• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 27 tetor/ 2024

Shkup – Njeriu i gjallë që punon, di edhe të gabojë. Kur të konstatohet gabimi, nëse merret përgjegjësia, atëherë kjo është e virtytshme, është komenti i kryeministrit Hristian Mickoski për dorëheqjen kolektive të cilën dje e dhanë anëtarët e Komisionit për falje pas reagimeve në publik për faljen e fundit me rastin e festës 23 Tetori.  “Gabimi u konstatua qartë dhe e vetmja gjë që kishin si akt moral ishte që të tërhiqeshin dhe këtë e bënë, andaj pres që ajo temë të mbyllet publikisht”, deklaroi Mickoski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media në Qeveri pas nënshkrimit të këstit të parë prej 250 milionë eurosh për investime kapitale në komuna.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se vendimi i kryetarit të komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov që ta braktis BNJVL-në është i gabuar dhe se ky është vendim i tij personal, e jo i komunës. "Nuk besoj se Strumica ka marrë vendim për braktisjen e BNJVL-së, atë e ka marrë kryetari i komunës së Strumicës. Sipas meje, ky është vendim i gabuar, por vendim është i tij, edhe pse mendoj se është marrë në një gjendje specifike dhe mendoj se nevojitet në fillim të konsultohet me Këshillin dhe nëse edhe Këshilli ashtu pa përgjegjësi sillet ndaj banotrëve të Strumicës, atëherë le ta kenë me fat", tha Mickoski pas konferencës për shtyp në Qeveri.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, dje mori pjesë në Marshin simbolik organizuar me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Siç bëhet e ditur në kumtesën e Lëvizjes Demokratike, ai tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme, një thirrje për ndërgjegjësim dhe shpresë, një mesazh solidariteti që na bën për të qëndruar pranë atyre që luftojnë me kurajë.

Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski thotë se drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski i plotëson kushtet sipas ligjit. I bëri thirrje Komisionit Antikorrupsion që sa më shpejtë të deklarohet për këtë rast pas akuzave nga opozita se Hristovski nuk i plotëson kushtet që të jetë drejtor i ASK-së.  “Them se të gjitha kushtet sipas ligjit janë plotësuar. Organi i vetëm i cili duhet të konstatojë nëse ato kushte janë plotësuar është Komisioni Antikorrupsion të cilit i bëj thirrje që ta hetojë shpejtë këtë rast. Jam i bindur se ai i plotëson kushtet. Vallë do të lejonim që të ndodhë një gjë e tillë. Dokumenti është dhënë nga viti 2022, se a ka ekzistuar në ndërkohë ose nuk ka ekzistuar ajo Agjenci, kjo është çështje krejt e ndryshme”, tha Mickoski pas akuzave të sotme nga LSDM opozitare se është falsifikuar certifikata e gjuhës angleze e Hristovskit. 

Shkup - Në Qeveri sot janë nënshkruar marrëveshje me komunat për realizimin e 274 projekteve për investime kapitale me vlerë prej 4,1 miliardë denarë. Marrëveshjet kanë të bëjnë me realizimin e projekteve në pjesën e arsimit, transportit, politikës sociale, kulturës dhe turizmit, mjedisit të jetesës dhe sportit. "Në pajtim me thirrjen e parë që e ka shpallur Ministria e Vetadministrimit Lokal, sot kemi lidhur marrëveshje për 274 projekte me vlerë të përgjithshme prej rreth 4,1 miliardë denarë. Sot nënshkruhen marrëveshje që bazohen në gjashtë vendime qeveritare, të ndara në gjashtë resore kyçe, ku këto para do të investohen në ndërtimin e projekteve", sqaroi kryeministri Hristijan Mickoski në konferecë për shtyp, të mbajtur menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Pothuaj 133 milionë denarë ndahen për rikonstruime, ndërtimin dhe modernizimin e shkollave dhe sallave sportive, ndërsa janë përfshirë komunat e Gazi Babës, Manastirit, Likovës, Bogovinjës, Kërçovës e tjerë.

Sofje – Qytetarët e Bullgarisë sot zgjedhin 240 deputetë në Kuvendin e 51-të Popullor. Këto janë zgjedhjet e gjashta të parakohshme parlamentare pas atyre të rregullta më 4 prill 2021. Zgjedhjet e fundit të parakohshme u mbajtën më 9 qershor të këtij viti.  Dita zgjedhore filloi në orën 7, ndërsa përfundon në orën 20, dhe mund të vazhdojë deri në orën 21 nëse para vendvotimit ka votues të cilët nuk kanë votuar. Votimi jashtë vendit fillon në orën 7 dhe përfundon në orën 20, gjegjësisht 21 sipas kohës lokale.  Në zgjedhjet për Kuvendin Popullor marrin pjesë 19 parti, nëntë koalicione dhe një kandidat i pavarur. 

Vilnius – Në Lituani sot do të mbahet rrethi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve parlamentare, pasi në rrethin e parë më 13 tetor ishin zgjedhur 70 deputetë në listat e partive sipas sistemit proporcional prej gjithsej 141 deputetë në Parlament.  Rreth 2,4 milionë lituanezë kanë të drejtë në dy rrethe të zgjedhin 141 deputetë në Parlament për mandatin katërvjeçar.  Zgjedhen edhe 71 deputetët e tjerë në njësitë zgjedhore me një mandat të cilët do të arrijnë të fitojnë më shumë se 50 për qind të votave, gjegjësisht votuesit në dhjetëra njësi zgjedhore do të zgjedhin mes dy kandidatëve udhëheqës nga rrethi i parë. 

Moskë – Kremlini njoftoi sot se presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Moska zyrtare po shqyrton mundësi të ndryshme të reagimit nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO lejojnë Ukrainën që të shfrytëzojë armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë në territorin rus. “Ministria ruse e Mbrojtjes mendon për atë si të përgjigjet për sulmet e mundshme me rreze të gjatë veprimi në territorin rus dhe do të ofrojë një numër të madh të opsioneve të mundshme”, deklaroi Putini për televizionin shtetëror rus. 

Bruksel - Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borrel ka bërë thirrje për aksion global "për përfundimin e tragjedisë njerëzore që po ndodh në Rripin e Gazës". Ai e ka theksuar "nevojën urgjente që të respektohet e drejta humanitare ndërkombëtare në Rripin e Gazës", njofton Al Xhazira. "Nënshkruesit e Konventës së Gjenevës kanë përgjegjësi juridike që të sigurojnë respektim të së drejtës ndërkombëtare nga të gjitha palët e involvuara. Detyra e jonë është t'i mbrojmë civilët dhe të drejtat e njeriut dhe koha e fundit është të veprojmë për këtë çështje", tha Borrel.

Kiev - Forcat e armatosura ukrainase prej mbrëmë kanë rrëzuar 41 nga gjithsej 80 dronë rusë, njoftoi sot armata ukrainase. Siç u njoftua, 32 dronë janë humbur, ndërsa një ka fluturuar në drejtim të Bjellorusisë, njoftoi Ukrinform. "Natën mes së shtunës dhe të dielës, armiku ka sulmuar me 80 dronë të tipit Shahid, si dhe dronë të tipit të panjohur në drejtim të rajoneve Orel, Kursk dhe Primorsko-Ahtarsk", thuhet në kumtesë.

Tbilisi – Partia në pushtet në Gjeorgji shpalli fitore në zgjedhjet e djeshme parlamentare.  Votimi u karakterizua nga opozita si “goditje kushtetuese” dhe mundet edhe më shumë t’i dëmtojë shpresat e vendit kaukaz për anëtarësim në BE, bëjnë të ditur agjencitë e huaja.  Nëse rezultatet e pjesshme e konfirmojnë fitoren e partisë “Ëndrra gjeorgjiane”, Gjeorgjia do të mund t’i afrohet Rusisë fqinje.  Brukseli ashpër e kritikoi politikën e “Ëndrrës gjeorgjiane” dhe tha se zgjedhjet do të jenë kyçe për mundësitë e Tbilist që të anëtarësohet në BE.

Nju Jork – Programi botëror për ushqim njoftoi se 733 milionë njerëz në botë përballen me urinë, gjegjësisht çdo i 11-ti banor i Tokës. “Përderisa rriten sfidat globale, ndihma për ushqimin është shpëtim për miliona të goditur nga konflikte dhe kriza”, thuhet në porosinë e Programit Botëror të Ushqimit me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, e cila festohet të mërkurën e ardhshme. 

Tokio – Votuesit japonezë sot në zgjedhje të parakohshme parlamentare vendosin për fatin e qeverisë së kryeministrit Shiregu Ishiba, ndërsa analistët vlerësojnë se votuesit do ta dënojnë koalicionin qeveritar për shkak të skandalit me financat publike dhe inflacionin që mund t’i japë fund dominimit me dekada të Partisë Liberale – Demokratike (PLD) të Ishiba. Sipas anketave, PLD dhe partneri i saj shumëvjeçar Komeito, në kohën kur Japonia lufton me shpenzimet e rritura për jetesë dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të ashpra me Kinën fqinje, do të pësojnë humbje të vështirë në zgjedhjet e sotme dhe koalicioni mund ta humbë shumicën parlamentare. 

Teheran – Teherani mbrëmë kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së KB-së për shkak të sulmit të parmbrëmshëm të Izraelit ndaj Iranit, njoftoi misioni iranian në Kombet e Bashkuara.  “Republika Islamike Irani kërkon nga kryetari i Këshillit të Sigurisë që të thirr mbledhje urgjente që të flasë për këtë shkelje serioze dhe veprime të jashtëligjshme dhe ta nxjerrë këtë regjim kriminal para faqes së drejtësisë”, thuhet në letrën e përfaqësuesit të përhershëm të Iranit në KB, Amir Said Iravani. Ai ia dërgoi letrën kryetarit aktual të Këshillit të Sigurisë së KB-së, përfaqësuesit zviceran Paskal Kristin Bersvil dhe sekretarit të përgjithshëm Antonio Guteresh. 

Deir al Balah – Autoritetet palestineze sot paradite njoftuan se të paktën 22 persona humbën jetën në sulmet izraelite në veri të Gazës.  Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës njoftoi se 11 gra dhe dy fëmijë janë në mesin e të vrarëve mbrëmë vonë në sulmet ndaj disa shtëpive dhe ndërtesave në Beit Lahia në veri.  Të paktën 15 persona u plagosën, dhe siç bëhet e ditur, numri i viktimave mund të rritet.  Ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme precize ndaj ekstremistëve në ndërtesën e Beiti Lahia dhe ka ndërmarrë hapa që të shmang lëndimet e civilëve. 

Tel Aviv – Një kamion i mallrave sot ka goditur një grup njerëzish të cilët prisnin në një stacion të autobusëve në veri të Tel Avivit, informuan mediat izraelite, transmeton DPA. Sipas mediave, rreth 40 njerëz janë lënduar.  Shërbimi shpëtues izraelit “Magen Dejvid Adom” njoftoi se mjekë u ofrojnë ndihmë mjekësore dhjetëra njerëzve.  Sajti informativ lokal ynet njoftoi se po vijon hetimi për sulmin e dyshimtë. Disa nga njerëzit kanë marrë lëndime të rënda trupore. 

Manila – Rreth 130 njerëz e humbën jetën ose konsiderohen të zhdukur në vërshimet vdekjeprurëse dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga stuhia tropikale “Trami” në Filipine, ndërsa presidenti Ferdinand Markos Junior tha se shumë zona mbeten të izoluara dhe banorëve lokalë u nevojiten ndihmë.  Agjencia qeveritare për katastrofa njoftoi se stuhia pardje e kaploi pjesën veriperëndimore të Filipineve, me çka jetën e humbën të paktën 85 persona, ndërsa 41 të tjerë konsiderohen si të zhdukur. Kjo e bën një nga stuhitë më të vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në arkipelagun e Azisë Juglindore deri më tani këtë vit. Pritet që numri i të vdekurve të rritet sepse po mbërrijnë të dhëna nga zonat e izoluara deri më tani. 

Jerusalem - Armata izraelite kumtoi se forcat e saj kanë vrarë një komandant të lartë të lëvizjes palestineze Hamas në Bregun Perëndimor, njoftoi DPA. Në kumtesën e përbashkët me shërbimin kundërzbulues Shin Bet dhe policinë izraelite, armata njofton se e ka sulmuar Xhamil Odeh në qytetin Tulkarem në pjesën veriperëndimore të Bregut Perëndimor. Edhe Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah e konfirmoi vrasjen e burrit 29-vjeçar.

Teheran – Një ditë pasi Izraeli sulmoi caqe në Iran, Parlamenti në Teheran sot po mban mbledhje pas dyerve të mbyllura që ta shqyrtojë përgjigjen eventuale pas sulmit, informon DPA. Diskutimet i udhëheq kryetari i parlamentit, Mohamad Bager Kalibaf, ish gjeneral në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, njoftuan mediat lokale.  Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Kalibaf ka thënë se përgjigjja ushtarake e Iranit për sulmet izraelite është e sigurt, edhe pse ai e përshkroi si “pasive”.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu kumtoi se sulmi i djeshëm ajror ndaj objekteve ushtarake në Iran i ka përmbushur objektivat e veta. "Sulmi ka qenë preciz dhe i fuqishëm dhe i ka arritur të gjitha objektivat e veta", tha Netanjahu sot në ceremoninë me rastin e përvjetorit të parë sipas kalendarit hebraik nga sulmi i lëvizjes Hamas në Izraelin jugor më 7 tetor viitn e kaluar. "Irani e ka sulmuar Izraelin me qindra raketa balistike dhe sulmi nuk i ka arritur qëllimet e veta", tha ai, duke menduar në sulmin raketor iranian më 1 tetor, kur "shumica e projektileve të gjuajtura janë shkatërruar nga mbrojtja kundërajrore izraelite".

Madrid - Mesfushori i Real Madridit, Lluka Modriq është lojtari më i moshuar në histori, i cili ka luajtur në El Klasiko. Mbrëmë Reali si vendas humbi nga Barcelona me rezultat të bindshëm 0:4. Kroati u inkuadrua në lojë si zëvendësim në minutën e 63-të. Në momentin e ndeshjes, Modriqi ka pasur 39 vjet e 47 ditë. Ai e theu rekordin e ish mbrojtësit të Barcelonës, Dani Alvesh, i cili në El Klasiko ka luajtur me 38 vjet e 318 ditë. Paradokohe, Modriqi ka shprehur dëshirë që edhe një sezon të luajë për Realin e Madridit.

Madrid - Menaxhmenti i Kampionatit spanjoll në futboll e dënoi racizmin ndaj sulmuesit të Barcelonës, Lamin Jamal. "Për shkak të ngjarjeve gjatë ndeshjes Real Madrid - Barcelona, të cilat kanë përfshirë sjellje të papranueshme raciste, La Liga do të denoncojë fyerje dhe gjeste raciste në polici dhe do ta informojë prokurorin për krim të bazuar në urrejtje dhe diskriminim. La Liga fuqimisht i dënon këto ngjarje në 'Santiago Bernabeu' dhe mbetet fuqishëm në përkushtimin e saj që t'i çrrënjos të gjitha manifestimet e racizmit dhe urrejtjes në stadiume e më gjerë. Nuk ka vend për këtë të keqe në sport", thuhet në kumtesën e La Ligës.

QËNDRONI TË LIDHUR