• e shtunë, 23 nëntor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 29 mars/ 2024

Shkup - Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ministri italian i Mbrojtjes Gvido Kroseto sot në Qendrën për Trajnim të Pilotëve në kazermën në Petrovec, do të nënshkruajnë marrëveshje teknike për përfshirjen e Forcave Ajrore italiane në misionin e patrullimit ajror të NATO-s mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut, njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes.  Në nënshkrimin e marrëveshjes teknike në të cilin Italia edhe zyrtarisht do të përfshihet në këtë mision të NATO-s, siç është paralajmëruar, do t'i paraprijë një takim i përbashkët i dy ministrave.

Shkup - Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë takim pune me përfaqësues të partisë politike LSDM. Para takimit janë paraparë deklarata për media nga ana e kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski dhe kryetarit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. 

Shkup - Ambasadori francez në vend, Siril Bomgartner sot do ta vizitojë Kuvendin. Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, Bomgartner do të realizojë takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski.

Shkup - Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Jurop Haus Shkup organizojnë diskutim të quajtur "Debutimi i dezinformatave antigjinore" që do të mbahet sot në Jurop haus në Shkup. Ambasadori Dejvid Gir do ta hapë manifestimin me fjalën e tij hyrëse, pastaj do të fillojë diskutimi ku do të flasin Mila Carovska, drejtoreshë ekzekutive, HERA, Irena Cvetkoviq, drejtoreshë ekzekutive, Koalicioni Margini dhe Meri Jordanovska, gazetare hulumtuese, agjencia META.

Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajë Komisioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë, në të cilën pritet të diskutohet për Informacionin për nevojën e ndarjes së Amandamentit numër 5 (Amendment 5 to Letter of offer and acceptance-LOA MK-B-UCC JLTV) drejt marrëveshjes së lidhur qeveri me qeveri për furnizim të automjeteve të lehta të blinduara me rrota  JLTV, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   Siç qëndron në sqarimin e publikuar në ueb-faqen e kuvendit për Informacionin e nënshkruar nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, Amandamenti 5 drejt marrëveshjes qeveri me qeveri për furnizim të automjeteve të lehta të blinduara me rrota JLTV, është me afat deri 7 qershor të vitit 2024.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi jugor. Siç kumtoi DPHM, temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri në 9 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 20 deri në 27 gradë. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me erë të lehtë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të bie në 5 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 25 gradë.

Athinë - Propozimi për mosbesim të Qeverisë greke të dorëzuar nga katër parti opozitare, siç edhe pritej, nuk e ka marrë shumicën e nevojshme parlamentare, nuk u votua nga Parlamenti dhe nuk krijoi probleme për shumicën qeveritare, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Nga 300 deputetë në Parlament, që të kalojë propozimi, nevojitej të votohet me të paktën 151 vota dhe në votimin e mbrëmshëm mori mbështetje nga 141 deputetë që votuan “pro”, ndërsa 159 të tjerët ishin kundër, duke përfshirë një deputet të pavarur dhe të gjithë grupin parlamentar të Demokracisë së Re në pushtet

Sarajevë - Drejtoria federale e policisë në Bosnjë e Hercegovinë në bazë të informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë arrestoi tre persona të cilët dyshohen se përmes rrjetit social "TikTok" kanë publikuar se janë të lidhur me zhdukjen e vajzës Danka Iliq, konfirmoi MPB-ja serbe. Pjesëtarët e Shërbimit për luftë kundër krimit të lartë teknologjik e identifikuan adresën IP të shfrytëzuesit në territorin e Bosnjë e Hercegovinës i cili drejtpërdrejtë në "TikTok" ka deklaruar se vajza e zhdukur Danka Iliq është në bodrumin e tij. Në bazë të atyre informatave, Drejtoria Federale e Policisë së Bosnjë e Hercegovinës i ka arrestuar B.T., Z.T., dhe M.T., ka kryer bastisje dhe ka konfirmuar se informacionet që i ka dhënë i dyshuari janë të rreme.

Berlin  - Të paktën 21 persona janë lënduar pasi një autobus ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në provincën perëndimore të Gjermanisë Rajna Veriore - Vestfalia. Në autobus ka pasur rreth 60 pasagjerë, gjegjsisht  nxënës të shkollave të mesme nga qyteti i Varburgut, të cilët po ktheheshin nga një vizitë në Angli. Një nga pasagjerët është plagosur rëndë, por jeta e tij është jashtë rrezikut për jetën.  Aksidenti ndodhi një ditë pasi katër persona humbën jetën në afërsi të qytetit të Lajpcingut.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski kërkoi nga kryetari i Dhomës Përfaqësuese të SHBA-së, Majk Xhonson për "miratim të shpejtë" të ndihmës së madhe ushtarake "jetike". "E informova Xhonsonin për situatën në fushën e betejës, veçanërisht për rritjen dramatike të terrorit ajror rus", theksoi Zelenski pas bisedës telefonike me përfaqësuesin e lartë amerikan.  Zelenski theksoi se ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën është nga vlera jetike.

Damask -  Në sulmet e mbrëmshme izraelite në qytetin verior të Sirisë Alepo humbën jetën të paktën 38 persona, mes të cilëve  edhe luftëtarë të lëvizjes shiite libaneze Hezbollah. Paraprakisht, Ministria siriane e Mbrojtjes bëri të ditur se disa zona brenda dhe përreth qytetit janë goditur gjatë sulmeve izraelite me ç'rast  humbën jetën një numër i caktuar i civilëve dhe ushtarëve. Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, Izraeli i përforcoi sulmet e tij ndaj bazave të grupeve proiraniane në territorin e Sirisë. Në disa operacione cak kanë qenë edhe pozicionet e mbrojtjes ajrore siriane dhe të armatës.

Uashington - Fushata për mbledhjen e mjeteve për presidentin amerikan Xho Bajden me ish presidentët Barak Obama dhe Bill Klinton gjeneron mbi 25 milionë dollarë, shuma më e madhe e mbledhur deri tani në historinë e SHBA-së. Bajdeni mbrëmë me Obamën dhe Klintonin mori pjesë në një diskutim në "Radio siti mjuzikëll holl"  njujorkez, i moderuar nga udhëheqësi i "Lejt shou" (The Late Show), Stiven Kolber. Por, ngjarja disa herë ishte ndërprerë nga demonstrantët në sallë, të cilët brohorisnin kundër politikës së Bajdenit për mbështetjen e Izraelit në luftën me Hamasin. Njëri nga demonstrantët thirri "Turp për ty Xho Bajden". Ata gjithashtu e ndërprenë edhe fjalimin e Obamës.

Gazë - Hamasi mbrëmë i ka përshëndetur masat e vendosura ndaj Izraelit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), por, siç theksoi zyrtari i lartë i kësaj lëvizje ekstremiste Basem Naim, ata gjithashtu kanë shpresuar për një urdhër për armëpushim. Megjithatë, Naimi theksoi se janë për t'u përshëndetur masat e GJND-së  të vendosura ndaj Izraelit pasi, siç tha, ata kërkojnë t'i jepet fund tragjedisë humanitare në Gazë. "E përshëndesim çdo kërkesë të re për t'i dhënë fund kësaj tragjedie humanitare në Gazë dhe veçanërisht në pjesën veriore të Rripit të Gazës, por shpresojmë se gjykata do të urdhërojë për armëpushim, si një zgjidhje absolute për të gjitha vuajtjet e popullit tonë në Gazë", tha Naimi.

Baltimor - Ministria amerikane e Transportit sot i ndau 60 milionë dollarë shtetit federal Merilend për ndihmë pas shembjes së urës Frensis Skot Ki pasi atë e goditi një anije e mallrave.  Guvernatori i Merilendit Ues Mur më parë kërkoi mjete për ndihmë në "mobilizim, operacione dhe heqjen e mbeturinave". Mur shtoi se këto mjete do t'i vendosin themelet për rimëkëmbje të shpejtë.  Përndryshe, pas shembjes disa punëtorë ranë në ujërat e lumit Patapsko. Trupat e dy burrave, të moshës prej 35 vjet dhe 26 vjet, ishin gjetur të mërkurën, në 7,6 metra nën ujë në lumin Patapsko.

Liverpul - Vazhdojnë spekulimet për të ardhmen e trajnerit të Baer Leverkuzenit, Çabi Alonso. Eksperti spanjoll lidhet më së shumti me Bajern Mynih dhe Liverpul, ndërsa  përfundimtar i trajnerit i cili ndjek një kurorë të trefishtë me "aspirinat" ende nuk dihet. Saga mes Liverpulit dhe Çabi Alonso ka marrë një kthesë të vërtetë pasi gazetari i njohur Pol Xhojs, i cili është i afërt  me "të kuqtë" dhe punon për "Tajms"-in, ka njoftuar se trajneri spanjoll nuk do të jetë në listën e ngushtë të zëvendësuesve të Jirgen Klopit. Është një kthesë shumë e mprehtë nga zërat fillestare që e lidhën Alonson konkretisht me ekipin, por nga të gjitha llogaritë ai duket se nuk ka gjasa të marrë drejtimin e Liverpulit, ndërsa tani pritet që spanjolli të qëndrojë në Bajer Leverkuzen.

Mançester- Sulmuesi i Mançester Junajted, Markus Rashfordi mund ta lëshojë Kampionatin Evropian në vitin 2024, shkruan "Telegrafi". Sipas burimit të botimit, selektori i Anglisë, Geret Sautgej, nuk i ka pëlqyer performanca e lojtarit. Për të zënë vend në formacionin e "tre luanëve", futbollisti duhet të tregojë lojëra më të mira në ndeshjet e ardhshme. Këtë sezon, Rashfordi 26-vjeçar  ka luajtur 35 ndeshje, duke shënuar 8 gola dhe 6 asistime. Sllovenia, Danimarka dhe Serbia do të luajnë kundër Anglisë në fazën e grupeve të KE 2024

QËNDRONI TË LIDHUR