• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 19 gusht/ 2024

Shkup - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi është takuar sot me ambasadorin turk, Fatih Ulusoj,  me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e tij në periudhën e ardhshme. Siç informuan nga Ministria e Ekonomisë, Durmishi e ka falënderuar Republikën e Turqisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë që nga pavarësia, e deri më sot.

Shkup - Gjykata Themelore Penale - Shkup përmes një komunikate ka paraqitur pesë fakte lidhur me procedurën e ekstradimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, ku përgjegjësinë për arratisjen e tij nga arresti shtëpiak ia drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar se mbikëqyrja e arrestit shtëpiak, konform vendimit, i është besuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht stacionit policor kompetent.

Shkup - Pasi Gjykata Themelore Penale - Shkup, sot, përmes një njoftimi ia ka drejtuar përgjegjësinë MPB-së për arratisjen nga arresti shtëpiak të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se Gjykata Penale ka vendosur që mbikëqyrjen e arrestit shtëpiak ta kryejë MPB-ja, por nuk e ka përcaktuar mënyrën e kryerjes së mbikëqyrjes, për të cilën Toshkovski thotë se është obligim ligjor i Gjykatës.

Shkup - Fari Hiseni, zëdhënësi i Koalicionit VLEN, për informatat se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi pardje me automjet zyrtar është parë në vendkalimin kufitar drejt Kosovës në kolonë të karvanit darsmor, theksoi se vizita e spikerit ka qenë sipas rregullave dhe standardeve ligjore.

Shkup - Thirrjet e BDI-së për veting janë vetëm manipulim për të krijuar iluzion të transparencës, theksoi në konferencën e sotme për shtyp zëdhënësi i Koalicionit "Vlen", Fari Hiseni. "Kur BDI-ja flet për paraqitjen e krimeve në prokurori, ajo gjithmonë llogarit në njerëzit e saj të instaluar në sistem. BDI dhe satelitët e saj, si parti me njerëz të përfshirë në listat e zeza amerikane, duhet të reformohen në mënyrë që sistemi të lirohet nga klanet kriminele dhe qytetarët të gëzojnë drejtësinë e merituar", tha ai.

Shkup - Nga sonte në mesnatë derivatet dizel do të rriten për gjysmë denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës mbetet i njejtë, ka vendosur sot Komisioni rregullator i energjetikës, i shërbimeve të ujit dhe i shërbimeve të menaxhimit me mbeturinat komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE). Me vendimin kryhet rritje e çmimeve me pakicë të produkteve të naftës mesatarisht për 0.50 për qind. Çmimi i ri me pakicë i EURODIZEL BS (D-E V) do të jetë 71,5, ndërsa Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) do të jetë 71 denarë për litër, EUROSUPER BS - 95 do të vazhdojë të shitet për 79,5, ndërsa EUROSUPER BS - 98 për 81,5 denarë për litër.

Kumanovë - Gjatë fundjavës së kaluar në vendkalimin kufitar Tabanoc në shtet kanë hyrë dhe dalë mbi 102.000 udhëtarë, kumtuan sot nga MPB. Gjatë periudhës së verës është rritur frekuentimi i vendkalimit edhe ashtu më të frekuentuar në shtet.

Prishtinë - Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot bisedoi me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash për hapjen e urës së Ibrit, me ç'rast vlerësoi se së bashku me aleatët arrihet "sukses afatgjatë dhe i qëndrueshëm", si dhe hapja e urës është "në interes të të gjithë qytetarëve".

Beograd - Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa një person është lënduar rëndë pasi që një tren është përplasur në vendkalimin kufitar në fshatin Petka afër Llazarevacit rreth orës 12:45, njfoftuan mediat serbe. Treni ka qarkulluar në relacionin Prijepole - Beograd.

Kiev - Autoritetet ukrainase sot dhanë urdhër për evakuim të detyrueshëm të familjeve me fëmijë nga qyteti Pokrivsk, ku akoma jetojnë 53.000 njerëz. Banorët e qytetit Pokrovsk kanë një apo dy javë të evakuohen sepse forcat ruse i afrohen qytetit në rajonin e Donjeckut, deklaroi sot shefi i administratës, Serhi Dobriak për Radion Evropa e Lirë.

Bruksel - Përgjegjësinë kryesore për vdekjen e liderit opozitar kryesor rus Aleksej Navalni e mbajnë presidenti rus Vlladimir Putin dhe autoritetet të cilët e arrestuan, deklaroi sot komisari i lartë për siguri dhe politikë të jashtme të BE-së, Zhozep Borell.

Kursk - Më shumë se 121 civilë janë evakuuar nga nëntë zona kufitare në rajonin Kursk deri më tani, ndërsa më shumë se 650 i kanë braktisur zonat me rrezik të lartë në 24 orët e kaluara, njoftoi zëvendës-zëdhënësi i Ministrisë ruse për Gjendje të Jashtëzakonshme, Artem Sharov, në brifingun me gazetarë.

Moskë - Kremlini sot e hodhi poshtë mundësinë për negociata të paqes me Ukrainën për shkak të ofensivës së papritur të Kievit në territorin rus, për të cilën presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski tha se i plotëson qëllimet e saj. Ukraina dërgoi ushtarë përmes kufirit më 6 gusht dhe prej atëherë mban një pjesë të rajonit perëndimor Kursk, që është sulmi më i madh i territorit rus nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit 2022.

Londër - Sipërmarrësi britanik i teknologjisë Majk Linç është zhdukur pasi një jaht luksoz u godit nga një stuhi e fortë dje dhe u fundos në kryeqytetin sicilian Palermo, tha një person i njohur me operacionin e shpëtimit. Linç, 59 vjeç, u lirua nga një juri e San Franciskos në qershor nga akuzat për mashtrim në lidhje me shitjen e kompanisë së tij softuerike, Autonomy, të Hewlett-Packard për 11 miliardë dollarë në vitin 2011.

Neapol - Në Neapol javën e kaluar është arrestuar një falsifikues i dyshuar për shtypjen e 11 milionë eurove në kartëmonedha false, kumtoi sot Europol. Europol raportoi se i arrestuari, të cilin nuk e përmend, tashmë ka shitur tetë milionë euro kartëmonedha të falsifikuara në mbarë Evropën dhe shtoi se  policia nga ai ka konfiskuar  pothuajse tre milionë euro kartëmonedha.

Uashington - Republikanët në Dhomën përfaqësuese të Kongresit amerikan sot publikuan raport në të cilin pohojnë se presidenti amerikan, Xhozef Bajden ka kryer kundërvajtje për impiçment, përkatësisht se ka tregtuar me ndikim për pasurim personal dhe të familjes së tij.

QËNDRONI TË LIDHUR