• e shtunë, 23 nëntor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 21 shtator/ 2024

Nju Jork – Presidentja Gordana Siljanovska Davkova prej sot po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e kryeson delegacionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Siljanovska Davkova të enjten është paraparë të flasë në Debatin e Përgjithshëm të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, që mbahet në temën “Duke mos lënë askënd pas: duke vepruar bashkë për avancimin e paqes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe dinjitetit njerëzor për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme”. Siç njofton raportuesi i MIA-s nga Nju Jorku, në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së është paraparë që presidentja Siljanovska Davkova të realizojë takim edhe me sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku  do të merr pjesë në Mbledhjen e 79-të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, siç bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Mexhiti do të realizojë takime me personalitete amerikane, si dhe do të ketë takime me organizata të diasporës që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski sot do të jetë në vizitë në komunën Kavadar ku do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të Shtëpisë së Kulturës me sallë sportive në fshatin Drenovë. Projekti, siç informon shërbimi për informim i Qeverisë, do të kushtojë 25.000.000 denarë. Kryeministri do të kryejë mbikëqyrje edhe në aktivitetet ndërtimore të Qendrës Ditore për Persona me Nevoja të Veçanta Trupore dhe Mendore, ndërsa do të marrë pjesë edhe në prezantimin „Safe Sity“ në Kavadar.

Shkup – Projektet infrastrukturore kapitale që realizohen në shtet, ndërsa të cilat janë me rëndësi kyçe për lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor i ka theksuar zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në kuadër të takimit të ministrave të Transportit të Bashkimit Evropian. Takimi i ministrave në Budapest është organizuar nga Hungaria në kuadër të presidencës së saj me Bashkimin Evropian.  Siç informon Ministria e Transportit, Nikolloski ka shprehur kënaqësi që dy ditë bashkë me ministrat e Transportit të BE-së kanë biseduar në shumë tema të rëndësishme nga kjo lëmi. 

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka shpallur konkurset për bursa për studime të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë në vend për vitin akademik 2024-2025. Shuma mujore e bursës për studime pasuniversitare është 9.000 denarë për nëntë muaj të vitit. Për studimet e doktoratës do të paguhet 18.000 denarë në muaj, gjatë gjithë vitit. Afati i fundit për aplikim është 1 nëntori i këtij viti.

Shkup – Shoqata e Elektronikës, Telekomunikimeve, Automatikës dhe Informatikës (ETAI) dhe Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative prej sot e deri më 23 shtator në Strugë e organizojnë Konferencën e 16-të Ndërkombëtare ETAI 2024. Siç informojnë organizatorët, përveç programit shkencor dhe prezantimit të punimeve të redaktuara të pranuara shkencore, në kuadër të konferencës do të mbahen disa ligjërata plenare nga shkencëtarë dhe profesorë të njohur botërorë.

Shkup – Dy ditët e ardhshme moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare dhe me temperatura më të ulëta të mëngjesit. Të martën dhe të mërkurën priten vranësira kalimtare me reshje lokale të shiut, në disa vende të rrëmbyeshme me kushte për paraqitje të bubullimave.  Siç informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), nesër gjatë ditës moti do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla dhe me erë të lehtë të ndryshueshme. Mëngjesi do të jetë më i ftohtë. Temperatura minimale do të lëvizë prej tre deri 13 gradë, ndërsa ajo maksimale prej 18 deri 28 gradë.  Në Shkup moti do të jetë me diell dhe kryesisht i qetë, me temperaturë minimale prej shtatë, ndërsa maksimale prej 27 gradë.

Shtip - Në një aksident të rëndë komunikacioni që ndodhi sot në mëngjes në orën 7:50 ndërroi jetë një këmbësor në rrugën rajonale Shtip - Koçan në afërsi të fshatit Tërkanje. Nga SPB Shtip në një deklaratë për MIA-n informojnë se komunikacioni ridrejtohet në rrugën eksprese dhe po vijon mbikëqyrje nga ana e organeve të hetuesisë. 

Stamboll – Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot e akuzoi Izraelin se planifikon ta zgjerojë luftën në Rripin e Gazës në rajonin më të gjerë për shkak të frikës se përleshjet me milicinë libaneze Hezbollah mund të përshkallëzohen edhe më shumë, informon DPA. “Sulmet kundër Libanit gjatë ditëve të fundit e konfirmuan shqetësimin tonë për planet e administratës izraelite që ta zgjerojë luftën në rajon”, deklaroi Erdogani në Stamboll para se të shkojë për Nju Jork që të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së.

Kiev – Tre persona, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë, u vranë, ndërsa disa janë plagosur në një sulm rus me raketa mbi qytetin e lindjes së presidentit ukrainas Volodomir Zelenski – Krivi Rih, njoftoi shefi i këshillit të qytetit për Mbrojtje Oleksandër Vilkul. “Vijon operacion urgjent për shpëtim. Të paktën dy persona u vranë, ndërsa edhe tre janë plagosur, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, pasi Rusia sulmoi një zonë të banuar. Ka mundësi që ende të ketë njerëz të ngujuar nën rrënoja”, shkroi zyrtari në Telegram. Villkull më vonë sqaroi se në sulmin rus humbën jetën tre persona pasi një grua më e vjetër ka ndërruar jetë në autoambulancë rrugës për në spital. 

Kiev - Ushtria ukrainase po merr më shumë para për luftën kundër sulmit rus në bazë të ligjit të ri të nënshkruar nga presidenti Volodimir Zelenski i cili më parë është miratuar nga Parlamenti, njofton DPA. Mediat lokale raportuan sot se ligji i ri rrit shpenzimet ushtarake në rreth 12 miliardë dollarë. Përforcimi do të financohet nga kreditë, taksat dhe rritja e taksave për duhanin dhe karburantin. Rritja do të përdoret për të paguar kompensime për ushtarët në vijën e frontit këtë muaj. Parlamenti i Ukrainës miratoi të mërkurën ribalancin e buxhetit si përgjigje e luftës së vazhdueshme. Kjo do të rrisë shpenzimet buxhetore me rreth 13 për qind në ekuivalentin e mbi 90.5 miliardë dollarëve - një rekord për Ukrainën.

Bejrut – Grupi libanez Hezbollah sot në mëngjes njoftoi se Ahmed Vahbi, komandant i lartë i cili i drejtonte operacionet ushtarake të forcave të tyre speciale Ar Radvan në luftën në Gazë deri në fillim të këtij viti, ishte vrarë në sulm ajror izraelit në periferi të Bejrutit. Hezbollahu i publikoi emrat e 14 anëtare të tij të cilët ishin vrarë në sulm. Armata izraelite njoftoi mbrëmë se e ka vrarë komandantin kryesor të Hazbollahut, Ibrahim Akil dhe shefat e tjerë të forcave speciale të lëvizjes – “Ar Radvan” në sulm në pjesën jugore të Bejrutit.

Bejrut - Numri i viktimave nga sulmi izraelit në periferinë jugore të Bejrutit, vatër e lëvizjes proiraniane Hezbollah është rritur në 31, bënë të ditur sot autoritetet. “Mes viktimave janë tre fëmijë dhe shtatë gra”, deklaroi ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Abiad në një konferencë shtypi duke shtuar se të paktën 68 persona u lënduan në grevën e së premtes. Më herët ministria njoftoi se të paktën 14 persona kanë humbur jetën. Hezbollahu deri më tani ka njoftuar vdekjen e 15 anëtarëve të saj që nga sulmi izraelit, duke përfshirë zyrtarin e lartë ushtarak Ibrahim Akil dhe komandantë të tjerë.

Kolombo – Miliona banorë të Sri Lankës sot dalin në votim që të zgjedhin presidentin detyra e të cilit do të jetë të nxitet rimëkëmbja e brishtë ekonomike e vendit të Azisë Jugore pas krizës së saj më të madhe financiare gjatë dekadave të fundit. Më shumë se 17 milionë prej gjithsej 22 milionë banorë të Sri Lankës kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet presidenciale, në të cilat pritet “garë e ngushtë” mes presidentit aktual Ranill Vikremesinge, liderit kryesor opozitar Saxhit Premadasa dhe kandidates marksiste Anura Kumara Disanajake, Sipas rezultateve nga anketa e fundit, Disanajake është në epërsi. Vendvotimet janë hapur prej orës 7:00 deri në orën 16:00, ndërsa komisioni zgjedhor duhet ta publikojë fituesin nesër. Më shumë se 13.000 vendvotime ishin hapur në mbarë vendin, ndërsa 250.000 nëpunës shtetërorë ishin shpërndarë që të menaxhojnë me zgjedhjet. 

Nju Jork – Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Deni Danon, deklaroi para Këshillit të Sigurisë të organizatës se Izraeli nuk e përjashton mundësinë për sulme të reja ndaj caqeve të grupit libanez Hezbollah, informon DPA. “Nuk do të lejojmë që Hezbollahu të vazhdojë me provokimet e tij. Veprimet e tij janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Izraeli do të mbrohet... Izraeli nuk kërkon zgjerim të konfliktit në rajon. Megjithatë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që t’i kthejmë qytetarët tanë të cilët jetojnë në veri të Izraelit në shtëpitë e tyre”, deklaroi ambasadori izraelit në KB në Nju Jork.

Gazë - Së paku 13 civilë kanë humbur jetën sot gjatë një sulmi ajror izraelit në një shkollë ku strehohen persona të zhvendosur në lagjen Al-Zejtun, në jug të qytetit të Gazës, bëjnë të ditur mediat palestineze. Thuhet se dhjetëra civilë kanë pësuar lëndime të ndryshme në sulmin në shkollën Al- Falah në të njëjtën lagje. Armata izraelite tha se sot ka kryer sulm ajror ndaj një grupi të Hamasit në një dhomë komandimi të vendosur në një shkollë në qytetin e Gazës, shkruan "Tajms of Izrael".

Tokio - Një person ka vdekur, ndërsa më shumë se 10 rezultojnë të zhdukur pas stuhisë që goditi gadishullin Noto në prefekturën qendrore Ishikava të Japonisë, rajon i cili u godit nga një tërmet i fuqishëm më 1 janar. Është urdhëruar evakuimi i dhjetëra mijëra njerëzve, ndërsa më shumë se 6.000 amvisëri janë pa energji elektrike. Agjencia meteorologjike e Japonisë ka lëshuar një paralajmërim urgjent për reshje të dendura shiu në zonën e Komunës Vaxhima në gadishullin Noto. Më shumë se 120 milimetra shi ranë në zonën Vaxhima për një orë, reshje më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në këtë rajon. Autoritetet lokale thonë se 10 persona llogariten si të zhdukur në Vaxhima dhe se një person vdiq në qytetin Suzu në të njëjtin rajon.

Teheran – Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Hamnei, deklaroi sot se Izraeli po kryen krime të paturpshme kundër fëmijëve, ndërsa jo kundër luftëtarëve.  Ai bëri thirrje për forcë të brendshme te myslimanët që të çrrënjoset, siç tha, “tumori malinj kanceroz nga Palestina”. Deklarata e Hamneit erdhi një ditë pas sulmit ajror izraelit mbi kryeqytetin libanez Bejrut, në të cilin, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, u vranë 31 persona, në mesin e të cilëve tre fëmijë dhe shtatë gra.

Tel Aviv – Armata izraelite njoftoi sot se po kryen sulme të reja ajrore ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban, pa dhënë detaje. “IDF për momentin po sulmon caqe të organizatës terroriste Hezbollah në Liban”, njoftoi ushtria.  Ata shtojnë se të paktën 16 luftëtarë të Hezbollahut ishin vrarë në sulmin e së premtes në Bejrut.

Bejrut - Hezbollahu libanez kumtoi sot se ka shtënë me raketa dy pozicione ushtarake në veri të Izraelit, pasi ushtria izraelite tha se po kryen sulme të reja ndaj caqeve të Hezbollahut. Në deklarata të ndara, grupi i mbështetur nga Irani tha se gjuajti raketa në dy kazerma "si përgjigje" ndaj sulmeve izraelite "në fshatra jugore dhe shtëpi të civilëve". Mediat perëndimore raportuan për sulme të rënda izraelite në disa zona të Libanit jugor. 

Riad - Sulmuesi i Al-Nasr, Kristiano Ronaldo është i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij ndaj Al-Itifak dhe fitoren 3-0 në xhiron e katërt të kampionatit të Arabisë Saudite. Portugezi tridhjetë e nëntë vjeçar e hapi rezultatin në minutën e 33-të, duke shënuar nga penaltia. "Punë e shkëlqyer ekipore! Sonte është shënuar një fitore e rëndësishme, ua dedikoj këtë fansave", ka shkruar Ronaldo në rrjetet sociale. Al -Nasr është në vendin e katërt në tabelën e ligës së Arabisë Saudite me gjithsej tetë pikë. Në sezonin që po vijon, Ronaldo ka luajtur në gjashtë ndeshje në të gjitha garat për Al-Nasr, duke shënuar pesë gola dhe dy asiste.

Mançester – Mesfushori i Mançester Sitit, Ilkay Gundogan ka ndarë opinionin e tij për të luajtur për Barcelonën sezonin e kaluar. "Nuk jam penduar që shkova te Barcelona. Në fund të fundit, kam luajtur për një nga klubet më të mira në botë. E përmbusha ëndrrën time të fëmijërisë duke luajtur për këtë klub", citon Gundoganin, gazetari Fabricio Romano. Gundogan luajti 51 ndeshje për Barcelonën, duke shënuar pesë gola dhe 14 asiste. Në karrierën e tij, Gundogani ka luajtur edhe për Borusia Dortmundin, Nurnbergun dhe Bohumin. Ai është pjesë e kombëtares gjermane që nga viti 2011.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR