• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Memeti është marrë vesh me Prokurorinë për "pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm", vijon procedura për marrëveshje edhe me gjykatësin suprem Georgiev

Memeti është marrë vesh me Prokurorinë për

Shkup, 14 gusht 2024 (MIA) - Anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publikë Ixhet Memeti e ka pranuar fajin dhe është marrë vesh me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për dënim burg me kusht prej një viti dhe ndalesë për kryerje të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së personit zyrtar në periudhë prej tre vjet për veprën penale "pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm", informojnë nga Prokuroria Themelore Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Memeti më parë, siç informojnë nga PPRMV, ka parashtruar dorëheqje të parevokueshme si anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të cilën e ka dorëzuar në Kuvendin e RMV-së. 

Propozim - Marrëveshja me të gjitha dëshmitë e grumbulluara i është dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup e cila duhet të caktojë seancë për vlerësim të propozim-marrëveshjes dhe nëse e njëjta vlerësohet si e pranueshme, gjykata kompetente do të parashtrojë dënim i cili bazohet në propozim - marrëveshjen. 

Gjykatësi suprem Nake Georgiev, i cili ishte kapur in flagranti në kryerjen e veprës penale "pranim i shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm", siç informojnë nga PPRMV, gjithashtu ka parashtruar nismë për lidhjen e marrëveshjes dhe po vijon procedura për lidhjen e propozim marrëveshjes me të cilën do të konfirmohej dënimi efektiv me burg, ndërsa për rezultatin publiku do të njoftohet me kohë. 

Nga PPRMV informojnë se prokurori publik i lëndës nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas procedurës së zbatuar, ndërsa para parashtrimit të aktakuzës, lidhi Propozim-marrëveshje me të dyshuarin I.M. për të cilin ekzistonte dyshimi se ka kryer vepër penale Pranim të shpërblimit për ndikimin e jashtëligjshëm nga neni 359 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal për të cilin është shënuar dënim me burg prej 1 deri 5 vjet. 

"Paraprakisht, me nismën e dorëzuar për marrëveshje, i dyshuari I.M në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme si anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë, të cilën e ka dorëzuar në Kuvendin e RMV-së. Palët janë pajtuar që i dyshuari I.M. për veprën e kryer duhet të dënohet me masë alternative-dënim me kusht me burg prej një viti, i cili nuk realizohet nëse i dyshuari brenda tre vjetëve nuk kryen vepër të re dhe gjykata duhet të shqiptojë edhe Ndalesë për ushtrim të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit për një periudhë 3 (tre) vjeçare, sepse ka keqpërdorur profesionin, veprimtarinë ose detyrën për kryerjen e veprës penale dhe në bazë të natyrës së krimit të kryer dhe rrethanat në të cilat është kryer, mund të pritet që ai të keqpërdor këtë veprimtari për të kryer sërish vepër penale", thuhet në kumtesën e PPRMV-së.

I përballur me dëshmitë e grumbulluara, thuhet në kumtesën e Prokurorisë, i dyshuari I.M. me vetë nënshkrimin e propozim-marrëveshjes e pranoi fajin, gjegjësisht nuk e kontestoi veprën penale për të cilën akuzohet dhe është dakorduar me sanksionin e propozuar penal. 

"Sipas përshkrimit që përmban dispozitivi i propozim-marrëveshjes, ai pas marrëveshjes së mëparshme me të dyshuarin e parë N.G. ka përdorur ndikimin e vërtetë, pozitën zyrtare dhe reputacionin e tij si nënkryetar dhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në një datë të pacaktuar, gjatë muajve prill dhe maj 2024, përmes N.G. i ka përcjellë dëshmitarit se dyshohet se ka ndërhyrë për të penguar kryerjen e një akti zyrtar që do të duhej të kryhej - paraqitja e aktakuzës në lidhje me procedurën penale kundër babait të dëshmitarit të dyshuar për veprën penale Prodhimi dhe vendosja e paautorizuar në qarkullim e drogave narkotike dhe substancave psikotrope nga neni 215 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Lidhur me rastin penal që është zhvilluar në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër babait të dëshmitarit, I.M paraprakisht është njoftuar nga N.G. Gjatë disa komunikimeve të ndërsjella përmes aplikacionit në internet Uatsab N.G. në prani të dëshmitarit ka biseduar me I.M., i cili nuk ka ditur se edhe dëshmitari po i dëgjonte bisedat. Në njërën prej atyre bisedave, dëshmitari mësoi se gjoja nga I.M. është dhënë urdhër për marrëveshje me babanë e dëshmitarit dhe se do të aprovohet kërkesa për lidhjen e propozim marrëveshjes me të dyshuarin - babain e dëshmitarit. Në të njëjtën kohë, i dyshuari N.G. i është paraqitur se me rastin e përcaktimit të llojit dhe masës së dënimit do të propozohet dhe përcaktohet dënimi me burg prej 5 (pesë) vitesh, si dënim minimal për veprën në fjalë, i cili si i tillë do të miratohet më vonë dhe se është rezultat i ndërhyrjes së tyre", informojnë nga PPRMV.

Nga Prokuroria, theksojnë se i dyshuari I.M. në praninë e avokatit të tij me vetëdije dhe vullnetarisht e pranoi Propozim - marrëveshjen dhe pasojat të cilat dalin nga ajo dhe hoqi dorë nga e drejta e ankesës nëse merret Vendim me të cilin pranohet propozim - marrëveshje. 

Propozim - Marrëveshja me të gjitha dëshmitë e grumbulluara i është dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup i cili duhet të caktojë seancë për vlerësim të propozim - marrëveshjes dhe nëse e njëjta vlerësohet si e pranueshme, gjykata kompetente do të marrë vendim i cili bazohet ndaj propozim-marrëveshjes. 

Procedura hetuese kundër dy personave kishte filluar më 20 maj të këtij viti kur gjykatësi suprem Nake Georgiev ishte kapur in flagranti në kryerjen e veprës penale. "Duke pasur parasysh faktin se me veprimet e N.G. janë përmbushur qeniet e ligjshme të formës së kualifikuar të veprës penale nga neni 359 nga paragrafi 7, për të cilën është pezulluar dënimi me burg prej 1 deri në 10 vjet, pas nismës së parashtruar për marrëveshje edhe nga i dyshuari N.G., vijon procedura për lidhjen e propozim marrëveshjes me të cilën do të konfirmohej dënimi efektiv me burg, ndërsa për rezultatin publiku do të njoftohet me kohë", informojnë nga Prokuroria publike. 

Nga PPRMV theksojnë se propozim - marrëveshja përdoret kur ka pranim të fajësisë, pra thjeshtësohen rregullat e procedurës, nuk nxiren prova lidhur me gjendjen faktike dhe procedura është e thjeshtë, e shpejtë dhe efikase sepse gjykata vetëm duhet ta shqiptojë sanksionin. Një nga arsyet e pranimit të marrëveshjes për sanksionin penal është përpjekja për shkurtimin e kohëzgjatjes së procedurës penale në rastet kur gjendja faktike është e padiskutueshme për të dyja palët, kur prokuroria ka prova të mjaftueshme në lidhje me ngjarjen penalo-juridike, me çka edhe pa kryerjen e provave të marra, gjyqtari do të mund të japë një gjykim të bazuar, ligjor dhe të drejtë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR