• e enjte, 26 dhjetor 2024

Mësimdhënësit në mars të vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave prej 12 për qind, deklaroi Janevska

Mësimdhënësit në mars të vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave prej 12 për qind, deklaroi Janevska

Shkup, 8 dhjetor 2024 (MIA) - Sipas asaj se si ecën prodhimi i brendshëm bruto (PBB) dhe sipas marrëveshjes kolektive, në mars të vitit të ardhshëm mësimdhënësit do të kenë rritje të pagave prej rreth 12 për qind, deklaroi sot ministrja e Arsimit Vesna Janevska.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inspektimit të një sallë sportive në Bulaçan, Janevska tha se ka pasur dy takime konstruktive me SASHK-un, si dhe me një grup mësimdhënësish.

"Me SASHK-in realizova dy takime. Mund të them se kemi pasur takime konstruktive dhe mirëkuptim të madh, por jo vetëm me SASHK-un, por edhe individualisht me grupe të mësimdhënësve. U kam kërkuar edhe para edhe pas zgjedhjeve që të kenë pak durim. E di se çfarë do të thotë pagë, dhe e di se çfarë do të thotë të jetosh me pagë, por ju e dini borxhin e Ministrisë, e dini borxhin e shtetit, kështu që këtë vit realisht nuk kemi mundësi të ndërmarrim asnjë aktivitet serioz në atë drejtim, ndërsa un si ministre nuk mund të lejoj që mësuesve të mi t'u rritet rroga për 200-300 denarë. Më falni që them të mi, por unë jam përgjegjëse për ta. Por, janë bërë diskutime serioze në Qeveri dhe me ministren e Financave dhe ato në mars të vitit të ardhshëm do të kenë një rritje prej 10-12 për qind, varësisht si ecën PBB-ja dhe sipas marrëveshjes kolektive. Mendoj se do të jetë një rritje prej 12 për qind", tha Janevska.

Ministrja Janevska muajin e kaluar deklaroi se do të bëjnë përpjekje maksimale që pagat e mësimdhënësve të rriten gradualisht, duke shprehur besim se deri në fund të mandatit do të nënshkruhet edhe një marrëveshje e re kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm. ls/ 

Foto: Printskrin 

 

QËNDRONI TË LIDHUR