18:00 / 17 dhjetor / 2025
Shkup – Kuvendi me 65 vota “për” dhe pesë vota “kundër” sot pasdite e miratoi “Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm”. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski në shpjegim theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë qëllim të qartë, dinjitoz dhe të pandryshueshëm kundër emigrimit të jashtëligjshëm. Potencoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk është dakorduar dhe nuk do të lejojë ndërtim të kampeve emigruese ose strehim të përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara me qëllim të cilat i dëgjojmë. Micevski theksoi se Rezoluta ka edhe rol të qartë parandalues – ajo dërgon porosi se çështjet në lidhje me sigurinë, emigrimin dhe paqen publike nuk guxojnë të jenë mjet i gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike.
Shkup - Kuvendi sot pasdite e vazhdoi seancën e 76-të dhe miratoi ligjet për ndryshimin e Ligjit për buxhetet, propozim- ligjin për garancinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për detyrimet sipas Marrëveshjes së huasë për financimin e projektit të EMV-së për Termocentralin fotovoltaik Manastir 3 i cili do të lidhet midis Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim dhe Shoqërisë aksionare për termocentralet e prodhimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut në pronësi shtetërore dhe Ligjin për garancinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për detyrimet sipas Marrëveshjes së huasë për financimin e Projektit të termocentralit fotovoltaik Manastir 3 dhe për financim shtesë të Projektit të rivitalizimit të hidroenergjisë i cili do të lidhet midis Bankës kreditore për rindërtim - KfV dhe Shoqërisë aksionare për termocentralet e prodhimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut në pronësi shtetërore- Shkup dhe Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për shpronësim, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Shkup - Pretendimet e LSDM-së nga konferenca e sotme për shtyp janë plotësisht të pabaza, të pasakta dhe paraqesin shpifje të rëndë dhe konstruksion të qëllimshëm, theksohet në kumtesën e sotme të qeverisë. "Përpjekjet e opozitës janë të qarta, të krijojë narrativa pa bazë faktike. Prandaj edhe një herë theksojmë se të gjitha të dhënat relevante janë publikisht të disponueshme dhe lehtësisht të verifikueshme përmes sistemeve elektronike zyrtare të institucioneve kompetente. Këto konstruksione të dobëta dhe të pa ide shpërbëhen lehtësisht me verifikimin më bazik", thonë nga qeveria. Prej atje theksojnë se bëhet fjalë për një prokurim publik të centralizuar për 20 ministri, me vendim të Qeverisë. Furnizimi i këtyre sistemeve ka për qëllim forcimin e sigurisë kibernetike të institucioneve përmes identifikimit në kohë të dobësive të sigurisë dhe mbrojtjes proaktive nga kërcënimet. Gjatë procedurës kishte dy oferta, ndërsa subjekti i përmendur kishte ofertën më të favorshme. Procedura u zhvillua pa asnjë vërejtje dhe pa asnjë ankesë të parashtruar.
Shkup - Kryeqyteti Evropian i Kulturës përfaqëson një mundësi për përfitime të rëndësishme kulturore dhe ekonomike, për transformimin urban dhe forcimin e profilit ndërkombëtar të qytetit, potencoi sot në Qytetin e Shkupit përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Ellse Hristensen Rexhepoviq, në një trajnim të mbajtur në kuadër të projektit "Kryeqyteti Evropian i Kulturës Shkupi 2028". Trajnimi ishte i dedikuar për institucionet kombëtare dhe publike të përfshira në projektin "Kryeqyteti Evropian i Kulturës Shkupi 2028" dhe ishte i fokusuar në proceset dhe detyrimet të cilat do të realizohen në vitet e ardhshme. Rexhepoviq, theksoi se thelbi i Kryeqytetit Evropian të Kulturës është bashkëpunimi dhe përfshirja e të gjithë sektorëve të shoqërisë, duke theksuar se bëhet fjalë për shumë më tepër sesa thjesht ngjarje kulturore.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka nënshkruar marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike të vendit. Ky hap i rëndësishëm ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës për stafin akademik dhe përforcimin e cilësisë akademike në nivelin e arsimit të lartë. U nënshkruan marrëveshje kolektive me sindikatat e universiteteve: "Goce Dellçev" – Shtip, Universitetin e Tetovës, "Shën Klimenti i Ohrit" – Manastir, "Nënë Terezë" – Shkup dhe "Shën Apostol Pali" – Ohër. Kuvendi në kumtesë thekson se "marrëveshjet kolektive janë një instrument i rëndësishëm për mbështetjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të arsimit të lartë në vend".
Shkup - Resurset publike janë të kufizuara. Angazhimi ynë, si ministri dhe si qeveri që nga viti në vit të orientojmë mjete gjithnjë e më të mëdha drejt shkencës dhe kërkimit, tregon vendosmërinë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në dije, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Fakultetin Juridik “Justiniani i parë” në Shkup, ku u prezantuan rezultatet paraprake të hulumtimit “Zgjidhje inovative shkencore për uljen e pabarazisë sociale dhe ekonomisë gri në Maqedoni përmes rregullativës tatimore”. Hulumtimi po realizohet nga ekipi i Fakultetit Juridik, me mbështetje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për stimulimin e projekteve kërkimore-shkencore. Maqedonia nuk mund të vazhdojë me praktikën e investimeve të vogla në shkencë. Shtetet e rajonit po i intensifikojnë investimet në zhvillimin shkencor-teknologjik dhe vend, nëse dëshi-ron të mbetet relevant edhe në skenën shkencore ndërkombëtare, është e domosdoshme të bëjë hap përpara drejt rritjes sistematike dhe domethënëse të mjeteve për kërkime, krijimit të infra-strukturës bashkëkohore dhe nxitjes së kapacitetit inovativ.
Shkup – Ngjarjet aktuale në Bullgari nuk duhet të ndikojnë në rrjedhën e procesit të ndërtimit të hekurudhës nga Korridori 8, vlerëson zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. “Punojmë edhe ne edhe Bullgaria. Mendoj se tashmë jemi në fazën ku politika nuk ka ndikim në gjithë këtë projekt”, thotë Nikolloski. Ai sot në deklaratë për media tha se bëhet fjalë për marrëveshje ndërshtetërore e cila sot pritet të ratifikohet nga ana jonë, ndërsa në takimin e fundit në Bruksel me nënkryetarin e Qeverisë bullgare, Grozdan Karaxhov, mori premtim se edhe Kuvendi bullgar do ta bëjë të njëjtën gjë.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, dje dhe sot po qëndron për vizitë pune në Bruksel. Në kuadër të vizitës, siç theksohet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, pritet që samiti i sotëm të jetë një mundësi e rëndësishme për të konfirmuar përcaktimin strategjik të Bashkimit Evropian për zgjerim në Ballkanin Perëndimor - një mesazh që është i mirëpritur dhe dërgon një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin.
Shkup - Anëtarët e Komisionit Parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhanë mbështetjen e tyre në seancën e sotme për Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për vërtetimin e politikave kundër migracionit të paligjshëm, të parashtruara nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në arsyetimin e tij theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kishin një politikë të qartë, konsistente dhe të pandryshueshme kundër migracionit të paligjshëm. Ai theksoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk ka negociuar dhe nuk do të lejojë ndërtimin e kampeve të emigrantëve apo akomodimin e përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi ai, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara qëllimisht që i dëgjojmë.
Shkup - Me ndarjen e çmimeve për pjesëmarrësit më të suksesshëm, sot në Europe House Shkup u përmbyll zyrtarisht edicioni i dytë i lojës online dhe interaktive për të drejtat e njeriut “NAVIGATOR 2.0”, e cila përmes lojës kishte për qëllim edukimin e të rinjve për të drejtat e njeriut në një mënyrë moderne dhe të qasshme. Gjatë ngjarjes u shpallën fituesit e çmimeve, të cilët arritën rezultatet më të mira gjatë lojës. Çmimin kryesor, një kupon me vlerë prej 60.000 denarësh për blerjen e pajisjeve elektronike dhe IT, e fitoi Sanja Gashçeovska nga Berova, e cila u përzgjodh me short nga një bazë prej rreth 5.200 aplikimesh valide që kishin kaluar sfidën e fitimit të 1.000 pikëve, duke fituar kështu të drejtën për të hyrë në garën finale për çmimin kryesor.
Kumanovë - Komisioni Shtetëror Zgjedhorë (KSHZ) në mbledhjen e sotme përcaktoi renditjen në fletën e votimit për zgjedhjet lokale të përsëritura në komunat Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupë dhe Mavrovë dhe Rostushë. Në zgjedhjet lokale të ardhshme që do të mbahen më 11 janar të vitit të ardhshëm, VLEN-i do të jetë nën numrin rendor 1, koalicioni "Maqedonia Jote" i udhëhequr nga VMRO-DPMNE nën numrin 2, AKI nën numrin 3, koalicioni i udhëhequr nga LSDM nën numrin 4, kandidati i pavarur, Zulhajrat Demiri nën numrin 5 dhe Partia Demokratike e turqve në Maqedoni nën numrin 6. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme të 162-të zhvilloi shortin publik për renditjen në fletën e votimit për zgjedhjet e përsëritura që do të mbahen në këto komuna. Më parë, siç theksoi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, komisionet zgjedhore komunale kanë konfirmuar listat për zgjedhjet.
Shtip – Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski sot gjatë vizitës në Universitetin e Shtipit “Goce Dellçev” paralajmëroi se nga 1 janari përveç që sindikatat do ta llogarisin shportën minimale konsumatore edhe ata si Qeveri do të bëjnë llogaritje për shportën mesatare konsumatore, e cila do të jetë për të paktën një familje me katër anëtarë. Në këtë temë do të bisedohet në Këshillin Ekonomik – Social, i cili është caktuar më 22 dhjetor. “Një nga pikat sigurisht që do të jetë llogaritja e shportës mesatare konsumatore, e cila u vendos në mbikëqyrje të sindikatave dhe punëdhënësve për ta parë, nëse e miratojnë. Nga 1 janari, përveç shportës minimale sindikale, do të kemi edhe një shportë mesatare konsumatore në nivel të Republikës së Maqedonisë, e cila do të jetë e dobishme për ne si ekonomi dhe qeveri për strategji të mëtejshme në politikat ekonomike dhe sigurisht për ruajtjen e standardit të jetesës”, thotë Risteski.
Prishtinë - Prokuroria Themeleore në Prishtinë publikoi se po zbaton një operacion gjithëpërfshirës në rajonin e Prishtinës, së bashku me policinë e Kosovës, me qëllim luftën kundër shërbimeve të paligjshme për botoks. Ekziston dyshimi i bazuar se shërbimet estetike ofroheshin në 15 hapësira duke përdorur produktin mjekësor botoks, megjithëse, sipas ligjit, shërbime të tilla mund të ofrohen vetëm nga personel i certifikuar. Siç është paralajmëruar, operacioni ka për qëllim të sekuestrojë prova që do të konfirmojnë "kepërdorimin e detyrës zyrtare", "kryerjen e paligjshme të aktiviteteve mjekësore", dhe "tregtinë e paligshme".
Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Koshta. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Bruksel u mirëprita nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Koshta. Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Tiranë - Brukseli e mbështet ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave, teksa e përgëzon Tiranën zyrtarë për përparimin e deritanishëm. Një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian thotë se e rëndësishme është garantimi i pavarësisë së drejtësisë ndërsa inkurajon Prokurorinë e Posaçme të punojë për rekorde të tjera në fushën korrupsionit dhe krimit të organizuar. Avancimi i Shqipërisë me negociatat dhe reformat në rrugën drejt integrimit është përgëzuar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët e nxitin Tiranën të avancojë me sundimin e ligjit, gjë që do t'i lejonte vendit të fillonte mbylljen provizore të kapitujve negociues.
Cyrih – Gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë milionë dollarë rekorde do të jetë vlera e fondit shpërblyes për Kampionatin Botëror 2026, që është rritje prej 50 për qind në krahasim me Kampionatin paraprak 2022 në Katar, njoftoi sot pasdite Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA). Çdo përfaqësuese që do të kualifikohet për Kampionatin Botëror do të fitojë edhe 1,5 milionë dollarë për shpenzime për përgatitje, që nënkupton se FIFA do tu paguajë gjithsej 727 milionë dollarë pjesëmarrësve në Kampionatin Botëror i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kampioni botëror do të mbledhë 50 milionë dollarë, ndërsa nënkampioni 33 milionë dollarë.
Romë - Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni, para deputetëve në Dhomën e Poshtme në Parlament, deklaroi se armiku më i madh i Bashkimit Evropian nuk është jashtë bllokut, por më tepër pavendosmëria. "Jemi të bindur se kompleksiteti i këtij momenti kërkon një qasje pragmatike të aftë të shkojë përtej dogmatizmit ideologjik. Besoj se kjo është mënyra më e mirë për t'iu përgjigjur strategjisë së re të sigurisë së Amerikës. Është e pakuptimtë dhe e dëmshme të nisësh sulme kundër një armiku imagjinar, armiku i vërtetë është paaftësia jonë për të gjetur zgjidhje", theksoi Meloni para Samitit të ardhshëm të BE-së. "Ajo deklaroi se nuk do të ishte e lehtë të gjendej një mënyrë ligjore për të përdorur llogaritë e ngrira të Rusisë për financimine Ukrainës.
Paris - Ministria e Punëve të Brendshme e Francës disa ditë ka qenë në shënjestër së sulmeve të hakerëve, pas çka janë kompromentuar postat elektronike të punonjësve, por hakerët kishin dhe qasje deri te dosjet e ndjeshme të policisë. Ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Loran Nunjez, pretendon se Ministria ishte qëllimi i hakerëve. Ai theksoi se hakerat arritën të kenë qasje deri në "kutitë të caktuara profesionale postare", dhe në këtë mënyrë morën kodet e qasjes. Kjo u lejoi atyre të shihnin një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin për përpunimit e të dhënave penale dhe regjistrin e personave të kërkuar.
Doha - Zëvendëskryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për Qeverisje të mirë, Arben Fetai, mori pjesë në Sesionin e 11-të të Konferencës së shteteve palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (COSP11) e cila po mbahet në Doha. Zëvendëskryeministri Fetai foli në panelin kushtuar strategjive gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit në Evropën Juglindore, ku theksoi se politikat dhe strategjitë kundër korrupsionit japin rezultate të qëndrueshme vetëm kur mbështeten nga udhëheqje e fortë qeveritare, koordinim efektiv institucional dhe përfshirje aktive e shoqërisë civile.
Ankara – Me kërkesë të Turqisë Interpoli shpalli fletëarrest të kuq për një të dyshuar për zhdukjen e 25 kilogramë arë dhe 55 kilogramë argjend nga një depo gjyqësore në Stamboll. Nëpunësit gjyqësorë në fillim të muajit konfirmuan se nga depoja e Gjykatës në qarkun e Stambollit Bujukçekmexhe, ku ruheshin dëshmi, mungojnë arë dhe argjend, vlera e të cilave vlerësohet mbi 147 milionë lira (tre milionë euro). Ata vërejtën edhe se një kohë të gjatë mungonte një koleg i tyre.
Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin sot deklaroi se qëllimet e Rusisë në Ukrainë "padyshim do të realizohen", veçanërisht qëllimet territoriale, duke i hedhur poshtë si "absurde" pretendimet e disa në Evropë se Rusia është një kërcënim për ta. "Qëllimet e operacionit special ushtarak padyshim do të realizohen", tha Putini gjatë një takimi me përfaqsuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai gjithashtu tha se nëse Ukraina dhe Perëndimi heqin dorë nga negociatat paqësore, Rusia me dhunë do t'i merr territoret që i kërkon në Ukrainë. "Ne preferojmë të arrijmë dhe të eliminojmë arsyet e thella të konfliktit përmes diplomacisë, por nëse vendi kundërshtar dhe mbrojtësit e tij të huaj refuzojnë të angazhohen në bisedime thelbësore, vendi ynë do ta arrijë këtë përmes mjeteve ushtarake", tha Putini.
Milano – Mbrojtësi i djathtë i Interit, Denzel Demfris (29) i është nënshtruar një operacioni në kyçin e këmbës së majtë dhe do të jetë jashtë fushës për dy deri në tre muaj, bëjnë të ditur mediat italiane. Reprezentuesi holandez tashmë një kohë të caktuar ka problem me një dëmtim në kyçin e këmbës dhe pas konsultimit me specialistë ka vendosur t'i nënshtrohet një operacioni. Demfris është operuar të martën në Klinikën Fortius në Londër. Demfris luajti ndeshjen e tij të fundit më 9 nëntor në kampionatin italian kundër Lacios.