15:00/ 14 dhjetor/ 2025
Shkup – Sot zyrtarisht filloi procesi i demontimit të radarit të vjetër të papërdorshëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, si dhe përgatitje për instalim të radarit të ri bashkëkohor Mod S. Kjo procedurë nuk do të ketë kurrfarë ndikimi për zhvillimin e komunikacionit ajror, informojnë nga M-NAV. “Pas takimit të mbajtur me ekipin e Leonardo dhe kompanitë vendase të angazhuara si nënkontraktorë, i cili u zhvillua më 01.12.2025, sot filloi zyrtarisht procesi i çmontimit të radarit të vjetër dhe të papërdorshëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, si dhe përgatitjet për instalimin e radarit të ri modern Mod S”, thonë nga M-NAV. Nga atje theksojnë se kjo fazë përfaqëson hap të rëndësishëm në kuadër të projektit për modernizim të sistemeve për mbikëqyrje të komunikacionit ajror.
Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski i cili sot mori pjesë në hapjen e stacionit të rikonstruktuar policor në Butel i falënderoi nëpunësit e policisë për durimin e tyre që e patën gjatë dekadave të kaluara duke punuar në objektin e vjetër në kushte nënstandarde. “Kryetari i komunës dhe ministri i Punëve të Brendshme thanë atë që është e rëndësishme të thuhet, përkatësisht ku kanë punuar nëpunësit policorë për më shumë se 30 vjet, çfarë do të ndodhë në vend të atyre kazermave, ku do të ndërtohet parku, qendra kulturore shumëfunksionale apo gjithçka që duhet bërë, e cila përfaqëson vlerë të shtuar këtu në Butel. Në përgjithësi, u thanë të gjithë parametrat teknikë, dua vetëm t'i falënderoj nëpunësit e policisë për durimin e tyre gjatë dekadave të fundit. Disa filluan të punonin atje dhe u pensionuan në ato kushte, e patë ku punuan, ato janë standarde që i ngjajnë çdo gjëje vetëm jo një ndërtese stacioni policor”, tha kryeministri Mickoski. Duhet, shtoi ai, shumë durim e gjithë kjo të kalohet dhe të përgjigjet në detyrat të cilat ishin të përditshme.
Shkup - Maqedonia e Veriut, së bashku me Serbinë dhe Moldavinë shënojnë momentumin më të madh të reformave - ka shënuar Komuniteti Energjetik për punën në vitin 2025 në aspekt të energjetikës. Në Raportin më të ri Vjetor të Komunitetit Energjetik, ku mbikëqyret zbatimi i reformave te vendet anëtare theksohet se „Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë dëshmuar se mund të arrihet zbatim efikas i legjislacionit të Bashkimit Evropian për integrimin e tregjeve të energjisë elektrike, si dhe punë koordinuese dhe menaxhim me sistemet në drejtim të mundësimit të furnizimit të sigurt dhe këtë gjë e mbështet përparimi i tyre i dukshëm në reformat e tregut të energjisë elektrike", njoftuan sot nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime Ujore dhe Menaxhim me Mbeturina Komunale (KRRE). Në pjesën e dedikuar për KRRE, nga Vjena e potencojnë proaktivitetin e rregullatorit për zbatimin e Ligjit të Energjetikës dhe mbikëqyrjen e harmonizimit me ndarjen.
Shkup – Prokuroria Themelore Publike në Shkup gjykatësit për fëmijë në kuadër të Gjykatës Themelore Penale Shkup i parashtroi Kërkesë për fillimin e procedurës përgatitëse për gjithsej pesë fëmijë në konflikt me ligjin, sepse kanë ndërmarrë veprime të cilat janë paraparë si vepër penale – Dhunë nga neni 386 nga Kodi Penal. Bëhet fjalë për të mitur, të moshës prej 14 dhe 15 vjet, bashkë me edhe një fëmijë i cili nuk ka mbushur 14 vjet dhe nuk mund të përgjigjet penalisht, në grup kanë kryer dhunë të ashpër ndaj dy 14-vjeçarëve të tjerë.
Shkup – Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në vendkalimin kufitar Qafë Thanë parandaluan import të mbi 26 tonë kofsha pule pa kocka për shkak të mos përmbushjes së kushteve për import. Bëhet fjalë për dërgesë me 2167 paketime nga 12 kilogramë mish të ngrirë të pulës, e cila pas Vendimit të marrë për import nga veterinerët zyrtarë të AUV, është kthyer në vendin eksportues – Brazil.
Shkup – Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Berovë ku janë matur -7 gradë celsius, ndërsa më ngrohtë në Vinicë, Kodër të Diellit, Topollçan, Gjurishtë, Gjevgjeli me 0 gradë të matura, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Sipas DPHM -5 gradë janë matur në Manastir, -4 Shkup – Petrovec, Strumicë, Shtip, -3 Tetovë, Kriva Pallankë, Prilep, Demir Kapi, Hanet e Mavrovës, -2 Veles, Pretor, Kumanovë, Kavadar dhe -1 gradë në Shkup – Zajçev Rid, Ohër, Pozharan, Krushevë.
Shkup - Deri në fund të javës moti do të jetë me diell dhe kryesisht i qetë. Në orët e mëngjesit dhe të natës në disa vende do të ketë paraqitje të mjegullës, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura maksimale do të jetë mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.
Tetovë – Tetë persona janë lënduar në aksidentin i cili ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:05 në aksin rrugor Gostivar – Tetovë, te nyja për dalje drejt fshatit Kamjan. Në aksident morën pjesë një automjet i udhëtarëve “Mercedes” me targa të Austrisë dhe një automjet i udhëtarëve “BMV” me targa të Tetovës. “Në aksident lëndime kanë marrë tetë persona të cilët me automjete të ndihmës mjekësore urgjente janë dërguar në Qendrën Klinike Tetovë”, informon SPB Tetovë.
Sarajevë – Marrëveshja e përgjithshme kornizë për paqe në Bosnjë e Hercegovinë, më e njohur si Marrëveshja Paqësore e Dejtonit, ishte nënshkruar në ditën e sotme para saktë 30 vjetëve, më 14 dhjetor të vitit 1995, në Pallatin e Eliseut në Paris, me çka përfundoi lufta katërvjeçare në BeH. Marrëveshjen Paqësore të Dejtonit e nënshkruan presidentët e tri palëve: presidenti i Bosnjës e Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, i Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe i Kroacisë, Franjo Tuxhman, në praninë e forcave botërore. Në aktin e nënshkrimit dëshmitarë ishin presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, presidenti i Francës, Zhak Shirak dhe kryeministri spanjoll Felipe Gonzales. "Kjo nuk është paqe e drejtë, por është më e drejtë sesa vazhdimi i luftës. Në këtë situatë dhe në këtë botë, një paqe më e mirë nuk mund të ishte arritur", deklaroi Alija Izetbegoviç pas ceremonisë së nënshkrimit në Paris.
Bruksel – Me rastin e 30-vjetorit të nënshkrimit zyrtar të Marrëveshjes së Dejtonit, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas dhe komisarja për Zgjerim, Marta Kos, dhanë deklaratë të përbashkët. Ato theksuan se me atë marrëveshja ka përfunduar një nga kapitujt më të errët në Evropë dhe është siguruar paqe e cila zgjat deri në ditën e sotme. Megjithatë, shtojnë ata, 30 vjet më vonë, ende ekzistojnë sfida të pazgjidhura nga e kaluara për Bosnjën e Hercegovinën. "Edhe pse ky vit ka përfaqësuar pengesa politike, vendi ka mbetur i qëndrueshëm. Qëndrimi në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE si një vend i bashkuar dhe sovran në një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt duhet të mbetet qëllimi përfundimtar", shkruan Kallas dhe Kos.
Bruksel – Disa të rinj nga provinca belge Antverpen ishin hospitalizuar gjatë javëve të kaluara, pasi kishin pirë cigare elektronike të mbushura me lëng nga “prodhimtaria vendore”, informuan mediat belge, duke iu referuar burimeve spitalore. Sipas këtyre informacioneve, një pjesë e të hospitalizuarve janë në gjendje shëndetësore “shumë shqetësuese”, ndërsa një tjetër ende është në gjendje kome. Analizat fillestare të gjakut të të hospitalizuarve tregojnë se ka mundësi që lëngu në cigaret elektronike të përmbante edhe komponentin psikoativ të kanabisit THC. Profesori i Universitetit në Antverpen, Filip Lardon thekson se gjatë përgatitjes së lëngut për cigare elektronike në kushte shtëpiake shpesh përzihen ilaçe, mariuhanë dhe droga sintetike.
Berlin - I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Stiv Uitkof dhe Xhared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Tramp, arritën në Berlin për ta udhëhequr delegacionin amerikan në bisedat për armëpushim në Ukrainë. Pritet që bisedat të mbahen mes delegacionit amerikan, përfaqësuesve ukrainas dhe përfaqësues të forcave kryesore evropiane. Hollësira për kohën e mbajtjes nuk u publikuan. Bisedat e para do të mbahen në nivel të këshilltarëve dhe pas dyerve të mbyllura. Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski e konfirmoi praninë e tij në Berlin, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius të premten deklaroi se Zelenski do të takohet me kancelarin Fridrih Merc të hënën.
Nju – Jork – Baza logjistike e Kombeve të Bashkuara në Sudan ishte goditur në një sulm me dron, me çka u vranë gjashtë paqeruajtës të Organizatës Botërore, njoftoi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh. Sulmi ishte drejtuar drejt bazës logjistike të KB-së në qytetit Kadugli në rajonin qendror Kordofon. Gjatë sulmit janë plagosur edhe tetë paqeruajtës, të të a.q. “helmeta të kaltra”. Të gjitha viktimat janë shtetas të Bangladeshit, të cilët shërbenin në Forcat e përkohshme të sigurisë së KB-së për Abjei (UNISFA).
Sidnei - Të paktën 12 njerëz, duke përfshirë edhe një nga sulmuesit, janë vrarë, ndërsa 29 janë lënduar në një sulm të armatosur në plazhin e njohur Bondi në Sidnei, kumtoi policia. Dy persona të armatosur sot kanë hapur zjarr gjatë tubimit publik me rastin e ditës së parë të festës hebraike Hanuka. Policia kumtoi se një i dyshuar është qëlluar për vdekje nga policë, ndërsa i dyti u arrestua dhe është në gjendje kritike. Mes të lënduarve ka edhe dy policë. Kryeministri i Uelsit të Ri Jugor. Kris Mins deklaroi se të shtënat masive kanë pasur për shënjestër komunitetin hebraik në Sidnei në ditën e parë të Hanukas.
Bangkok – Luftërat në konfliktin ndërkufitar ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan sot në orët e hershme të mëngjesit, me çka të dyja palët denoncuan sulme përgjatë frontit, edhe krahas përpjekjeve ndërkombëtare për ndërmjetësim, transmetoi DPA. Armëpushimi, për të cilin kryeministri i Malajzisë, Anvar Ibrahim bënte thirrje të hyjë në fuqi të shtunën në mbrëmje, ende nuk është zbatuar. "Riafirmoj angazhimin e palëkundur të Tajlandës për paqe. Por paqja duhet të jetë e vërtetë, e qëndrueshme dhe e bazuar në veprime që respektojnë marrëveshjet, jo në fjalë boshe", shkroi ministri i Punëve të Jashtme të Tajlandës, Sihasak Puangketkeov vonë mbrëmë në Iks.