• e premte, 05 korrik 2024
MIA Flesh

12:00/5 korrik/2024

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot përmes rrjetit social "Fejsbuk" ka paralajmëruar një investim gjermano-belg. Bëhet fjalë për kompaninë gjermane EPSOTEH e cila në partneritet me AIM-in belg  do të investojë në ndërtimin e një uzine të re prodhuese në vend, për të cilën do të investohen 20 milionë euro.

Shkup - Drejtoresha e Qendrës shtetërore të provimeve, BIljana Mihajllovska sot në konferencë për shtyp informoi se nota mesatare e maturës së këtij viti është 3,25 dhe siç potencoi, edhe pse është më e ulët se vitet e kaluara, megjithatë është notë e shkëlqyeshme për nga objektiviteti. "Nota ndoshta është pak më e ulët, megjithatë, krahasuar me atë që kemi pasur vitin e kaluar si mënyrë e funksionimit, mund të them se është notë e shkëlqyeshme për nga objektiviteti", tha Mihajllovska.

Shkup - Nëntë zjarre në ambiente të hapura janë evidentuar në 24 orët e fundit dhe të gjitha janë shuar nga zjarrfikësit. Nuk ka zjarre aktive mëngjesin e sotëm, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Në 24 orët e fundit, në komunën Gazi Babë dhe Karposh digjej bar i thatë dhe mbeturina, ndërsa zjarri ka përfshirë bar të thatë dhe shkurre në drejtim të rrugës së vjetër për Haraçinë. Është djegur kashtë në fshatin Kopanicë, Komuna e Sarajit,  janë djegur mbeturina edhe në Komunën e Manastirit dhe Strugës. Zjarre janë regjistruar në komunën e Sveti Nikollës, komuna e Koçanit, afër fshatit Obleshevë. Në komunën e Kumanovës në afërsi të vendbanimit "Lagjja e Trimave" është  djegur bar i thatë.

Shkup - Mëngjesi më i freskët është në Llazaropole, ku në orën 8:30 është matur temperatura 6 gradë. Temperatura në Dojran dhe në Gjevgjeli arriti 20 gradë në fillim të ditës. Shtatë gradë janë matur në Berovë, tetë në Hanet e Mavrovës, nëntë në Kriva Pallankë, Kodër të Diellit, 11 në Manastir, Krushevë, 12 në Tetovë, Ohër, Pretor, 13 në Shkup - Petrovec, Prilep, Shtip, Dibër, 14 në Vinicë, Strumicë, Kumanovë, 15 në Shkup - "Zajçev Rid", Demir Kapi, 16 në Kavadar, 17 në Veles.

Athinë - Nën titullin "Maqedoni e Veriut-Gordana Siljanovska: Sillemi me shumë përgjegjësi ndaj Marrëveshjes së Prespës, dyshoj nëse e njejta vlen edhe për Greqinë", agjencia greke e lajmeve ANA-MPA i transmeton qëndrimet e presidentes, të paraqitura në intervistën e djeshme, tekst i marrë nga shumica e edicioneve onlajn të mediumeve në Greqi, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina. ANA-MPA shkruan se "presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska, pohoi se vendi i saj në masë të madhe i ka përmbushur obligimet e veta të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës, përderisa shprehi dyshim nëse e njejt amund të thuhet edhe për Greqinë".

Ankara - Rregullat e kontrollit të pasagjerëve në aeroportet turke po bëhen më të ashpra. Parlamenti turk mbrëmë vonë miratoi ndryshimet në ligjin e aviacionit civil, me të cilat ashpërsohen procedurat e kontrollimit të udhëtarëve në aeroport, raporton një faqe turke e lajmeve. Rregullat e reja do të jenë në përputhje me Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar (Konventa nga Çikagoja), e cila u mundëson oficerëve të sigurisë të kontrollojnë gjërat e pasagjerëve në hyrje të terminalit dhe në hyrje të bording zonës. Kjo vlen edhe për bagazhet personale dhe pajisjet elektronike.

Gjenevë - Një numër gjithnjë më i madh i emigrantëve dhe refugjatëve po nisen në udhëtime të rrezikshme nga Afrika në brigjet jugore të Detit Mesdhe, ndërsa në rrugë po përballen me rrezik të shtuar të rrëmbimit dhe vjedhjes së organeve gjatë rrugës, tregon studimi më i ri i Kombeve të Bashkuara. Rruga e dytë, e cila të çon përtej Saharasë në veri, konsiderohet të jetë dy herë më vdekjeprurëse se ajo e Mesdheut, ku, megjithatë, më shumë se 800 njerëz janë mbytur tashmë këtë vit, sipas të dhënave të studimit.

Londër - Pritet që kryeministri britanik Rishi Sunak, partia konservatore e të cilit pësoi humbje nga Laburistët në zgjedhjet e djeshme, në orët e ardhshme edhe zyrtarisht të japë dorëheqje para mbretit Çarls, njoftoi Bi-Bi-Si. Sunaku sot kthehet në Londër, ku së shpejti do të duhet të takohet me mbretin Çarls, pasi dje arriti të ruante vendin e tij parlamentar në Jorkshir. Pas dorëheqjes së Sunakut, pritet që mbreti Çarls zyrtarisht të kërkojë nga lideri i Laburistëve, Kir Starmer të formojë qeveri.

Katania - Drejtoria e aeroportit në qytetin italian të Katanias ka njoftuar se një pjesë e aeroportit do të mbyllet sot për shkak të sasisë së madhe të hirit të krijuar nga aktiviteti i vullkanit Etna. Sektorët B2 dhe B3 do të jenë të mbyllur për qarkullimin, theksohet në njoftim, ndërsa raporton agjencia italiane e lajmeve Ansa. Aktiviteti shpërthyes i Etnas përfundoi mëngjesin e sotëm, por u hodh një sasi e madhe hiri.

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka uruar sot Partinë Laburiste dhe liderin e saj Keir Starmer për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe, duke theksuar se pret që ata të punojnë së bashku për të ndërtuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare."Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë dhe do të jenë aleatë të besueshëm në kohë të mira dhe të këqija. Do të vazhdojmë të mbrojmë dhe avancojmë vlerat tona të përbashkëta të jetës, lirisë dhe rregullave të rendit ndërkombëtar të vendosur", ka shkruar Zelenski në rrjetin Iks.

Kiev - Forcat Ajrore të Ukrainës kanë thënë se kanë rrëzuar të 32 dronë të lëshuar nga Rusia në sulmin e mbrëmshëm. Armata ukrainase rrëzoi dronë në shtatë rajone, njoftoi armata në Telegram. Tre dronë u rrëzuan mbi rajonin jugor të Mikolaivit dhe tre të tjerë mbi rajonin e Dnipropetrovskut, pretenduan guvernatorët e atyre rajoneve.

Moskë - Ministria ruse e Mbrojtjes sot njoftoi se gjatë natës ka shkatërruar 50 dronë ukrainas në rajonin rus Roston dhe Krastodar, si dhe në rajonin jugor të Ukrainës, Zaporozhje, të cilin Moska e ka aneksuar. "Gjatë natës kur regjimi i Kievit u mundua të kryejë sulme terroriste ndaj Rusisë Federale, mbrojtja kundërajrore ruse ka shkatërruar 14 dronë në territorin Krasnodar, 26 sulme mbi rajonin Zaporozhje dhe dhjetë mbi Rostov", njoftoi Ministria e Mbrojtjes përmes kanalit Telegram. Edhe pse Moska pretendon se e ka aneksuar rajonin e Zaporozhjes në jugun e Ukrainës, ushtria ruse nuk e kontrollon gjithë rajonin. 

Teheran - Në Iran sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballen konservatori Said Xhalili dhe reformisti Masud Pezeshkiani. Raundi i dytë zhvillohet pasi asnjë nga kandidatët nuk ka siguruar më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë. Pezeshkiani fitoi rreth 42,5 për qind të votave, ndërsa Xhalili 38,7 për qind. Rreth 61 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë për pasardhës të presidentit Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në rrëzimin e helikopterit në maj.

Nju-Jork - Dy persona e humbën jetën, ndërsa nëntë janë lënduar kur një pikap goditi në grup njerëzish të cilët festonin Ditën e Pavarësisë në Nju-Jork, njoftuan autoritetet lokale. Shefi i policisë së Nju-Jorkut Xhefri Madri deklaroi se një Ford F-150 ka lëvizur me shpejtësi të madhe, ka kaluar në udhëkryqin dhe shenjën "stop" para se të ndodhte fatkeqësia në parkun Korliris Huk në Menheten. Ai shtoi se dy persona e kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR