• e mërkurë, 25 dhjetor 2024
MIA Flesh

18:00/4 prill/2024

Shkup - Drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP), Sasho Tasevski, sot   ka mbajtur takim pune me delegacionin e policisë  së Rumanisë, të udhëhequr nga inspektori i përgjithshëm, Benone Marian Matei dhe atasheun policor Marius Iorgulescu, informojnë pasdite nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në takim u theksua bashkëpunimi i suksesshëm i dy forcave policore, ndërsa u diskutuan mundësitë për thellimin e tij, si dhe hapjen e rrugëve të reja të komunikimit.

Shkup - Investimi gjerman "Markart" po ndërton me sukses historinë e tij për një dekadë në Veles. Prodhon komponentë ultra-modernë për markat më të mira të makinave me teknologjinë më të lartë dhe shumica e proceseve janë robotike. Fabrika dhe ndërtesa administrative janë bërë sipas standardeve botërore. Siç theksoi sot menaxhmenti në takim me gazetarët, inovacionet janë në fokus, ndërsa prioritet janë punëtorët.

Tetovë - Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës sot përmes disa aktiviteteve sportive e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Për nder të kësaj dite në ambientet e jashtme të Fakultetit të Kulturës Fizike u bë edhe shpalosja e mbishkrimit me simbolin e olimpizmit. Përurimi i këtij mbishkrimi,siç theksohet në kumtesë,  u bë nga dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike Prof. Dr. Shpresa Memishi, Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, donatori Prof. Dr. Milazim Kamberi, sekretari i përgjithshëm Adem Beadini dhe prorektorët Prof. Dr. Aida Baftijari – Yzeiri, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri.

Tiranë - Kreu i Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se vitin e kaluar në Shqipëri është konfiskuar pasuri me vlerë 41 milionë euro nga veprimtari kriminale. "SPAK ka luajtur një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri dhe ka arritur të krijojë një besueshmëri në rajon por edhe më gjerë. Vlera e pasurive të sekuestruara gjatë vitit 2023 është 41 mln euro, ndërsa për 18 persona janë nën hetim nga zyrtarët e lartë", tha Dumani në seancën e Këshillit të lartë të prokurorëve ku mori pjesë edhe drejtoresha e Byrosë kombëtare të hetimit, Aida Hajna.

Pragë - Zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian, komisarja për vlera dhe transparencë, Vera Jurova, sot në Pragë deklaroi se vendet nga Ballkani Perëndimor meritojnë që Bashkimi Evropian t'i marrë seriozisht ambiciet e tyre për t'u anëtarësuar dhe për këtë arsye pret të përshpejtohet integrimi gradual. "Zgjerimi nuk është një proces pa rrezik. Është e qartë se duke ofruar pranimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ne po hyjmë në zonën që presidenti rus Vladimir Putin e quan sferën e tij të ndikimit. Kjo është diçka që nuk duhet të na ndalojë. Dhe këto tre vende dhe vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë t'i marrin seriozisht përpjekjet e tyre”, tha Jurova në konferencën ndërkombëtare gjatë vizitës së saj në Pragë.

Londër - Më shumë se 600 avokatë, duke përfshirë dhe tre gjyqtarë në pension të Gjykatës së lartë të Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje qeverisë të ngrijë shitjet e armëve në Izrael. Në një letër të hapur drejtuar kryeministrit britanik Rishi Sunak, ata thanë se Mbretëria e Bashkuar mund të jetë bashkëpunëtore në një "shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar" nëse vazhdon me dërgesat.

Johanesburg - Ish përfaqësuesi i futbollit të të rinjve të Afrikës së Jugut, Luk Flers është qëlluar për vdekje nga persona të armatosur gjatë një grabitje në një pikë karburanti në Johanesburg, njoftoi sot policia lokale. Flers (24) i cili vjeshtën e kaluar nënshkroi kontratë për dy sezone me klubin më të njohur të Afrikës së Jugut, Kajzer Çifs u qëllua në gjoks nga persona të armatosur të cilët më pas i vodhën makinën.

 

QËNDRONI TË LIDHUR