• e enjte, 26 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/ 3 shtator/ 2023

Shkup - Prej sot për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe Armatën e Maqedonisë së Veriut do të qëndrojë kryesuesi i Komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer. Vizitën zyrtare, admirali Bauer do ta fillojë nesër në Shtatëmadhorinë e Armatës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ku do të realizojë takime me shefin e Shtatëmadhorisë, gjeneral-nënkolonelin, Vasko Gjurçinovski dhe ministren e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, pas çka do të vijon edhe konferencë për media. Gjatë vizitës në Shtatëmadhorinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kryesuesi i trupit më të lartë këshilldhënës ushtarak të NATO-s, do të informohet me planet dhe zhvillimin e aftësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, procesin e transformimit dhe pajisimit, si dhe pjesëmarrjen e Armatës në operacionet dhe aktivitetet stërvitëse. Gjatë ditës, admirali Bauer do të realizojë takim edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Shkup - Dallimi nga dhoma për pritje e BE-së - e deri brenda në BE është 21,8 herë më shumë fonde, të cilat do të bëhen të qasshme për vendin pas hyrjes në BE. Sipas llogaritjeve, anëtarësimi në Union do të sjell 2.868 euro për kokë banori në vend, respektivisht 5,2 miliardë euro shtesë për pesë vite, që është nivel i njëjtë me buxhetin e vendit tonë për vitin 2023. Këto janë mjete, me të cilat do të mund të kemi infrasrukturë më të mirë, kushte më të mira për jetë, më shumë mjete për punë të ndërmarrjeve tona dhe standard më të mirë jetësor për qytetarët tanë, shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi në kolumnën më të re të tij.

Shkup - Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe drejtori i Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI), Jovan Despotovski sot shkojnë për vizitë në Frankfurt, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për investim të kompanisë gjermane për sisteme të avancuara të baterive BMZ në Maqedoninë e Veriut.  Marrëveshja do të nënshkruhet nesër në selinë e kompanisë nga drejtori ekzekutiv dhe themelues i BMZ, Sven Bauer dhe nga drejtori i Drejtorisë së ZZHTI Despotovski, në praninë e zëvendëskryeministrit Bytyqi she Jelica Ivanovska, menaxhere e përgjithshme e BMZ Maqedoni.

Shkup- Me nënshkruarjen e Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, me kryetarin e Komunës së Mogillës, Draganço Sabotkovski, banorët e kësaj komune do ta kenë më të lehtë qasjen në drejtësi dhe nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë në Manastir për të marrë informacione për shërbimet dhe këshillat ligjore që mund të merren nga punonjësit e departamentit rajonal të Ministrisë së Drejtësisë.

Shkup - Kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se deputetët do ta mbështesin procesin e integrimeve evropiane në shtet dhe se nuk do të mungojnë deputetë për votimin e ndryshimeve kushtetuese.  Kovaçevski sot përsëriti se shumica prej dy të tretave është e nevojshme për vazhdimin e mëtutjeshëm të procesit të integrimeve evropiane në vend. 

Shkup - Do të sanksionohen të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin, por nuk guxon të sulmohen të gjithë punonjësit shëndetësorë në Klinikën për onkologji, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski. "Bëhet fjalë për informata, të cilat janë të tmerrshme dhe që nuk guxojnë të ndodhin, e për të cilat kemi dëgjuar gjatë 20 viteve të kaluara. Kjo është hera e parë të zbatohet një aksion i tillë i madh për identifikimin e autorëve eventualë të veprave të tilla. Bëj thirrje që të mos bëhet senzacionalizëm dhe sulm ndaj të gjithë mjekëve dhe infermiereve në shtet, pasi numri më i madh i personelit mjekësor, që punon në shtetin tonë, janë njerëz të shkëlqyer, kuadro që kujdesen për shëndetin e popullatës sonë", nënvizoi kryeministri, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Klubin e deputetëve, ku u shënua fillimi i programit të ri IPARD 3.

Kavadar - Një aksident i rëndë komunikacioni ka ndodhur gjatë natës së kaluar në rrugën Drenovë - Kavadar, informoi sot në mëngjes në faqen e tij në Fejsbuk, kryetari i Kavadarit, Mitko Jançev. Sipas statusit në rrjetin social, një automobil në të cilin ndodheshin një baba me të birin, kishte dalë 22 metra nga rruga. Rastin e kishte denoncuar fëmija i cili ka vetëm tetë vjet dhe i cili edhe krahas lëndimeve, ka arritur të lajmërohet në 112 dhe të kërkojë ndihmë për veten dhe babain e tij. 

Shkup - Në territorin e qytetit të Shkupit gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar gjithsej 138 kundërvajtje, prej të cilave 37 kundërvajtje për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë shqiptuar 15 sanksione për ngasjen e automjetit pa patentë shoferë dhe 19 gjoba për ngasjen e automjetit nën ndikimin e alkoolit. 

Shkup - Nën ndikimin e valës së lagësht në orët e natës dhe nesër moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i freskët me reshje të përkohshme të shiut, të cilat në disa vende do të jenë të rrëmbyeshme dhe përkohësisht të shoqëruara me bubullima.  Do të fryjë erë e fuqishme veriore (mbi 60 kilometra në orë) e cila do të kushtëzojë uljen e dukshme të temperaturës ditore për pesë deri tetë gradë.  Të martën do të mbizotërojë mot i ndryshuehshëm me vranësira me kushte për shi të dobët lokal dhe do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verilindor. Në ditët pastaj era do të dobësohet dhe do të jetë e qëndrueshme, po më freskët.

Prishtinë - Me rëndësi është që sa më shpejtë të organizohen zgjedhje lokale në veri të Kosovës, ku serbët do të marrin pjesë pa kurrfarë parakushte, deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.   Ai, për gazetën prishtinase Koha, e ka përsëritur qëndrimin se zgjedhjet lokale në prill nuk ofruan zgjidhje politike afatgjate. “Sa u përket zgjedhjeve, edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetarë të komunave të mbajtura në prill 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët, ato nuk kanë ofruar një zgjidhje politike afatgjate. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”, ka thënë Stano.

Athinë - Sipërfaqja e përgjithshme e djegur nga zjarri pyjor në rajonin Evros në pjesën verilindore të Greqisë tejkalon 93.500 hektarë, sipas të dhënave satelitore nga Shërbimi për shtritje të shpejtë Kopernik i Komisionit Evropian të përgatitura nga Observatoriumi Kombëtar në Athinë dhe portali Meteto, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Të dhënat e analizuara të cilat sot paradite i publikoi Meteo janë deri dje paradite, ndërsa nga 93.500 hektarët e djegura, gati gjysma, gjegjësisht 47 për qind (44.018 hektarë) kanë të bëjnë me sipërfaqe pyjore. 

Bruksel - Komisioni Evropian dhe Turqia lidhën marrëveshje me të cilën administratës publike turke, kompanive dhe organizatave të tjera do tu mundësohet pjesëmarrje në projekte të Programit "Evropa Digjitale", buxheti i përgjithshëm i të cilit për periudhën 2021 – 2027 është 7,5 miliardë euro. Siç bëri të ditur Eurokomisioni, subjektet nga Turqia do të mund të marrin pjesë në projekte për vendosjen e teknologjive digjitale përgjatë BE-së në sfera të caktuara, siç janë inteligjenca artificiale dhe aftësitë e avancuara digjitale, si dhe të themelojnë qendra për inovacione digjitale në vendin e tij.

Moskë - Rusia për pak kohë e mbylli Urën e Krimesë, e cila e lidhte gadishullin Krime, të aneksuar nga forcat ruse në vitin 2014, me Rusinë kontinentale, njoftuan mediat britanike. I gjithë qarkullimi në urën strategjike është ndërprerë. Këtë e njoftoi administrata lokale në urë e vendosur nga Kremlini në Telegram, por nuk bëhen të ditura hollësi për shkakun e ndërprerjes së komunikacionit. 

Kiev - Sot në mëngjes Rusia ka kryer sulm tre orë e gjysmë me fluturake pa pilot mbi pjesët jugore të Odesës, duke goditur infrastrukturën bregdetare në lumin Danub, njoftuan forcat ajrore ukrainase në platformën komunikuese Telegram. Sistemet ukrainase për mbrojtje kundërajrore, siç bënë të ditur në Telegram, rrëzuan 22 nga 25 drone "Shahed" nga prodhimtaria iraniane të cilat Rusia i përdorte për sulm në Odesa sot në orët e hershme të mëngjesit. 

Shën Petersbug - Një zjarr i madh shpërtheu sot në verilindje të Shën Petersburgut, në një hangar me sipërfaqe prej 800 metra katrorë.  Zjarri ka shpërthyer në një hangar në Shën Petersburg, njoftoi shërbimi për informim i Ministrisë rajonale për situata të jashtëzakonshme, transmeton RIA Novosti. Siç bënë të ditur nga Ministria, në shuarjen e zjarrit marrin pjesë 60 zjarrfikës me 12 automjete. Sipas informacioneve të para, nuk ka raportime për të lënduar ose viktima. Dëshmitarët e rastit thonë se kanë dëgjuar shpërthime para se të shpërthente zjarri. 

Kiev - Një nga faktorët kyç për përfundimin e luftës dhe për ruajtjen e rendit botëror është shkatërrimi i kompleksit ushtarak - industrial, shkroi në Telegram, Andrij Jerman, shef i zyrës së presidentit ukrainas, Volodomir Zelenski.  "Terroristët rus vazhdojnë ta sulmojnë infrastrukturën bregdetare me shpresën se do të arrijnë të shkaktojnë krizë me ushqim dhe uri në mbarë botën. Detyra kryesore për ne dhe partnerët tanë sot është që t'i elimonojmë mundësitë e kompleksit ushtarak - industrial rus që të prodhojë armë për sulme të mëtutjeshme kundër Ukrainës. Gjithashtu përgjegjësi më të ashpër për ata që e ndihmojnë armikun që t'i anashkalojë sanksionet", shkroi Jermak. 

Moskë- Armata ruse njoftoi se mbrëmë ka kryer sulm me dron ndaj portit ukrainas Reni, të locuar në lumin Danub në pjesën jugore të Ukrainës, në kufirin me Rumaninë, transmetuan mediat franceze.  "Mbrëmë, forcat ajrore kryen sulm grupor me fluturake pa pilot ndaj depove me karburant që përdoret për mbushjen e karburantit të pajisjes ushtarake të armatës ukrainase në portin Reni, rajoni Odesa", njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, duke shtuar se qëllimi i sulmit ishte "arritur" dhe të gjitha caqet janë goditur. 

Tajpei  - Gati tre mijë njerëz janë evakuuar, ndërsa të gjitha fluturimet në vend janë anuluar derisa Tajvani sot po bëhet gati për mbërritjen e tajfunit Haikui, i cili do të sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme në pjesët jugore dhe lindore të ishullit.  Parashikohet se Haikui do të mbërrijë afër tajvanit malor dhe të banuar rrallë sot vonë pasdite. Në të gjitha qytetet e pjesës së përmendur të ishullit, mësimi është anuluar, ndërsa punëtorët morën ditë të lira.  Qytetarëve u rekomandohet të shmangin daljet, veçanërisht udhëtimet në mal ose në breg, qëndron në kumtesën e Kabinetit të presidentit të Tajvanit. 

Uashington - Është ngritur hetim për vdekjen e një personi gjatë të reshurave të mëdha në festivalin "Burning Man", i cili mbahet në shtetin federal amerikan, Nevada. Rrethanat për vdekjen ende janë të panjohura. Rreth 70 mijë njerëz janë ngujuar në vendin e festivalit, pasi të reshurat e kanë shndërruar rërën në shkretëtirë në baltë të thellë, të rrëshqitshme. Rrugët hyrëse dhe dalëse janë mbyllur pasi automjetet mezi qarkullojnë nëpër to.

Riad - Portugezi Kristiano Ronaldo shënoi gol dhe bëri dy asistime në fitoren e mbrëmshme të Al Nasër ndaj Al Hazemas me rezultatin 5:1 në Ligën e parë saudite. Ai me këtë gol u bë futbollisti i parë në histori, i cili ka shënuar 850 gola në ndeshje zyrtare në karrierë. "Gjithsej 850 gola në karrierë dhe shkojmë më tej!", ka shkruar 38 vjeçari në rrjetet sociale. Ronaldo këtë sezon në kampionatin saudit është golashënuesi i parë në këtë moment me gjashtë gola, një më tepër se ish sulmuesi i Liverpulit, Sadio Mane

QËNDRONI TË LIDHUR