Finlanda ka ndaluar një anije ruse që dyshohet se është e lidhur me sabotazhin në Detin Baltik
- Autoritetet finlandeze kanë ndaluar një anije të lidhur me Rusinë, e cila aktualisht ndodhet në ujërat territoriale finlandeze, ndërsa hetojnë nëse ajo ka dëmtuar kabllon elektrike për transmetimin e rrymës në Detin Baltik, si dhe disa kabllo nënujore për transmetin të të dhënave, kumtoi sot policia finlandeze.
Helsinki, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Autoritetet finlandeze kanë ndaluar një anije të lidhur me Rusinë, e cila aktualisht ndodhet në ujërat territoriale finlandeze, ndërsa hetojnë nëse ajo ka dëmtuar kabllon elektrike për transmetimin e rrymës në Detin Baltik, si dhe disa kabllo nënujore për transmetin të të dhënave, kumtoi sot policia finlandeze.
Policia finlandeze dhe shërbimi kufitar sot në mëngjes hipën në anijen "Eagle S" dhe morën kontrollin e saj, deklaroi në konferencë për shtyp shefi i policisë së Helsinkit, Jari Liuku.
Anëtarët të rojes bregdetare hipën në anijen, e regjistruar në Ishujt Kuk, ndërsa ajo ishte në Detin Baltik, dhe më pas e riorientuan në ujërat finlandeze, tha roja bregdetare finlandeze.
Autoritetet finlandeze në Platformën Iks publikuan një foto që tregonte një anije të rojes bregdetare dhe cisternën ruse, ndërsa shërbimi doganor finlandez kumtoi se ka sekuestruar ngarkesën e anijes. "Eagle S" besohet të jetë pjesë e të ashtuquajturës "flota hije" e Rusisë, e përbërë nga cisterna të vjetra të përdorura për t'iu shmangur sanksioneve për shitjen e naftës ruse.
Hetimi është drejtuar në dyshimin se spiranca e anijes “Eagle S” ka dëmtuar kabllon, njoftoi shërbimi publik finlandez “YLE”, duke cituar kumtesën e policisë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas e quajti incidentin "një tjetër në një seri sulmesh të dyshimta në infrastrukturën kritike" dhe vlerësoi autoritetet finlandeze për "veprimet e tyre të shpejta" në hetimin e anijes së dyshimtë.
Kablloja elektrike "Eastlink-2", e cila transmeton rrymën nga Finlanda në Estoni përmes Detit Baltik, u dëmtua të mërkurën. Riparimet e interkonjeksionit nënujor Eastlink-2 170 kilometra të gjatë do të zgjasin me muaj dhe dëmtimi i këtij kablli mund të shkaktojë vështirësi në furnizimin me energji elektrike gjatë dimrit, tha operatori kombëtar i transmetimit të energjisë elektrike të Finlandës "Fingrid". ls/
Foto: Rojet bregdetare finlandeze/Iks