• e martë, 24 dhjetor 2024

Kuleba: Maqedonia e Veriut është mike e mirë e Ukrainës, bëri shumë për të na ndihmuar

Kuleba: Maqedonia e Veriut është mike e mirë e Ukrainës, bëri shumë për të na ndihmuar

Uashington, 27 mars 2024 (MIA) - Maqedonia e Veriut është mike e mirë e Ukrainës dhe bëri shumë për të na ndihmuar, tha ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmitro Kuleba, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në brifing onllajn me mediat e huaja, transmeton Zëri i Amerikës.

"Bëtë shumë në tre vitet e fundit. Në krahasim me mundësitë e juaja, ju me të vërtetë bëtë shumë që të na ndihmoni, njëjtë siç bëmë edhe ne që të ju ndihmojmë në vitet e 90-ta", tha Kuleba. 

Shefi i diplomacisë së Ukrainës thotë se anketat në vende të ndryshme perëndimore tregojnë se njerëzit e mbështesin qeverinë ukrainase, por se definitivisht do të shihet rritje në përpjekjet e propagandës ruse në javët dhe muajt e ardhshëm, veçanërisht në dritën e zgjedhjeve të ardhshme evropiane dhe presidenciale në SHBA.

Sipas tij, Rusia nuk do të kursejë përpjekjet që ta akuzojë Ukrainën për krim, me qëllim që ta diskreditojë dhe të ulë mbështetjen të cilën e gëzon. 

"Prandaj duhet të jemi vigjilentë, duhet të rezistojmë. Shembulli më i fundit, natyrisht, është përpjekja e Rusisë për të lidhur Ukrainën ose për të akuzuar Ukrainën për përfshirje në të shtënat në sallën e koncerteve në Rusi. Këto deklarata janë të rreme dhe absurde. Kjo nuk është mënyra se si ne luftojmë për veten tonë. Krimet ndaj civilëve janë një praktikë ruse, siç e kemi parë në vitet e fundit të agresionit rus kundër Ukrainës, por, po, ata do të përpiqen të bëjnë gjithçka për të diskredituar Ukrainën", tha Kuleba.

Rusia, sipas tij, nuk ka vija të kuqe kur janë në pyetje përpjekjet e tyre që ta diskreditojnë Ukrainën në sytë e gjithë botës, por se problemi janë vijat e kuqe të shteteve perëndimore. 

"Problemi është më pak në propagandën ruse që nuk njeh vija të kuqe, por më shumë në qeveritë perëndimore që vendosin shumë vija të kuqe kur bëhet fjalë për luftën kundër mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus", thotë ministri ukrainas i Punëve të Jashtme. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR