18:00/ 15 janar/ 2026
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali sot në Qeveri realizoi takim me delegacionin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), të udhëhequr nga kryetari i saj, Nuhi Aliu. Takimi, siç informojnë nga kabineti i tij, u zhvillua në frymë konstruktive, duke vlerësuar vitin që lamë pas dhe sfidat e shkaktuara nga kriza globale ekonomike. Pavarësisht këtyre sfidave, u vlerësua se vendi ka arritur të ruajë stabilitet në aspektin e investimeve dhe të klimës ekonomike.
Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi sot takim pune me një delegacion nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) të kryesuar nga u.d. kryetar Nuhi Aliu. Siç bëri të ditur Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë takimit, anëtarët e odës uruan ministrin Hoxha për detyrën e re dhe u dakordua që palët të thellojnë bashkëpunimin institucional dhe shkëmbimin e ideve mbi çështje me interes të përbashkët.
Shkup – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) sot kumtoi se katër media e kanë shkelur heshtjen zgjedhore në Zgjedhjet e përsëritura lokale, të cilat u mbajtën më 11 janar në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendra Zhupë. Nga ASHMAA theksojnë se gjatë mbikëqyrjes mbi prezantimin mediatik zgjedhor në programin e RTM 1, RTM 2, TV 24 Vesti dhe TV Alfa, Agjencia konstatoi shkelje të nenit 76 -b paragrafi 3, ndërsa në lidhje me nenin 69-a paragrafi 2 nga Kodi Zgjedhor, gjegjësisht shkelje të heshtjes zgjedhore. “Shkelja te të gjitha mediat është bërë më 10 janar 2026, gjatë kohës së heshtjes zgjedhore për Zgjedhjet e përsëritura lokale. Raportet nga mbikëqyrjet janë në dispozicion në këto linqe: RTM 1 (neni 76-b i Kodit Zgjedhor)– 13.01.2026, RTM 2 (neni 76-b i Kodit Zgjedhor) – 13.01.2026, ТВ 24 Vesti (neni 76-b i Kodit Zgjedhor) – 13.01.2026, TV Alfa (neni 76-b i Kodit Zgjedhor) – 13.01.2026”, thonë nga ASHMAA.
Shkup – Ministria e Mbrojtjes njoftoi se mbetet në qëndrimin se çdo kërkesë që vjen nga përfaqësuesit e sindikatës duhet të shqyrtohet përmes dialogut, duke u pajtuar plotësisht me deklaratën e kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes. Ministria informon se për herë të parë, të gjitha kompensimet po paguhen në kohë në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, duke përfshirë kompensimet për qira, ushqim dhe transport në shumën mbi 23.000 denarë, si dhe shtesat për orë shtesë, punë nate dhe mëditje për kujdestari. “Paga mesatare bazë pa shtesa për një ushtar profesionist është rreth 35.700 denarë, ndërsa për një kolonel rreth 70.200 denarë. Kur kësaj i shtohen të gjitha shtesat e tjera në përputhje me Marrëveshjen Kolektive, fitohet një shifër e ndryshme nga ajo e paraqitur nga kryetari i SPM-së, koloneli Jurishiç”, thuhet në kumtesë.
Shkup - Investimi në parandalimin e të rinjve nga veset paraqet investim afatgjatë, në krahasim me ndërhyrjen. Vazhdimisht angazhohemi që përmes edukimit, t’i mbrojmë nxënësit nga ajo që mund t’u dëmtojë shëndetin, ndërsa mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë është veçanërisht e rëndësishme për ne. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në takimin e punës me përfaqësuesin rajonal të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) për Evropën Juglindore, Danillo Rici, si dhe me përfaqësues të zyrës së UNODC-së në Shkup. Siç kumtoi MASH, Janevska në takim theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencinë e KB-së veçanërisht në fushën e parandalimit dhe të përforcimit të sistemit arsimor si faktor kyç në përballimin e sfidave bashkëkohore shoqërore.
Shkup - Aktivitetet në terren vazhduan sot me ritëm të shtuar dhe rezultate të dukshme në kuadër të fushatës njëjavore për mirëmbajtjen e gjelbërimit në komunën e Çairit, e cila po zbatohet në bashkëpunim me NP "Parqe dhe Gjelbërime". Siç informojnë nga Komuna Çair, aksioni është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mirëmbajtjen e mjedisit urban. "Gjatë kësaj faze janë pastruar dhe rregulluar zonat e gjelbra përgjatë rrugëve 'Nikolla Maleshevski', 'August Cesarec', 'Metodija Mitevski' dhe 'Ferid Murad', me çka janë mbledhur gjethet, janë larguar mbetjet sezonale dhe është kryer krasitja e degëve. Aksioni ka nisur nga Fushë Topanë – Mega Park dhe do të vijojë në zona të tjera të gjelbra, për t’u përmbyllur në Parkun e Çairit, qëndron në kumtesë. fc/
Bruksel - BE-ja nga sot fillon me zbatimin e mekanizimit të ri automatik dhe dinamik për përshtatjen e çmimit të naftës ruse, kumtoi Komisioni Evropian. "Kufizimi i ri i çmimit për naftën ruse është 44,10 dollarë për fuçi, duke filluar nga 1 shkurti. Duke filluar nga 15 janari, kontratat e vjetra të lidhura sipas kufirit të mëparshëm të çmimit mund të zbatohen për 90 ditë", theksohet në kumtesën. Komisioni thekson se në përputhje me pakon e 18-të të sanksioneve ndaj Rusisë, çmimi maksimal i naftës ruse është ulur nga 60 në 47,60 dollare, duke paralajmëruar edhe një mekanizëm të ri automatik dhe dinamik për përcaktimin e kufijve të ardhshëm të çmimit të energjencave.
Kopenhagë – Kryeministrja daneze Mete Frederiksen konfirmoi se Danimarka dhe SHBA-ja kanë “dallime fundamentale” rreth së ardhmes së Grenlandës, në kushte të përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Tramp që ta posedojë ishullin, njoftuan mediat. Uashingtoni dhe Kopenhaga u pajtuan të formojnë grup të punës, por “kjo nuk e ndryshon faktin se kemi dallime fondamentale, sepse vendosmëria e SHBA-së ta ndërmarrin kontrollin ndaj Grenlandës mbetet e pandryshuar”, tha ajo në deklaratë me shkrim për AFP. “Gjithsesi, kjo është situatë serioze, për çka vazhdojmë me përpjekjet tona që të parandalojmë të ndodhë ky skenar”, shtoi ajo.
Barcelonë - Një aeroplan i "Turkish erlajns" në fluturimin nga Stambolli për në Barcelonë sot bëri ulje emergjente pasi u zbulua se një pasagjer kishte ndryshuar emrin e rrjetit të tij të internetit për të përfshirë një kërcënim me bombë. Drejtori i Komunikimit i "Turkish erlajns", Jahja Ustun, publikoi në rrjetet sociale se gjatë afrimit drejt Barcelonës me fluturimin TK1853 Stamboll-Barcelonë, u zbulua se një pasagjer kishte krijuar një pikë aksesi në internet gjatë fluturimit dhe kishte vendosur emrin e rrjetit për të përfshirë një kërcënim me bombë. "Pastaj, menjëherë filluan procedurat e nevojshme në kuadër të sigurisë së fluturimit. Pas uljes së sigurt të aeroplanit, autoritetet kompetente të vendit po kryejnë kontrolle. Procesi kryhet brenda kuadrit të rregullave ndërkombëtare të sigurisë së aviacionit", shkroi ai, transmeton Huriet.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka kërcënuar se do të zbatojë Ligjin për kryengritje nëse zyrtarët e Minesotës nuk i ndalojnë protestuesit të cilët, sipas tij, po sulmojnë anëtarët e shërbimeve të imigracionit. Në një publikim në rrjetin social Truth Social, Trampi deklaroi se do të aktivizojë Ligjin për kryengritje nëse "politikanët e korruptuar nga Minesota" nuk e respektojnë ligjin dhe nuk i ndalojnë, siç tha, "agjitatorët profesionistë dhe kryengritësit të sulmojnë zyrtarë të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganës (ICE). Ai tha se zyrtarët e ICE-së janë "patriotë që thjesht përpiqen të bëjnë punën e tyre" dhe shtoi se shumë presidentë para tij e kanë përdorur atë ligj.