Hungaria merr kryesimin me BE-në: “Djali i keq” do ta bëjë Evropën “përsëri të madhe”
- Avancimi i politikës së zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mbrojtjes së përbashkët dhe përmirësimi i konkurrencës evropiane, janë tre prioritetet kryesore të presidencës së Hungarisë me Bashkimin Evropian në gjashtë muajt e ardhshëm që zyrtarisht fillon nesër, motoja e të cilit është “Ta bëjmë Evropën përsëri të madhe”.
- Post By Fami Bajrami
- 12:57, 30 qershor, 2024
Bruksel, 30 qershor 2024 (MIA) - Avancimi i politikës së zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mbrojtjes së përbashkët dhe përmirësimi i konkurrencës evropiane, janë tre prioritetet kryesore të presidencës së Hungarisë me Bashkimin Evropian në gjashtë muajt e ardhshëm që zyrtarisht fillon nesër, motoja e të cilit është “Ta bëjmë Evropën përsëri të madhe”.
Siç informon përfaqësuesi i përhershëm i Hungarisë në BE, Balint Odor në një konferencë për shtyp në Bruksel ku prezantoi programin hungarez për presidencën me bllokun, Budapesti ka shtatë prioritete.
Përveç zgjerimit, mbrojtjes dhe konkurrencës, ndër prioritetet e presidencës hungareze do të jetë forcimi i sigurisë së kufijve të jashtëm të BE-së, zbatimi i politikave kohezive, mbështetja e bujqësisë dhe zgjidhja e problemeve demografike të bllokut.
Krahas kësaj, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Budapesti do t'i përkushtohet edhe progresit në heqjen e kontrolleve kufitare tokësore Shengen për Bullgarinë dhe Rumaninë, për luftën kundër antisemitizmit, promovimin e diskutimeve për tema të ndërlidhura me arsimin e lartë, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore evropiane.
"Evropa po përballet me një situatë të jashtëzakonshme, probleme si lufta në fqinjësi apo migrim. Kjo presidencë do të jetë si asnjë tjetër. Ne do të jemi ndërmjetës të ndershëm dhe do të tentojmë të bashkëpunojmë sinqerisht me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së", tha Odor.
Ai tha poashtu se në drejtim të zgjerimit të BE-së, "vështrimi i Hungarisë" do të drejtohet drejt Ballkanit Perëndimor në vend të Ukrainës siç ishte gjatë dy presidencave të mëparshme.
"Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ne do të dëshironim të shohim progres më të madh. Qëllimi ynë është të hapim dhe mbyllim sa më shumë klastere negociatash. Duhet ta përshpejtojmë këtë proces", deklaroi Odor.
Ambasadori hungarez në BE gjithashtu paralajmëroi se Hungaria planifikon të organizojë samit në rajon midis përfaqësuesve të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Të gjitha vendet, përveç Kosovës, kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim dhe kanë nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësim, përveç Kosovës e cila aktualisht është vetëm aplikante për pranim në bllok.
Ministri për Punë të Jashtme të Hungarisë Peter Sijarto paralajmëroi se qëllimi i Hungarisë është që negociatat me BeH të fillojnë gjatë gjysmës së parë të kryesimit me BE-në. Ai shtoi se disa vende anëtare të BE-së vetëm deklarojnë publikisht se mbështesin pranimin e BeH-së, ndërsa pas dyerve të mbyllura thonë diçka tjetër dhe për këtë arsye ka kërkuar që të gjithë diplomatët hungarezë aktivisht të lobojnë për fillimin e negociatave të anëtarësimit të vendit.
Midis çështjeve të tjera të cilave do t'i kushtohet presidenca hungareze janë avancimi i propozimeve individuale ekzistuese ligjore, harmonizimi i pozicionit të BE-së në Samitin e klimës (COP 29) dhe prezantimi i planeve për energjinë gjeotermale.
"Përveç promovimit dhe përfundimit të negociatave rrjedhëse, presidenca hungareze mëton të kontribuojë edhe në përcaktimin e qëllimeve të politikës evropiane të mjedisit jetësor dhe klimës për ciklin e ardhshëm institucional", thuhet në program.
Por në Bruksel ka drojë se "djali i keq i BE-së" mund të kontribuojë në uljen e mbështetjes së Unionit për Ukrainën. Ky shqetësim i politikanëve dhe diplomatëve evropianë del nga përvojat e kaluara me bllokadën e Hungarisë për pagesën e mjeteve për të mbështetur Kievin nga fondet e BE-së, si dhe sanksionet ndaj Moskës për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, por edhe paralajmërimit të ambasadorit Odor se Budapesti që vlen si aleat i ngushtë i Rusisë në Union, "nuk do të promovojë" negociatat për anëtarësim të Ukrainës dhe Moldavisë.
Burime diplomatike në Bruksel thonë se liderët evropianë janë të vetëdijshëm për kërcënimin se Hungaria mund të "rrezikojë sistemin e BE-së", kështu që janë të gatshëm "të merren me kokëfortësinë e Budapestit nëse kjo është e nevojshme". Ata theksojnë se nuk është risi se çdo shtet anëtar i Unionit lufton me të gjitha mjetet për të mbrojtur dhe realizuar interesat e saj, por se kur të kryesojë me Këshillin e BE-së, pritet të vendos politikën mënjanë dhe të luajë rol më neutral.
Foto: BE/MIA arkivi