• e martë, 20 janar 2026
MIA Flesh

18:00/14 janar/ 2026

Shkup - Pas gati tre orësh, në Klubin e Deputetëve përfundoi takimi i liderëve i iniciuar nga Kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilin duhej të bisedohej për ligjet reformuese të gjyqësorit, për zgjedhjen e avokatit të popullit, për Kodin zgjedhor dhe heqjen e qeverisë teknike, por edhe për çështje tjera me propozim të pjesëmarrësve në takim. Përveç Mickoskit, në takimin e partnerëve të koalicionit në Qeveri morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM dhe ministër i Administratës Publike Goran Minçev, si dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga Koalicioni "Vlen". Nga grupet opozitare të deputetëve të pranishëm janë liderët e të Majtës dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili e refuzoi thirrjen e Mickoskit, nuk erdhi në takim.

Shkup- Të hiqet qeveria teknike menjëherë, ndërsa nëse nuk ka pëlqim nga të gjithë autorët politikë, atëherë edhe zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare të mbahen me qeveri teknike dhe pastaj të hiqet, është qëndrimi i koalicionit "Vlen", që u parashtrua në takimin e sotëm të liderëve. Siç deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga koalicioni "Vlen" në takimin u parashtrua edhe kërkesa me ndryshimet e Kodit zgjedhor për t'u gjetur mundësia për pjesëmarrje më të madhe të votimit të diasporës. "Për njësitë zgjedhore nuk kemi qëndrim, më me rëndësi është, sido që vendoset, edhe për një njësi zgjedhore, të ketë lista të hapura", tha Kasami.

Shkup - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas takimit të liderëve, theksoi se ata janë për një njësi zgjedhore me prag zgjedhor prej pesë për qind dhe lista të hapura. Lidhur me idenë e kryeministrit Hristijan Mickoski për heqjen e qeverisë teknike, ai theksoi se duhet të konsultohen me BE-në dhe SHBA-në. "Lidhur me çështjen e qeverisë teknike, ne jemi të qëndrimit se duhet të konsultohemi shtesë me bashkësinë ndërkombëtare, faktorin ndërkombëtar dhe partnerët që janë bashkautorë të tekstit për qeverinë e Përzhinos - BE-në dhe SHBA-në", tha Ahmeti. Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ahmeti theksoi se ata i kanë prezantuar propozimet e tyre. 

Shkup– Gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje, ndërsa për qeverinë teknike në përgjithësi u pajtuam se duhet të mbetet në të kaluarën, deklaroi kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas takimit të sotëm të liderëve në Klubin e Deputetëve.  Sipas Mickoskit, nëse nuk ka pëlqim te të gjitha grupet parlamentare që të pranohet propozimi për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës, ajo të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme, dhe pastaj të hiqet.  Por, siç vlerësoi, do të duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për qeverinë sepse ka ndryshime në dikastere. 

Shkup - Takimin gati tre-orësh të liderëve në Klubin e deputetëve, të inicuar nga kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lideri i të "Majtës", Dimitar Apasiev e vlerësoi si "çuditërisht, për herë të parë konstruktiv", duke theksuar se në parim është rënë dakord që deri në fund të pranverës, në qershor të miratohet një Kod i ri Zgjedhor, megjithëse tha se për temat ekonomike, si dhe pagën minimale nuk kanë gjetur mirëkuptim.  "U diskutuan modalitetet. Një njesi zgjedhore, me ose pa census zgjedhor, lista të hapura ose të mbyllura. Komunikimi do të vazhdojë në nivelin e koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend me disa nga ministrat në Qeveri", shpjegoi Apasiev.

Shkup - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme i konfirmoi emrat e Valbon Limanit dhe Isen Shabanit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Oner Jakullovskit nga koalicioni "Maqedonia Juaj" dhe Arian Ibrahimit nga Partia Demokratike e Turqve, për kryetarë të rinj të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendra Zhupa. Zëdhënësi i KSHZ-së, Abdush Demiri tha se Komisioni i obligon komisionet zgjedhore komunale të veprojnë sipas Kodit zgjedhor dhe menjëherë t'i publikojnë rezultatet përfundimtare nga votimi i mbajtur më 11 janar. Angellço Ristov nga KSHZ-ja u përqëndrua në vendvotimin në Gostivar, ku nuk u realizua votim.

Shkup – Drejtoria e të Ardhurave Publike i mohon shkrimet në disa media se po hiqet masa “TVSH-ja Ime”.  “Ne theksojmë qartë dhe pa mëdyshje se nuk ka vendim për heqjen e masës ‘TVSH-ja Ime’ - masa zbatohet vazhdimisht, ndërsa të gjithë qytetarët mund ta përdorin aplikacionin dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre në përputhje me dispozitat ligjore. Në Buxhetin e vitit 2026 janë siguruar mjete për zbatimin e masës ‘TVSH-ja Ime’, duke siguruar kështu zbatimin e saj të qetë dhe të vazhdueshëm”, njoftoi sot DAP-i.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, sot u takua me Zhoao Kosta, drejtor i Agjencisë Evropiane për Nevoja të Veçanta dhe Arsim Gjithëpërfshirës (EASNIE), dhe me Ruta Svarinskaite, të cilët këto ditë janë për vizitë në vendin tonë. Siç informon MASH, Janevska theksoi shkëmbimi i përvojave dhe praktikave pozitive me vendet e Evropës dhe të botës ka një rëndësi të madhe për ne në këtë drejtim, dhe për këtë arsye gëzohemi që po bëhemi vend anëtar i Agjencisë Evropiane për Nevoja të Veçanta dhe Arsim Gjithëpërfshirës (EASNIE).

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar takim me përfaqësues të Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga kryetari Branko Azeski. Në takimin janë shqyrtuar iniciativat dhe format konkrete të përkrahjes për kompanitë e orientuara në eksport, duke përfshirë edhe organizimin e vizitave tematike me pjesëmarrje aktive të komunitetit afarist, avancimin e komunikimit me përfaqësitë diplomatike-konsullare, si dhe promovimin e kapaciteteve eksportuese të kompanive vendore para korit diplomatik në vend.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, realizoi takim me ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristof Zomer, ku u diskutua për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimin e reformave të ndërlidhura me agjendën evropiane, si dhe për prioritetet e Ministrisë për Çështje Evropiane në periudhën në vijim. Ministri Sali, siç informojnë nga kabineti i tij, theksoi se integrimi në BE dhe reformat e lidhura me këtë proces do të jenë në fokusin e tij, me qëllim forcimin e rolit koordinues të Ministrisë, avancimin e strukturave për negociata dhe operacionalizimin e mekanizmave për zbatimin e Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes.

Strugë – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot kreu mbikëqyrje të punëve ndërtimore të një pjese të bregut të lumit Drini i Zi.  Aktivitetet, siç thotë Qyra, ishin pas ankesave të qytetarëve për sanim të pllakave të thyera.  “Periudha e gjatë pa mirëmbajtje dhe investime në infrastrukturë ka çuar në probleme të përditshme që kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe efikase. Mekanizmi i rëndë që lëvizin përgjatë shëtitores kanë dëmtuar jo vetëm pllakat dhe materialet e tjera, por edhe infrastrukturën ujore”, tha Qyra. Gjatë realizimit të punëve ndërtimore, ai theksoi se ekipet kanë konfirmuar edhe dëmtim të gypave të ujësjellësit. 

Dibër – Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, sot realizoi takim me konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Agim Krasniqi, informuan nga komuna.  Në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Komunës Dibër dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe për mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta me interes të ndërsjellë.  Konsulli i përgjithshëm, Krasniqi ia ka uruar mandatin Melës me rastin e marrjes së funksionit kryetar i Komunës Dibër, duke i uruar punë të suksesshme dhe frytdhënëse në interes të qytetarëve. 

Uashington – SHBA-ja tërheq personel nga bazat ushtarake kyçe në Lindjen e Mesme, shkruan Skaj njuz dhe përkujton se SHBA-ja paraprakisht i këshillonte personelin që të largohet nga baza ushtarake kyçe në Katar.  Vendimi për tërheqjen e personelit nga bazat e Lindjes së Mesme, bën të ditur Skaj Njuz, është masë e kujdesit, duke pasur parasysh tensionet e rritura pas protestave në Iran dhe pasi një funksionar iranian deklaroi se Teherani do t’i qëllojë bazat ushtarake amerikane në rajon si hakmarrje për çfarëdo lloj sulmesh nga ana e Uashingtonit. SHBA-ja e tërhoqi personelin nga Irani në bazat ushtarake në rajon dhe pas luftës 12 ditore në qershor të vitit të kaluar.

Teheran – Shefi i diplomacisë iraniane, Abas Aragçi, gjatë takimit të sotëm me sheikun Abdulla bin Zajed Al Nahjan, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, deklaroi se është vendosur paqja në gjithë Iranin pas trazirave të fundit “të nxitura nga elemente terroriste të mbështetura nga Izraeli dhe SHBA-ja”.  “Falë vigjilencës së popullit dhe forcave të rendit, është kthyer paqja”, tha Arakçi, duke folur për protestat masive për të cilat tha se fillimisht ishin të qeta, por pastaj u bënë të dhunshme”, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve PressTV. Gjatë bisedës telefonike me sheikun Al Nahjan, Aragçi vlerësoi se trazirat në Iran kishin ndodhur si “rezultat i nxitjes së elementeve të caktuara terroriste nga ana e Izraelit dhe SHBA-së, me qëllim që protestat publike paqësore të shndërrohen në kaos”. 

QËNDRONI TË LIDHUR