• e martë, 24 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 16 nëntor/ 2024

Shkup  – Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot duhet të vazhdojë dita e tretë e debatit për Propozim-buxhetin për vitin 2025.  Debati në Komision për Propozim-buxhetin zgjat 10 ditë dhe duhet të përfundojë më së voni deri më 30 nëntor pas çka vazhdon në seancë plenare. Për Propozim-buxhetin për vitin 2025 janë parashtruar gjithsej 308 amendamente prej të cilëve 204 nga LSDM-ja opozitare. Sipas ligjit, Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor Me Propozim-buxhetin për vitin 2025, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar, ndërsa parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind. 

Shkup - Hapësira e internetit është e përmbytur me përmbajtje që nuk janë të vërteta, nga përfaqësimi i rremë i këshilltarëve financiarë të cilët më së shpeshti ofrojnë shërbime të tregtimit të kriptovalutave, profile që prezantohen rrejshëm në emër të një institucioni që kërkojnë të dhëna personale ose numra të kartelave kreditore nga qytetarët, deri te reklamat e rreme për preparatet mjekësore, çajrat, etj., Të cilat "brenda natës" shërojnë gjithçka. Në shënjestër të këtyre të ashtuquajtura reklama me përmbajtje të rreme janë mjekët tanë të shquar, identiteti i të cilëve është abuzuar për shitjen e preparateve “çudibërëse” që “shërojnë” gjendje të ndryshme. Përveç mjekëve, në shënjestër të këtyre “shitësve” virtualë janë edhe këngëtarë, aktorë... Disa nga këto raste që u denoncuan kishin zgjidhje të caktuar, por ky fenomen më së shpeshti nuk mund të ndalet, meqë me përdorimin e inteligjencës artificiale krijohet një zë i ngjashëm me personin që flet për “çudibërjen” e këtyre preparateve, bëhet reklamim i rremë përmes të cilit kërkohen blerësit potencial.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka uruar Shqipërinë për hapat e suksesshme drejt anëtarësimit në BE, ndërsa ka akuzuar qeverinë e kaluar për keqqeverisje duke e humbur kësisoj hapin me Shqipërinë. “E para na vjen mirë që ka lëviz Shqipëria, e dyta uroj që së shpejti edhe Maqedonia e Veriut t'i bashkëngjitet në këtë rrugë. Ngecja e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim është si rezultat i keqqeverisjes në tetë vitet e kaluara të atyre që sot janë pjesë e opozitës”, deklaroi Mexhiti në intervistën për RTK-në, kumtojnë nga partia e tij si pjesë e koalicionit VLEN.

Shkup – Nuk e di a është e mundur të bëhet ndonjë përparim, në integrimet evropiane deri në fund të vitit, por e di se do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që të përpiqemi çështjen tonë ta paraqesim ashtu siç është, para të gjitha autoriteteve botërore. Ndryshime kushtetuese sigurisht nuk planifikojmë, thotë kryeministri Hristian Mickoski. Ai paralajmëroi se në dhjetor dy herë do të qëndrojë në Bruksel, ku do të mundet përsëri të bisedojë për çështjen tonë lidhur me zhbllokimin e integrimeve evropiane. 

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se pret që deri në fund të muajit të ketë dy investime të reja. Njëri, siç shprehet ai, do të jetë zgjerimi i impiantit tashmë ekzistues dhe tjetri do të jetë investim krejtësisht i ri. Të dyja investimet kapin vlerën deri në 50 milionë euro dhe do të krijojnë deri në 500 vende të reja pune. "Jemi duke negociuar dhe pres që deri në fund të këtij muaji të kemi dy investime. Njëri do të jetë zgjerimi i impiantit tashmë ekzistues dhe tjetri do të jetë investim krejtësisht i ri që do të sigurojnë deri në 500 vende të reja pune. Pres që këtë muaj t’i përfundojmë, ndërsa tashmë në dhjetor do të kemi së paku edhe dy, por edhe fillimin e një investimi të ri, përkatësisht vendosjen e gurthemelit", deklaroi Mickoski sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë vendosjes së gurthemelit për rinovimin e SHFK "Aco Shopov" në Butel.

Shkup – Presidentja Gordana Siljanovska Davkova mori vendim për formimin e Këshillit të Rinisë, si trup i përkohshëm i punës i cili do t’i shqyrtojë dhe analizojë çështjet lidhur me të rinjtë, politikat rinore dhe nismat të cilat dalin nga nevojat e të rinjve me qëllim që të avancohet pozita e tyre në shoqëri, njoftoi kabineti i saj.  Këshilli i Rinisë, i cili formohet në prag të 17 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, përbëhet nga kryetari dhe 19 anëtarë, ndërsa në punën e tij mund të ftohen për pjesëmarrje edhe punëtorë shkencorë dhe profesionistë, përfaqësues të institucioneve arsimore shkencore, shoqata rinore dhe studentore, si dhe përfaqësues të organizatave të afaristëve nga vendi. 

Shkup – Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në kuadër të aktiviteteve në Kongresin e 10-të Botëror Turk të Mjekësisë, realizoi takim të rëndësishëm me ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, Kemal Memishogllu.  Siç bënë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, në takim ishte theksuar partneriteti i deritanishëm i suksesshëm dhe është konfirmuar angazhimi i përbashkët për intensifikim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit në sektorin shëndetësor, me fokus në zbatimin e projekteve të përbashkëta me interes të ndërsjellë.

Shkup - Janë paguar 70.417.380,00 denarë për 1.297 përfitues për prodhimin bimor dhe blegtoral nga Programi për Mbështetje Financiare në Bujqësi për vitin 2023, njoftoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.  Gjithashtu, janë paguar 7.194.500,00 denarë për 42 përfitues nga masa 214.3 e Programit për Zhvillim Rural për vitin 2023. "Vazhdohet me pagesën e mjeteve të papaguar për bujqit. Përkujdesja për bujqit vazhdon!", bëhet e ditur në kumtesën e MBPEU-së.

Shkup - Nesër, duke filluar nga ora 16:00, për shkak të mbajtjes së garës ndërkombëtare të atletikës natën “13 Nëntori”, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të trafikut, me ç’rast komunikacioni do të realizohet nëpër rrugët e afërta. Siç bëjnë të ditur nga SPB Shkup, gara do të zhvillohet në këtë itinerar: nga porta "Maqedonia", përmes sheshit "Maqedonia", përgjatë rrugës "Nikolla Vapcarov", në të djathtë përgjatë rrugës "Dimitrie Çupovski", deri në kryqëzimin me rrugën "Dame Gruev", gjysmërreth prapa përgjatë së njëjtës rrugë, në vazhdim përgjatë rrugës "11 Tetori" deri në kryqëzimin me bulevardin "Koço Racin", në një gjysmërreth prapa përgjatë së njëjtës rrugë, djathtas përgjatë rrugës "Filipi II i Maqedonisë”, majtas përgjatë rrugës hyrëse të QTQ dhe djathtas në fund te porta “Maqedonia” në Shkup.

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Kosova mundet njëanshëm ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit me Serbinë dhe Aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitojë njohje të reja të pavarësisë dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, informon korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.  Në një deklaratë për agjencinë KosovaPres, Osmani thotë se, për momentin nuk ka përgjigje konkrete nga bashkësia ndërkombëtare për një gjë të tillë. Megjithatë, thotë ajo, Serbia nuk mund të sillet sikur nuk ka detyrime dhe se nuk mund të kërkohet zbatim vetëm nga Kosova. 

Zagreb - Gjykatësi hetues i Gjykatës së Qarkut në Zagreb dënoi me një muaj paraburgim ish ministrin kroat të Shëndetësisë Vili Berosh dhe biznesmenin Sasha Pozder të cilët Departamenti për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (USKOK) i dyshon për korrupsion gjatë furnizimit të pajisjeve spitalore. Hetimi ka përfshirë edhe shefin e klinikës neurologjike “KBC” në Zagreb dhe anëtar të menaxhmentit të poliklinikës në Zagreb, Kreshimir Rotim i cili do të mbrohet në liri me kaucion. Sipas mediave, ai ka pranuar pjesëmarrjen e tij në dakordimin rreth punës, ndaj edhe prokuroria nuk ka kërkuar arrestimin e tij.

Kiev – Ukraina duhet të bëjë gjithçka që është e mundur që ta përfundojë luftën me Rusinë vitin e ardhshëm në mënyrë diplomatike, deklaroi presidenti Volodomir Zelenski, transmeton BTA.  Në një intervistë në radio të emetuar sot, shefi i shtetit ukrainas përsëri deklaroi se, sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin nuk është i interesuar për bisedime për marrëveshje paqësore.  Situata në frontin në lindje të Ukrainës është e vështirë dhe Rusia po përparon, e pranoi Zelenski.  Dje ai deklaroi se nën presidentin e ardhshëm amerikan Donald Tramp “lufta do të përfundojë më shpejtë”. 

Kiev  - Ministri japonez i punëve të jashtme, Takeshi Ivaja ka mbërritur sot në një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë. Qëllimi i vizitës është të demonstrojë përkushtimin e Tokios ndaj Kievit në luftën kundër agresionit ushtarak rus, në të cilin tashmë janë përfshirë trupat e Koresë së Veriut, njoftoi Ministria japoneze e Punëve të Jashtme. Kjo është vizita e parë në Ukrainë e një ministri nga qeveria e kryeministrit të ri japonez Shigeru Ishiba i cili e mori funksionin në fillim të muajit të kaluar, transmeton Ukrinform.

Bruksel - Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së sot arritën marrëveshje për buxhetin e Bashkimit Evropian për vitin 2025 i cili sipas propozuesit, Komisionit Evropian, fokusohet në prioritetet kryesore politike të bllokut dhe kontekstin aktual gjeopolitik. Siç bëri të ditur sot Këshilli i BE-së me marrëveshjen e arritur detyrimet totale në Buxhetin e BE-së për vitin 2025 janë përcaktuar në mbi 199,44 miliardë euro, ndërsa pagesat totale të planifikuara rreth 155,2 miliardë euro. Sipas rregullave të BE-së, "detyrimet" janë premtime të detyrueshme për të shpenzuar para për aktivitetet e kryera financiare gjatë disa viteve, ndërsa "disbursimet" mbulojnë shpenzimet që dalin nga obligimet në buxhetin e BE-së në vitin që vijon ose në atë të mëparshëm financiar.

Limë – Presidenti amerikan në largim Xho Bajden në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEK) në Limë, paralajmëroi se po vijon një epokë e ndryshimeve të mëdha politike në botë.  “Po vijmë në një moment të ndryshimeve të rëndësishme politike”, tha Bajdeni gjatë takimit me liderët e Japonisë dhe të Koresë së Jugut, duke shtuar se, megjithatë, aleanca e tyre trepalëshe është ndërtuar që të zgjasë.  Në margjinat e samitit të APEK në Limë, Bajdeni për herë të parë u takua me presidentin koreanojugor Jun Suk – Jol dhe me kryeministrin japonez Shigeru Ishiba, i cili e mori funksionin në tetor. 

Delhi – Të paktën 10 foshnja humbën jetën, ndërsa 16 luftojnë për jetë në zjarrin që e kishte kapluar repartin e neonatologjisë në një spital në qytetin Xhansi në shtetin verior indian Utar Pradesh, njoftoi agjencia e lajmeve PTI, duke iu referuar autoriteteve lokale.  Shkak i mundshëm për zjarrin është lidhja e shkurtë. Zjarri ishte përhapur shpejtë në repart, në të cilin kishte 55 foshnja.  Kur zjarrfikësit mbërritën, reparti ishte përfshirë nga flakët dhe tymi. Ekipet e shpëtimit duhej të thyenin dritaret për të arritur tek foshnjat. Dëshmitarët thanë se operacioni i shpëtimit filloi rreth 30 minuta pasi shpërtheu zjarri, duke vonuar përpjekjet e evakuimit.

Dallas – Një aeroplan i kompanisë “Sautvest erllajns” i mbushur me udhëtarë ishte qëlluar me plumb nga pistoletë derisa lëvizte në pistën në aeroportin Lav Fild në Dallas, njoftuan sot autoritetet lokale.  Aeroplani bëhej gati të fluturonte për Indianapolis kur një plumb e qëlloi anën e djathtë të aeroplanit nën kabinën e pilotëve, deklaroi një zëdhënës i “Sautvest erllajns” për Si-Bi-Es. Kompania ajrore njoftoi se askush nuk është lënduar, ndërsa zëdhënësi i aeroportit Lav Fild në Dalas deklaroi se udhëtarët ishin zbritur, aeroplani ishte kthyer në depo, ndërsa pista ishte mbyllur për pak kohë. 

Uashington - Presidenti i sapozgjedhur Donald Tramp ka bërë të ditur se do ta emërojë Kerolin Levit për zëdhënëse të Shtëpisë së Bardhë. "Kerolin Levit ka bërë një punë fenomenale si sekretare për shtyp gjatë fushatës sime historike dhe kam kënaqësinë të njoftoj se ajo do të jetë sekretare për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Kerolin është e zgjuar, e fortë dhe dëshmoi se është jashtëzakonisht efikase në komunikim. Kam besim të plotë se ajo do të ketë paraqitje të mirë në podium dhe do t'i përcjellë mesazhet tona deri te populli amerikan dhe ne do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe", ka thënë Trampi.

Manila  – Autoritetet në Filipine urdhëruan evakuim të dhjetëra mijëra njerëzve për shkak të afrimit të super-tajfunit Man-ji në afërsi të bregut të shtetit ishull.  Janë anuluar dhjetëra fluturime, ndërsa autoritetet në rajonin verilindor Bikol ku janë evakuuar rreth 180.00 mijë njerëz, paralajmëruan për “situatë potenciale katastrofale të rrezikshme për jetë”.  Shërbimi meteorologjik njoftoi se super-tajfuni Man-ji, i njohur në Filipine si Pepito, merr fuqi, me goditje të erës prej 215 kilometra në orë dhe valë të mëdha baticash të larta deri në tre metra. 

Teheran - Teherani sot ka demantuar se ambasadori iranian në KB, Amir Said Iravani është takuar në Nju Jork me bashkëpunëtorin e ngushtë të Donald Trampit dhe pronarin e "Teslës" dhe "SpaceX", Ilon Mask. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raporton se zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmail Bagai ka mohuar se ambasadori Iravani është takuar me Maskun dhe shprehu habinë për mbulimin e gjerë të çështjes nga mediat amerikane. 

Kajro – Të paktën dy infermierë u vranë sot në sulmet izraelite në jug të Libanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së vendit.  Sulmet ndodhën në qytetet jugore Burxh Rahal dhe Kafr Tibnit përderisa infermierët ishin në misione shpëtimi, shtoi Ministria.  Një sulm goditi një ekip të personave mjekësorë në Kafr Tibnit, me çka ishin plagosur edhe të tjerë. Në incidentin e njëjtë janë zhdukur edhe dy infermierë. Ministria i dënoi, siç tha, sulmet “e egra” ndaj infermierëve të cilët kryejnë punë shpëtimi. 

Bukuresht - Ndeshja e segmentit C të Ligës së kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës mbrëmë është ndërpre. Kjo ka ardhur për shkak se kombëtarja e Kosovës është larguar nga fusha pas provokimeve raciste të tifozëve rumunë. Pas një pauze të gjatë, arbitri ka ndërprerë ndeshjen. Pas një përplasjeje në fushë të kapitenit Amir Rrahmani me futbollistin rumun Denis Alibec u përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna kishte thirrje raciste dhe ksenofobike “Serbi, Serbi” si edhe hedhje të gjësendeve në fushën e lojës.  Pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u kërkoi lojtarëve që të largohen nga fusha. Ndeshja u ndërpre me rezultatin 0:0. Kombëtarja rumune pa këtë ndeshje është në vendin e parë në grupin 2 me 12 pikë, ndërsa Kosova është në vendin e dytë me 9 pikë.

Prishtinë - Federata e Futbollit të Kosovës ka dënuar sjelljet raciste që kanë ndodhur gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht në kuadër të Ligës së kombeve. Ndeshja u ndërpre në minutat shtesë, pas thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë. FFK-ja në reagimin e sotëm ka thënë se veprimet e tifozëve rumunë krijuan atmosferë të pasigurt për lojtarët e Kosovës. “Thirrjet si ‘Kosovo is Serbia’ dhe ‘Serbia, Serbia’, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në reagim. FFK-ja ka thënë se e ka paralajmëruar dy herë UEFA-n për mundësinë e këtyre veprimeve, ndërsa situata u përshkallëzua kur tifozët refuzuan të ndalin thirrjet raciste.

Arlington - Ish kampioni i botës në boks në peshat e rënda, Majk Tajson ndau emocionet e tij pas humbjes në përballjen me blogerin Xhejk Pol mbrëmë në Arlington (Teksas, SHBA). Lufta kishte një status zyrtar dhe zgjati tetë raunde. Njëzet e shtatë vjeçari Pol fitoi me vendim unanim (80:72, 79:73, 79:73). "Nuk jam i habitur nga kjo që ka ndodhur, thjesht jam i kënaqur që arrita të luftoj. Pol është një luftëtar i mirë. A është ky fundi i karrierës? Kjo varet nga situata. Mendoj se kjo nuk është lufta ime e fundit", ka thënë Tajsoni pas duelit.

QËNDRONI TË LIDHUR