• e premte, 27 dhjetor 2024

Mekanizimi për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor- temë kryesore e takimit të sotëm të Koreper-it

Mekanizimi për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor- temë kryesore e takimit të sotëm të Koreper-it

Bruksel, 8 prill 2024 (MIA) – Propozim- rregullorja për vendosjen e Mekanizmit për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor në lexim të parë, është tema kryesore e mbledhjes së sotme të Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare të BE-së (Koreper).

Rregullorja për krijimin e Mekanizmit është vendosur në rendin e ditës të seancës së sotme të Koreperit, pasi të enjten presidenca belge me Këshillin e BE-së dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian në kuadër të procesit të "trialogut" arritën marrëveshje politike për përmbajtjen e tekstit ligjor.

Siç informon korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Mekanizmi i reformës dhe rritjes është instrument financiar për implementimin e Planit për rritjen e Ballkanit Perëndimor të cilin Komisioni Evropian e prezantoi nëntorin e kaluar, si hallkë e re për përshpejtimin e përgatitjeve të vendeve të rajonit për anëtarësim në BE me mundësinë e shfrytëzimit të disa përfitimeve për qytetarët dhe bizneset që para anëtarësimit. Kjo duhet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e zgjerimit të BE-së dhe rritjen e ekonomive të vendeve të rajonit.

Në kuadër të Mekanizmit për periudhën 2024-2027 për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndahen gjashtë miliardë euro, nga të cilat dy miliardë euro do të jenë grante të pakthyeshme dhe katër miliardë euro do të jenë kredi me kushte të favorshme. Nga shuma totale, të paktën 800 milionë euro janë paraparë për Maqedoninë e Veriut.

Për financimin e kredive BE-ja do të sigurojë mjete nga tregu financiar, ndërsa për mbështetjen e pakthyeshme tashmë është siguruar shumë me rishikimin e fundit të Kornizës financiare shumëvjeçare të BE-së për periudhën 2021-2027.

Këto mjete do të paraqesin plotësimin e Instrumentit ekzistues për ndihëm paraqasëse (IPA 3) e cila do të rrisë ndjeshëm ndihmën financiare nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mekanizmi duhet të ofrojë mbështetje për vendet e rajonit në zbatimin e reformave në lidhje me përafrimin me Unionin dhe të nxisë lidhjen e tyre ekonomike me bllokun, bazuar në agjendën ambicioze të reformave. Mekanizmi tenton gjithashtu të promovojë përafrimin e këtyre vendeve me vlerat, legjislacionin, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së në mënyrë që t'i përgatisë ato për anëtarësimin e ardhshëm në Union.

Ndihma financiare kushtëzohet nga zbatimi i reformave socio-ekonomike dhe fondamentale të definuara mbi agjendat ambicioze të reformave që vetë vendet e Ballkanit Perëndimor i përgatisin dhe i dorëzojnë për miratim deri në BE.

Mjetet do të paguhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pas miratimit nga Komisioni, për disa çështje edhe nga Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAS), nëse plotësohen të gjitha kushtet relevante. Bëhet fjalë për kushte që lidhen me vlerësimet cilësore dhe sasiore të progresit dhe rezultateve të arritura në implementimin e agjendave reformuese si dhe kushteve të përgjithshme që lidhen me stabilitetin makrofinanciar, menaxhimin e financave publike, transparencën dhe kontrollin mbi buxhetin.

Ndryshe në seancën e sotme të Koreperit, përfaqësuesit e anëtarëve të BE-së, mes tjerash duhet të deklarohen për Propozim-rregulloren për masat tregtare autonome në lidhje me Ukrainën si dhe për vendimin për emërimin e një anëtari të Gjykatës evropiane të revizionit.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR