• e enjte, 15 gusht 2024

Mexhiti: Karakteristikë e BDI-së është të bëjë festë partiake për Marrëveshjen kornizë jashtë institucioneve

Mexhiti: Karakteristikë e BDI-së është të bëjë festë partiake për Marrëveshjen kornizë jashtë institucioneve

Shkup, 13 gusht 2024 (MIA) – Kremtimi ndaras i Marrëveshjes kornizë nga ana e BDI-së është festë partiake, vlerëson zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti duke komentuar “kremtimin paralel” të BDI-së në përvjetorin e Marrëveshjes kornizë që mbahet sot në mesditë, para seancës së caktuar të qeverisë lidhur me këtë rast.

Sipas Mexhitit, MO ka qenë marrëveshje se si do të funksionojë shteti, "jo marrëveshje se si do të mbijetojë vazhdimisht në pushtet një parti politike".

I pyetur për koment pas panel- diskutimit kushtuar 23 vjetorit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, Mexhiti vlerësoi se për BDI-në është karakteristike se kur ishin në pushtet “ta devalvojnë Marrëveshjen kornizë me koncerte dhe organizime jashtë institucioneve”.

"Dhe kësaj radhe kur institucionalisht festohet përvjetori i Marrëveshjes kornizë, ata përsëri bëjnë të njëjtën gjë, pra bëjnë festë partiake. Asgjë ndryshe, si gjithmonë BDI është jashtë rrjedhave normale, rrjedhave institucionale", shton Mexhiti.

Në pyetjen lidhur me paralajmërimet për destabilizim të mundshëm nga partia e Ali Ahmetit, Mexhiti tha se ata nuk kanë “kauzë për demonstrata dhe protesta” dhe se nuk mund të mësohen të jenë opozitë pas 20 vitesh në pushtet.

"Është e vërtetë se ka biseda dhe kur ulen duan të shkatërrojnë, ju duhet mjegull sepse pas 20 vitesh janë opozitë dhe nuk mund të përballen me realitetin. Por kjo nuk do të thotë se kanë kauzë për demonstrata dhe protesta sepse nuk mund të jetë kauzë e shqiptarëve ‘Soravia’ dhe marrëveshje të tilla korruptive", tha Mexhiti, partia e të cilit Lëvizja Demokratike është pjesë e koalicionit "VLEN" që merr pjesë në koalicionin qeveritar.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR