• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në

Kovaçevski: Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në

Shkup, 12 janar 2024 (MIA) - Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në. Dhe kjo mundësi unike për të vazhduar në atë rrugë do të realizohet. Qytetarët dhe kompanitë tashmë po ndjejnë përfitimet e anëtarësimit në NATO, por ato do të shumëfishohen, me vazhdimin aktiv të integrimit evropian dhe anëtarësimit të plotë, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një panel diskutimi mbi "Përfitimet ekonomike të integrimit në BE për kompanitë dhe qytetarët në Maqedoninë e Veriut".

Ai tha se qëllimi nuk është të bindim, sepse vullneti i shumicës për BE është i qartë, por të informojmë në mënyrë plotësuese se çfarë do të thotë me të vërtetë përcaktimi euroatlantik dhe anëtarësimi në BE. Sipas tij, dallimi midis kohës kur vendi ishte në izolim ndërkombëtar dhe sot, kur është anëtar i NATO-s, është i dukshëm dhe ndjek një rrugë të qartë të bisedimeve me BE-në.

"Siç e kam theksuar tashmë, kemi një numër rekord investimesh, vende të reja pune dhe një ulje rekord të papunësisë, paga më të larta, pensione, paga minimale më e lartë në histori, paga mesatare më e lartë në histori, tre herë më shumë ndihmë sociale si dhe ndihma më e madhe shtetërore në histori për kompanitë vendore si për ruajtjen e likuiditetit, ashtu edhe për investimet e reja në kompanitë...Bashkimi Evropian është ende donatori dhe partneri ynë kryesor tregtar me 77.5 për qind të eksporteve të vendit dhe 51 për qind të importeve të tij. Tregtia e Maqedonisë së Veriut me BE-në vitin e kaluar arriti në 60 për qind të tregtisë së përgjithshme. Gjithkush mund të shohë se çfarë do të thotë të kesh mbështetje evropiane në zhvillim dhe solidaritet dhe kur jemi në udhën e duhur", tha Kovaçevski.

Ai shtoi se mbështetja e BE-së do të vazhdojë, me shumë më tepër mjete, përmes programeve dhe fondeve të reja, kur të bëhemi anëtarë të tij.

"Maqedonia e Veriut, përkundër të gjitha vështirësive, është një histori suksesi sot dhe ne e bëmë atë së bashku. Nga një shtet i kapur, ne jemi bërë një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon siç shihet përmes parametrave ekonomikë. Tani edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për ne, sepse në këtë moment BE-ja duhet të sigurojë stabilitet në kontinentin evropian. Tani është momenti i interesave të përbashkëta, kur BE-ja ka nevojë për ne dhe ne kemi nevojë për BE-në. Dhe kjo mundësi unike për të vazhduar në atë rrugë do të realizohet", theksoi Kovaçevski.

Me miqësi dhe mbështetje të përtërirë strategjike dhe dyer të hapura si asnjëherë më parë, thekson ai, vendi është në rrugën drejt një të ardhmeje të sigurt dhe të qartë evropiane.

"Pas 17 vitesh arritëm të hapim bisedimet. Brezat në vend janë rritur me ndjenjën dhe dëshirën për t'u bërë pjesë e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur, dhe tani kemi mundësinë. Dhe qytetarët presin që ne ta realizojmë. Ju siguroj të gjithëve se Republika e Maqedonisë së Veriut do të bëhet, deri në vitin 2030, Republika evropiane e Maqedonisë së Veriut. E ardhmja evropiane është para nesh dhe ne do të bëjmë çmos si politikanë, si ekonomistë, si përfaqësues të partive politike, për të realizuar atë ëndërr dhe atë vizion të qytetarëve tanë", tha Kovaçevski.

Sipas tij, nuk ka alternativë për anëtarësim në BE dhe kushdo që tregon skenarë të tjerë gënjen popullin.

"Së pari ai gënjen veten, gënjen popullin, gënjen kompanitë, dhe në fund do të përfundojë si ai që ishte kur në vend të qytetarëve evropianë ne donim të bëheshim qytetarë të lashtë, duke na kthyer 2300 vjet mbrapa dhe doli se nuk mund të bëhet asgjë nga kjo. Deri më tani, ne kemi shfrytëzuar 3.3 miliardë euro mbështetje të BE-së dhe kjo shihet shumë mirë se ku është investuar përmes fondeve IPA, përmes IPARD, tha Kovaçevski, duke theksuar se ne jemi më të suksesshmit nga disa shtete anëtare të BE-së në shfrytëzimin e fondeve IPARD.

Duke iu referuar fondeve strukturore dhe të kohezionit të BE-së që mund të përdoren vetëm nga shtetet anëtare të BE-së me më pak se 90 për qind pajtueshmëri me PBB-në e BE-së, ato marrin një hyrje neto nga Bashkimi dhe zhvillojnë ekonomitë e tyre. Maqedonia e Veriut, nëse do të bëhej anëtare e BE-së, do të merrte 28.5 herë më shumë mbështetje se ajo aktuale.

"Kjo i jep përfitim qytetarëve, kompanive dhe shoqërisë në përgjithësi. Ne nuk do të shohim më sundimin e ligjit në televizion, mossundimin e ligjit sepse të gjithë duhet të jemi të sinqertë, ndikimi nuk është vetëm nga politikanët, por edhe nga shumë qendra të tjera të interesit, vetëm se askush nuk dëshiron të flasë. Kur hyni në BE, nuk ka më mostregim. Kjo është ajo që duam të bëjmë në vend, jo vetëm të tregojmë histori. Nuk ka zëvendësim për tregun e përbashkët evropian, për lëvizjen e lirë të kapitalit, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve në BE", tha kryeministri Kovaçevski.

Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, me Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, BE-ja ka treguar se perspektiva evropiane nuk është vetëm fjalë dhe se kjo risi është për herë të parë e lidhur me procesin e reformave.

"Nëse për momentin kemi diçka që është pothuajse 30 herë më pak se nëse do të ishim në BE, sigurisht që nuk duhet të jemi të kënaqur, por duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi përdorur deri më tani që nga viti 2007 kur ka ekzistuar si instrument IPA. Mbi 1.3 miliardë euro janë ndarë për ne në zarfin kombëtar, pothuajse 3 miliardë janë në dispozicion për ne në rajon, 2.3 miliardë janë në dispozicion përmes projekteve, disa prej të cilave zbatohen përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor", tha Mariçiqi.

Në kuadër të përdorimit të suksesshëm të mjeteve IPARD, ai vuri në dukje rëndësinë e Agjencisë së pagesave dhe propozoi që të shqyrtohet mundësia e përdorimit të këtij modeli dhe në vend të strukturave IPA në çdo ministri të krijohet një Agjenci IPA që do t'i menaxhojë këto mjete të BE-së me sukses shumë më të madh.

"Beteja jonë kryesore duhet të jetë që kjo të jetë korniza e fundit IPA për ne, që korniza tjetër të jetë tashmë në kohezionin e dhe fondet strukturore të BE-së dhe në politikën e përbashkët bujqësore me qëllim që të ndiejmë dallimet dhe përfitimet së bashku", tha Mariçiqi.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi theksoi se PBB-ja e vendit ishte 34 për qind e mesatares së BE-së në vitin 2010 dhe 37 për qind në vitin 2014, duke arritur në 42 për qind vitin e kaluar. Qëllimi, thotë ai, është të llogaritet 60 deri në 65 për qind e PBB-së së BE-së për kokë banori, dhe kjo mund të ndihmohet vetëm nga përdorimi i fondeve të kohezionit të BE-së.

"Nuk dua të tingëllojë sikur ne e duam BE-në vetëm për fonde, ato krijojnë një mundësi për rritje dhe zhvillim. Aty ku ne me normën tonë të rritjes nuk mundemi, ato na ndihmojnë pasi kanë ndihmuar të gjitha vendet, si Poloninë, Kroacinë, etj. Vetëm në vitin 2022, 731 miliardë euro u investuan në fondet strukturore të BE-së. Kjo është afërsisht 50 herë më shumë se PBB-ja jonë. Ne po flasim për këtë, për mundësimin e rritjes së kompanive jo vetëm për t'u lënë në dorë të tyre, por edhe për t'i ndihmuar ata të rrisin aftësinë e tyre konkurruese", tha Bytyqi.

Për ministrin e Financave Fatmir Besimi, vetëm ndihma e BE-së nuk do të thotë shumë sepse qëllimi ynë është të zhvillohemi, e të mos varemi prej tyre. Asistenca që vjen nga BE është pjesë e të gjithë kornizës së planifikimit të buxhetit dhe ideja është se si t'i planifikojmë ato në mënyrë sa më optimale dhe t'i shfrytëzojmë. Sipas tij, asistenca makro-financiare nga BE, pra nga KE në kuadër të financimit të buxhetit prej 100 milionë euro, do të thotë besim në shtetin.

Nga sektori real, me mesazhin se teknologjia është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por investimi në arsim është gjithashtu kyç.

"Ju do të blini teknologjinë, por arsimi është në degë shumë të ulëta dhe ne duhet të investojmë më së shumti në shkathtësi, trajnime. Në BE, shpenzimet publike për arsimin janë 5 për qind e PBB-së dhe këtu janë 3.7 për qind. Nëse largohen njerëzit, do të duhet t'i vëmë dry shtetit", shprehet Goran Antevski, drejtor i "Rade Konçar".

Paneli u zhvillua në kuadër të fushatës “E ardhmja evropiane, më afër se kurrë” organizuar nga Qeveria. 

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR