• e hënë, 01 korrik 2024

Liga Arabe ndalon së cilësuari Hezbollahun si "organizatë terroriste"

Liga Arabe ndalon së cilësuari Hezbollahun si

Kajro, 30 qershor 2024 (MIA) - Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Ligës arabe, Hosam Zaki, njoftoi se Liga ndalon së cilësuari Hezbollahun si "organizatë terroriste", transmeton Anadollia.

"Në vendimet e mëparshme të Ligës Arabe, Hezbollahu ishte cilësuar si organizatë terroriste dhe ai emërtim u pasqyrua në rezoluta, gjë që çoi në pezullimin e komunikimit bazuar në ato vendime. Shtetet anëtare të Ligës ranë dakord që emërtimi i Hezbollahut si organizatë terroriste të mos përdoret më", deklaroi mbrëmë Zaki për kanalin egjiptian "Al-Kahera Njuz" , një ditë pas vizitës së tij në Bejrut.

Ai tha se "cilësimi i Hezbollahut si organizatë terroriste më nuk zbatohet", duke theksuar se "Liga arabe nuk mban lista të terroristëve dhe nuk kërkon të përcaktojë në mënyrë aktive subjektet në një mënyrë të tillë."

Liga arabe më 11 mars 2016 e cilësoi Hezbollahun si "organizatë terroriste", me rezervime nga Libani dhe Iraku, dhe bëri thirrje "të ndalojë ta promovojë ekstremizmin dhe sektarizmin, të përmbahet nga përzierja në çështjet e brendshme të vendeve dhe të shkurtojë çfarëdo lloj mbështetje të terrorizmit dhe terroristëve në rajon".

Cilësimi ishte bërë shumë shpejtë pasi vendet e Këshillit për Bashkëpunim në Gjirin Persik e shpallën Hezbollahun libanez si organizatë terroriste më 2 mars 2016. 

Të premten, gazeta ditore libaneze "Al - Ahbar" njoftoi se Zaki e ka vizituar Bejrutin dhe ka mbajtur takim me Muhamed Raad, shef i bllokut Lojaliteti drejt rezistencës lidhur me Hezbollahun. Ky është kontakti i parë mes Ligës arabe dhe Hezbollahut në më shumë se dhjetë vjet. 

Sipas kumtesës së Ligës arabe të premten, Zaki gjatë vizitës së tij e cila filloi të martën, mbajti takime me funksionarët libanezë, si dhe me liderë të ndryshëm politikë dhe parlamentarë të cilët përfaqësojnë spektër të llojllojshëm politik të Libanit. 

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin mes sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite, ndërsa Tel Avivi vazhdon ofensivën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që ka vrarë më shumë se 37.800 njerëz që nga 7 tetori i vitit të kaluar. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR