• e premte, 17 prill 2026
MIA Flesh

12:00/ 16 prill/ 2026

Shkup - Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Turqisë, me rastin e pjesëmarrjes në Forumin e pestë Diplomatik në Antalia, i cili mbahet nga 17 deri më 19 prill, me temë "Hartëzimi i së ardhmes, menaxhimi me pasiguritë". Siç kumtoi kabineti i Siljanovska-Davkovës, para fillimit zyrtar të forumit, presidentja sot në Stamboll do të zhvillojë një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Siljanovska-Davkova nesër do të mbajë fjalim në "Panelin e Lidershipit" në Forumin Diplomatik në Antalia, i cili do të moderohet nga Mevlut Çavushoglu, ish-Ministër i Punëve të Jashtme, deputet i Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe shef i Delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Shkup - Gjoba mbi 19 mijë euro kanë shqiptuar shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ndaj operatorëve të ushqimit, në kuadër të 1.221 kontrolleve të jashtëzakonshme që u realizuan para festave të Pashkëve, njoftojnë nga AUV. "Janë asgjësuar edhe më shumë se 272 kilogramë ushqim i pasigurt, pjesa më e madhe me origjinë shtazore. Gjithashtu, në mënyrë të sigurt janë asgjësuar në deponinë "Drisla" edhe më shumë se 40 tonë vezë të pasigurta me origjinë nga Serbia fqinje, të cilat u penguan të kontrabandoheshin në vend", thuhet në njoftimin e AUV.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski ndau fotografi nga vrapimi mëngjesit nëpër Shkup me homologun e tij belg Maksim Prevo, i cili prej dje ndodhet për vizitë në vend. “Këtë mëngjes, së bashku me kolegun dhe mikun tim, ministrin belg të Punëve të Jashtme, Maksim Prevot, e nisëm ditën ndryshe – me një vrapim të mëngjesit prej 6 km nëpër Shkup. Gjashtë kilometrat nëpër qytet ishin një mundësi e shkëlqyer, në një atmosferë joformale dhe sportive, për të ndarë një pjesë të energjisë së Shkupit dhe për t’ia afruar delegacionit belg tiparet dalluese të kryeqytetit tonë,” shkroi Mucunski në profilin e tij në Fejsbuk. 

Shkup - Propozim-ligji për arsimin e lartë nuk është hartuar pas dyerve të mbyllura, por përmes debateve me universitetet, ai është një zgjidhje e përbashkët me komunitetin akademik dhe besoj se do të japë rezultate. Ky nuk është ligj i Qeverisë, kjo nuk është çështje politike, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit dhe e të rinjve tanë, të cilët aktualisht nuk po e njohin cilësinë në arsimin e lartë vendor. Këtë e deklaroi kryeministri Hristian Mickoski në një konferencë për shtyp në Qeveri, me rastin e pakos së ligjeve për arsimin e lartë dhe për shkencën, të cilat janë në procedurë qeveritare. Në konferencën për shtyp, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe në prani të rektorëve të shtatë universiteteve publike, ai theksoi se duhet të ndalen eksperimentet dhe të zbatohen zgjidhje sistematike, sepse, siç tha ai, arsimi është themeli i çdo shoqërie.

Shkup- Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot e hapi tryezën e rrumbullakët "Nga Politika në Praktikë: Prioritetet e Mjedisit brenda Programit LIFE", duke vënë në dukje se Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para në rajon që ka qasje në këtë instrument kyç evropian. Siç thuhet në kumtesën e MMJPH-së, ministri theksoi se në partneritet me "K&S Skopje" tashmë po punohet për të forcuar kapacitetet kombëtare, me qëllim maksimizimin e përdorimit të fondeve të BE-së për një tranzicion të gjelbër dhe një ekonomi me efikasitet energjetik. Hoxha theksoi se programi LIFE nuk është vetëm një fond, por një mekanizëm për një tranzicion të gjelbër drejt një ekonomie me efikasitet energjetik dhe mjedis të shëndetshëm jetësor.

Shkup - Delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga deputetët Petar Risteski dhe Fatmir Bytyqi, mori pjesë në punimet e mbledhjeve të Komitetit të Përhershëm dhe Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energjetikë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e PBEJL) që u mbajtë dje në Sofje, Bullgari. Mbledhjet mbahen në kuadër të Kryesimit Bullgar të PBEJL 2025-2026. Të dyja mbledhjet u kryesuan nga Ilijana Zekova, deputete e Parlamentit të Bullgarisë. Deputetëve iu drejtua Ivajlo Jordanov nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, i cili prezantoi prioritetet e kryesimit bullgar të PBEJL.

Uashington- Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, si pjesë e Takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët në të cilën u prezantua programi pesëvjeçar për zhvillimin e kapaciteteve të Qendrës së re Rajonale të Ndihmës Teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Evropën Juglindore (SEETAC). Qendra, e cila është planifikuar të fillojë me punë më së voni deri në janar të vitit 2027, do të jetë pjesë e rrjetit global të FMN-së për zhvillimin e kapaciteteve dhe do të ofrojë mbështetje për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë në përforcimin e institucioneve, krijimin e politikave dhe zbatimin e reformave në përputhje me standardet evropiane.

Shtip - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe e Ekonomisë dhe Punës së bashku bëjnë skrining të importuesve të plehrave artificiale, informoi sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, i cili sot u përgjigj pyetjeve të gazetarve para hapjes së Këshillimit shkencoro-profesional ndërkombëtrar "Agro-shkenca dhe praktika 2026" (ASHP-2026) në Fakultetin bujqësor pranë Universitetit "Goce Dellçev" - Shtip. Tripunovski paralajmëroi se në takimin e përbashkët nesër pritet të miratohen masa, të cilat do ta parandalojnë goditjen e çmimeve, pasi ka rritje të çmimit të plehrave artificiale. Skriningu është në pjesën e asaj se me cilat çmime janë importuar plehrat artificiale dhe cili është marzhi, të cilin e kanë përdorur në pjesën e shitjes.

Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Romë do të ketë takim zyrtar me kryeministren e Italisë, Xhorxha Meloni në pallatin Çigi. "Takimi i cili u publikua në ueb faqen e kabinetit të kryeministres italiane është planifikuar për në orën 15:00 dhe pritet që bashkëbiseduesit të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, si dhe situatën e sigurisë në nivel global", bënë të ditur mediat shqiptare. Ky takim midis dy kryeministrave vjen pas seancës së parë ndërqeveritare Itali-Shqipëri të mbajtur në Romë në nëntor të vitit 2025 ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi.

Ankara- Policia turke ka arrestuar 83 persona, ka bllokuar 940 llogari në mediat sociale dhe ka mbyllur 93 grupe në aplikacionin e mesazheve Telegram për publikime që ndikojnë negativisht në shoqëri dhe lartësojnë krimin dhe kriminelët. Masat u ndërmorën si pjesë e hetimeve për të shtënat në shkollat në Kahramanmarash dhe Shanliurfa, bëri të ditur policia në faqen e saj zyrtare në Fejsbuk. Nëntë persona u vranë, ndërsa trembëdhjetë u lënduan pasi një nxënës 14 vjeçar në një shkollë në Kahramanmarash hapi zjarr ndaj tyre dje. Një ditë më parë, një ish nxënës 19 vjeçar në një shkollë në Shanliurfa hapi gjithashtu zjarr ndaj shkollës, duke plagosur 16 persona. Të dy autorët e sulmit u gjetën të vdekur.

Kiev - Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se kanë rrëzuar 31 raketa ruse dhe 636 dronë gjatë 24 orëve të fundit. “Gjatë kësaj periudhe, armiku kreu dy valë sulmesh të kombinuara në territorin e Ukrainës duke përdorur raketa të lëshuara nga lançuesit tokësorë dhe ajrorë, si dhe dronë sulmues”, thuhet në kumtesën e Forcave Ajrore në aplikacionin Telegram. Shtuan se u zbuluan gjithsej 703 objektiva ajrore ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes kumtoi se forcat e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 207 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë natës.

Kiev – Tetë persona ishin vrarë, ndërsa 12 ishin plagosur gjatë sulmit të natës me masa të përziera në Odesë, njoftoi shefi i administratës ushtarake rajonale të Odesës, Oleg Kiper, në kanalin e tij në Telegram. “Natën, rusët masivisht e sulmuan Odesën. Qyteti përjetoi disa valë të sulmeve të përziera me raketa dhe fluturake pa pilot. Dëme u shkaktuan në objektet e infrastrukturës portuale, kritike dhe banesore. Muret e fasadës dhe xhamat u shkatërruan në të paktën tre objekte banesore, si dhe në një konvikt studentor dhe ndërtesat fqinje", raportoi Kiper. Si rezultat i granatimit, shpërthyen zjarre në disa lokacione të caktuara infrastrukturore. Po punohet në lokalizimin e pasojave. 

Teheran - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi paralajmëroi për "pasoja të rrezikshme" nga pozitat dhe veprimet amerikane në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit. Aragçi gjatë bisedës telefonike me kolegun e tij kinez, Vang Li deklaroi se "veprimet provokative" nga ana e SHBA-së në mënyrë shtesë do ta komplikojnë situatën në rajon, duke aluduar në tentimet e Uashingtonit që t'i vendos, siç tha, "bllokadë detare" Iranit dhe të ndikojë në qarkullimin e anijeve në ngushticë. Në bisedën me funksionarin kinez, ministri iranian i ka përmendur edhe ngjarjet më të reja në rajon, pasi SHBA-ja shpalli ndërprerje dyjavore të sulmeve ndaj Iranit.

Uashington – Raundi i ardhshëm i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit sipas gjitha gjasave do të mbahet në Islamabad, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Levit.  Ajo theksoi se Pakistani është ndërmjetësuesi i vetëm në bisedime, për të cilat tha se “janë produktive dhe në vijim”.   Leviti i demantoi raportimet e mediave se Uashingtoni ka kërkuar vazhdimin e armëpushimit aktual.  “Pashë raportime këtë mëngjes, një raport të pasaktë se ne kemi kërkuar zyrtarisht zgjatje të armëpushimit. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi të angazhuar intensivisht në negociata në këtë kohë", tha ajo.

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përgatisin "një seri planesh emergjente" që lidhen me Kubën dhe mbeten të gatshëm të zbatojnë urdhrat e presidentit Donald Tramp. Nga Pentagoni në përgjigjen ndaj pyetjes nga mediat ruse, nëse SHBA planifikon operacion ushtarak kundër Havanës, thonë se nuk do të komentojnë "skenarët hipotetike", por konfirmojnë ekzistimin e planeve të ndryshme operative që mund të aktivizohen nëse është e nevojshme. Mediat amerikane bënë të ditur se Pentagoni tashmë ka filluar përgatitjet për një operacion të mundshëm në Kubë, duke cituar burime të informuara.

Uashington - Republikanët në Senatin amerikan kanë bllokuar tentimin e demokratëve për t'i dhënë fund luftës në Iran të cilin e filloi presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, informojnë mediat amerikane. Votimi përfundoi me 47 vota "për" dhe 52 "kundër", bën të ditur En-Bi-Si Njuz, me vlerësimin se rezultati i votimit për rezolutën që do të kufizonte autorizimet e luftës konfirmon se republikanët ende e mbështesin Trampin dhe miratojnë vazhdimin e luftës, megjithëse anketat tregojnë se presidenti amerikan është shumë jopopullor. Senatori Rand Pol, republikan nga Kentaki ka qenë i vetmi nga partia e tij që votoi për propozimin e demokratëve, ndërsa senatori Xhon Feterman, demokrat nga Pensilvania i vetmi demokrat që votoi kundër.

Teheran – Një këshilltar i lartë ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit paralajmëroi se Irani do të fundosë anije amerikane në Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-ja bën përpjekje ta “kontrollojë” rrugën ujore strategjike, njoftoi Anadollia.  Mohsen Rezai në deklaratën e publikuar nga televizioni shtetëror iranian tha se SHBA-ja nuk ka kurrfarë roli në kontrollin e ngushticës.  "Zotëri Trampi dëshiron të bëhet polic i Ngushticës së Hormuzit. A është kjo me të vërtetë puna juaj? A është ajo puna e ushtrisë së fuqishme si SHBA-ja?", tha Rezai, duke aluduar në presidentin amerikan Donald Tramp.

Tel Aviv - Kabineti izraelit për siguri po shqyrton një armëpushim njëjavor në Liban për shkak të presionit nga SHBA. "Vlerësimi ynë është se brenda pak ditësh nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të ndërpresim plotësisht zjarrin në Liban", tha një burim i lartë politik izraelit për Kanal 12 pas takimit të kabinetit që përfundoi vonë mbrëmë, bën të ditur "Tajms of Izrael". Mediat bëjnë të ditur se SHBA po ushtron presion ndaj Izraelit që të bie dakord për armëpushim të përkohshëm njëjavor i cili thuhet se do të ndihmojë bisedimet e mbështetura nga SHBA midis Izraelit dhe Libanit, si dhe përpjekjet e Uashingtonit për të arritur marrëveshje me Iranin për t'i dhënë fund luftës në atë vend.

Munih – Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, akuzoi gjyqtarin se e prishi ndeshjen e mbrëmshme me Bajernin duke përjashtuar mesfushorin Eduardo Kamavinga në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së kampionëve. Ndeshja u luajt në "Alianc arena" në Munih dhe përfundoi me rezultat 4:3 në favor të ekipit vendas. Kamavinga mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 86-të për një ndërhyrje ndaj sulmuesit të Bajernit, Hari Kejn dhe më pas refuzoi ta kthente topin. Ndeshja u drejtua nga gjyqtari slloven, Sllavko Vinçiq.

Munih- Sulmuesi i Bajernit të Munihut, Hari Kejn u përqëndrua në fitoren 4:3 ndaj Realit të Madridit mbrëmë në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve. "Ishte ndeshje e vështirë. E dimë sa është vështirë të luani kundër Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve. Qartë është se ky klub ka lidhje të veçantë me këtë garë. Për ta fituar Realin e Madridit dhe ta diskualifikoni nga Liga e Kampionëve, duhet të jeni në nivelin më të lartë. Pjesa e parë ishte pak e çmendur, Bajerni nuk e filloi mirë, por pastaj u stabilizuam. Megjithatë, mysafirët ishin të shkëlqyeshëm në kundërsulme, e ne u ndëshkuam disa herë. Në pjesën e dytë kemi vendosur të kemi durim. E dinim se do të bëhemi më të fuqishëm siç po kalonte koha dhe arritën t'i realizojmë shanset tona", tha Kejn pas ndeshjes.

QËNDRONI TË LIDHUR