet interne dhe bazat e pyetjeve jo më vonë se katër javë para provimit intern me numër pyetjesh tre herë më të lartë se numri i pyetjeve në provim, universiteteve do t'iu rekomandohet që provimi i parë ekstern të jetë përkatës për të gjitha programet studimore ndërsa do të rekomandohet ndryshimi në raportin e pikëve ndërmjet provimeve eksterne dhe interne gjatë regjistrimit, në favor të atyre interne. Këto janë kërkesat e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme për përshtatjen e provimit të maturës shtetërore, të cilat u pranuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndërsa sot në takim i njoftoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri", njofton MASH.

Shkup - Kemi marrë njoftim se vëllimi i testeve në gjuhën amtare do të zvogëlohet dhe se bankat me pyetje për lëndët interne do të jenë të disponueshme së paku katër javë para dhënies së provimit specifik, kumtoi Organizata për Dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve (ODANShMS), përfaqësuesit e së cilës sot pasdite janë takuar me ministrin Jeton Shaqiri.Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, ODANShMS zhvilloi takim me ministrin Jeton Shaqiri, drejtoreshën e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Bllagica Pavlovska dhe sekretaren shtetërore në MASH, Aneta Trpevska. Në takim u diskutuan kërkesat e gjimnazistëve në lidhje me dhënien e provimit të maturës shtetërore", thekson ODANShMS.

Shkup - Grupi i ekspertëve për aksion kundër trafikimin me njerëz (GRETA) e publikoi raportin e tretë për Maqedoninë e Veriut, në të cilin konstatohet se korniza ligjore është miratuar, por viktimave të trafikimit me njerëz në vend u nevojitet qasje më e mirë deri në drejtësi dhe në mjete efektive jurudike. Në raportin për evoluim të tretë, të publikuar të premten, GRETA e përshëndet progresin e Maqedonisë së Veriut në zhvillimin e kornizës ligjvënëse për luftë kundër trafikimit me njerëz, por bën thirrje në implementimin e saj më të mirë në lidhje me qasjen e viktimave deri në drejtësi dhe mjete efektive juridike.

Shkup- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot i ndau çmimet vjetore të gazetarisë. Çmimi i gazetarisë investigative "Jashar Erebala" e fitoi Laboratorin për Raportimin Investigativ për "Gjaku i papastër". Çmimin për vepër jetësore “Kërste Petkov Misirkov” e fitoi Dragan Gjorgovski. Çmimi për raportimin më të mirë gazetaresk për tema me rëndësi lokale dhe rajonale i takoi Adnan Qailit nga Alsat.  Çmime speciale për gazetari hulumtuese iu ndanë Frosina Dimeskës, Irena Mulaçkës, Martin Pushevskit, Petar Klinçarskit dhe pllakë mori Kristina Atovska.
 
Shkup - Gjatës 24 orëve të kaluara janë prodhuar 12 827 megavat orë energji elektrike, kumtoi Qeveria. "SHA EMV më  26.03.2023 prodhoi 12 827 MWh energji elektrike, me çka me energjinë e prodhuar vetë plotësoi nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, si dhe nevojat për furnizime shtesë për shkolla, industrinë ushqimore dhe subjekte të tjera vitale shtetërore, informoi Qeveria. Në termoelektranat janë prodhuar 7 193 MWh ndërsa në hidroelektranat dhe në Parkun e Erës Bogdanci janë prodhuar 5 634 MWh.

Shkup - Në Shkup nesër dhe pasnesër do të ketë një regjim të veçantë të komunikacionit për shkak të vizitës së presidentit austriak Aleksander Van Der Bellen. "Ministria e Punëve të Brendshme e njoftoi opinionin publik se nesër dhe pasnesër, e martë dhe e mërkurë, për shkak të vizitës zyrtare në vendin tonë të Presidentit të Republikës së Austrisë, Aleksander Van Der Bellen, punonjës policie të Sektorit për punë të brendshme Shkup - Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor, do të marrin masa për regjim të posaçëm të komunikacionit nëpër rrugët në zonën më të gjerë qendrore të qytetit të Shkupit", njoftojnë nga MPB.

Strumicë - Tre persona janë lënduar kur sot rreth orës 15 një automobil i llojit "BMV" me targa të Strumicës ka dalë nga rruga Strumicë - Radovish, te fshati Vlladevc. Sipas informacionit të zëdhënëses së SPB Strumicë, Aleksandra Trajanova, gjatë aksidentit janë lënduar shoferi i automoblit dhe dy bashkëudhëtarë të tij, të cilët janë dërguar në spitalin e Strumicës. Trajanova shtoi se kontrolli i policisë zgjat ende, ndërsa nga ora 16 komunikacioni zhvillohet në mënyrë alternative, pasi më parë pas aksidentit ai ishte ndërprerë plotësisht

Tiranë - Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, i cili po qëndron në Tiranë, shprehu mbështetjen e tij për Shqipërinë në rrugën evropiane, por i bëri thirrje qeverisë shqiptare të heqë dorë nga të ashtuquajturat pasaporta të arta dhe të fokusohet në zbatimin e reformave për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Beograd - Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill në Bujanoc deklaroi se marrëveshja e Brukselit i referohet Kosovës dhe jo çështjeve lidhur me pakicat në Serbi, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.  "Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel është për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhet ndonjë çështje tjetër, çështjet e pakicave këtu apo në pjesë të tjera të vendit", tha Hill, transmeton portali "Bujanovaçke"."

Kishinjev - Moldavia sot komunikoi se do të jetë nikoqire e stëvitjes së përbashkët ushtarake, në të cilën marrin pjesë njësitet e forcave speciale nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe nga Rumania. "Stërvitja do të mbahet në qendrat e trajnimit të Armatës nacionale, nga 27 marsi deri më 7 prill, ndërsa ka për qëllim stërvitje të përbashkët dhe shkëmbim të përvojave mes ushtarëve të forcave speciale moldaviane, rumune, amerikane dhe britanike, si dhe rritje e nivelit për interoperabilitet mes kontinenteve pjesëmarrëse", theksohet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Moldavisë.

Berlin - Kontingjenti prej 18 tankeve luftarake "Leopard 2", të cilët Gjermania premtoi se do t'i dërgojë në Kiev që ta mbështesë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, është dorëzuar në kufirin ukrainas, publikoi sot Shpigel, duke iu referuar burimeve anonime. Sipas mediave, Ukrainës u janë dorëzuar edhe rreth 40 automjete këmbësorike luftarake të tipit Marder. Më 25 janar, qeveria gjermane ka miratuar dërgim të tankeve "Leopard 2" në Ukrainë, si dhe eksport të tyrin përsëritës nga vendet-partnere.

Paris - Ueb-faqja e Kuvendit Kombëtar francez prej sot në mëngjes është sulmuar si rezultat i një sulmi kibernetik për të cilin përgjegjësinë e mori grupi prorus "NoNejm" (NoName). Sipas ekspertëve të grupit "Tales" hakerët sulmuan ueb-faqen e Dhomës së Poshtme të Parlamentit francez për shkak të mbështetjes së Francës për Ukrainën.  Hakerët në Telegram njoftuan se aksioni i tyre është masë hakmarrëse për shkak të mbështetjes së Francës për Ukrainën, deklaroi drejtori teknik për mbrojtje kibernetike në Tales, Ivan Fontarenski.

Pekin - Kina sot bëri thirrje për “përpjekje diplomatike” për zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë, pasi Rusia i publikoi planet për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi. “Në situatën aktuale, palët përkatëse duhet të përqendrohen në përpjekjet diplomatike për të zgjidhur në mënyrë paqësore krizën ukrainase dhe së bashku të përpiqen për t'i dhënë fund tensioneve”, tha Mao Ning, një zëdhënës i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu sot ju bëri thirrje protestuesve dhe antiprotestuesve që të përmbahen nga dhuna. Netanjahu e bëri thirrjen përmes Tuiterit derisa u rritën tensionet në Izrael për shkak të planit të qeverisë së tij për reformat në gjyqësor.

Tripoli- Misioni i Kombeve të Bashkuara për mbledhjen e fakteve për Libinë sot publikoi se ka bazë për të besuar se janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe kundër emigrantëve, duke shtuar se provat do t'i dorëzojë para Gjykatës ndërkombëtare penale (GJNP). Misioni i cili ka për detyrë të hetojë abuzimet në Libi që nga viti 2016, me raportin e tij përfundimtar drejtuar Këshillit të të drejtave të njeriut në Gjenevë theksoi se shkeljet janë kryer si nga forcat e sigurisë shtetërore ashtu edhe nga grupet e armatosura.

Munih- Trajneri i ri i Bajernit, Tomas Tuhel mund të thërras disa lojtarë nga Çelzi në klubin gjerman.  Sipas “TEAMtalk”, eksperti gjerman i futbollit dëshiron ta rifreskojë përbërjen e skuadrës së Bundesligës. Ai planifikon të sjellë disa lojtarë të Çelzit: portierin Eduard Mendi, Kristian Pulishiq, Kai Haverc dhe Mejson Maunt. Tuhel së fundmi ka nënshkruar kontratë me Bajernin deri mesin e vitit 2025. Angazhimi i tij i fundit ishte te Çelzi. 

QËNDRONI TË LIDHUR