• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Marinakis: Shenjat e para nga ana tjetër nuk janë të mira, nuk janë inkurajuese

Marinakis: Shenjat e para nga ana tjetër nuk janë të mira, nuk janë inkurajuese

Athinë, 20 maj 2024 (MIA) - E presim Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, të japë betimin solemn, t'i dëgjojmë qëndrimet, por shenjat e para nuk janë të mira, nuk janë inkurajuese. Ne i respektojmë marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare, por presim para dhe mbi të gjitha, këtë ta bëjë pala tjetër, tha zëdhënësi i Qeverisë greke, Pavllos Marinakis në brifingun e rregullt të sotëm me gazetarët, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina. 

Në pyetjen e gazetarëve çka nëse pala tjetër nuk e bën atë që e pret Greqia, Marinakis theksoi se pasi që ta shohin qëndrimin zyrtar të Qeverisë së re, "do të veprojnë në mënyrë adekuate në bazë të interesave kombëtare".

"Përsëris se, edhe pse flasim për marrëveshje të keqe të cilën na e imponoi Qeveria e kaluar, që në fillim thamë se jemi të detyruar ta respektojmë dhe do ta respektojmë, por kjo është detyrë që ka dy anë. Nëse kjo nuk ndodh nga ana tjetër edhe krahas asaj që në tërësi e kërkon bashkësia ndërkombëtare dhe të gjithë faktorët evropianë, të cilët qartë i mbrojnë qëndrimet tona, atëherë do t'i vlerësojmë veprimet tona", sqaroi Marinakis dhe shtoi se në asnjë rast nuk do të shpejtojnë "siç dëshiron opozita".

Zëdhënësi i Qeverisë greke foli edhe për memorandumet të cilët ende nuk janë ratifikuar në Parlament, për të cilët flitej se janë "armë negociuese" nga e cila nuk kanë ndërmend të heqin dorë.

"Ata që flasin për memorandume, le të shohin se çfarë shkruhet në memorandume. Një nga obligimet është edhe diskutimi për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Kur tashmë kishte progres në rastin e NATO-s, që do të thotë se ne kemi humbur një avantazh krahasues, tani duhet të ketë përparim në diskutimet për procesin integrues në Evropë, para se ata vetë të respektojnë emrin Maqedonia e Veriut, pra atë që ata quhen. Natyrisht ne jemi në pritje të palës tjetër, shenjat e para nuk janë të mira, nuk janë inkurajuese dhe siç tha kryeministri, ne respektojmë vazhdimësinë e shtetit, respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, por presim që pala tjetër të bëjë këtë mbi të gjitha", tha Marinakis.

Për deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, të dhënë të enjten, në të cilën tha se pret që së shpejti të takohet me Micotakis, në pyetjen e MIA-s për atë sa ka gjasa për një takim të tillë, Marinakis komentoi se fillimisht presin që të formohet Qeveria dhe për momentin nuk mund të thotë diçka konkrete. 

Lidhur me qëndrimet e shprehura të Mickoskit tha se "të gjithë grekët i dëgjuam deklaratat" dhe e karakterizoi si "shaka pa shije", edhe krahas këtyre deklaratave, "insistimin e SYRIZA-s opozitare të vijnë në votim në Parlamentin grek memorandumet nga Marrëveshja e Prespës". 

"Në momentet kur nuk është vetëm presidentja e Maqedonisë së Veriut, e kemi edhe kryetarin e VMRO-së që bën deklarata të tilla, ka një parti në Parlamentin grek dhe ajo është partia që është opozita kryesore, e cila duke dëgjuar këto deklarata, të cilat në thelb nuk respektojnë pikën e parë të Marrëveshjes së Prespës, pra si quhet shteti i Maqedonisë së Veriut, duan që ne t'i dorëzojmë të gjitha armët negociuese, të japim gjithçka, të nënshkruajmë gjithçka", tha Marinakis.

Paralelisht i parashtroi pyetjen SYRIZAS "pse shpejtojnë?".

"Pse duan ta çojnë vendin tonë në atë pikë sa e ka shkuar deri në fund, nga momenti kur pala tjetër nuk ka bërë as gjërat elementare. Është e pakuptueshme dhe sigurisht që nuk do t'i sjellim memorandumet", theksoi zëdhënësi i qeverisë.

Lidhur me qëndrimet e dy deputetëve nga Demokracia e Re për anulimin eventual të Marrëveshjes, Marinakis në mënyrë kategorike theksoi se "një është dëshira e disave, ndërsa tjetër është çka do të bëjë Qeveria", duke theksuar se qysh si opozitë qartë sqaruan se nëse marrëveshja ratifikohet do të duhet të zbatohet. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR