• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Kovaçevski: Pjesa më e madhe e mjeteve nga huamarrja e vitit të kaluar janë përdorur për investime kapitale

Kovaçevski: Pjesa më e madhe e mjeteve nga huamarrja e vitit të kaluar janë përdorur për investime kapitale

Shkup, 10 mars 2023 (MIA) - Vitin e kaluar e mbyllëm me huamarrje prej 57 për qind në raport me BPV-në, që do të thotë ulje e borxhit në krahasim me vitet e mëparshme. Pjesa më e madhe e mjeteve janë përdorur për investime kapitale, ndërsa strategjia e Qeverisë është që investimet të jenë më të mëdha se deficiti, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.

"Kur flasim për huamarrjen për shkak të investimeve kapitale në shtet, si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit, ne ndjekim rregullin kryesor të financave, që është investimet të jenë më të mëdha se deficiti, dhe huamarrja të përdoret për investime kapitale. Vitin e kaluar e mbyllëm me nivelin më të lartë historik të investimeve kapitale, 465 milionë euro. Lëshuam autostradën e shpejtë për në Koçan, e cila është një zgjidhje e plotë përfundimtare nga Shtipi në Koçan. Në pesë vitet e fundit në vend janë ndërtuar 78 kopshte, është punuar në një numër të madh të objekteve në bujqësi, kemi vënë në përdorim sistemin e ujitjes së Rankovcit. Dje nënshkruam kontratën për fillimin e ndërtimit të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d", tha kryeministri Kovaçevski në një intervistë për emisionin "Trilling".

Ndërtimi i Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, siç tha ai, është projekti investues më i madh në historinë e shtetit me një vlerë prej 1.3 miliardë eurosh, i cili do të financohet nga Buxheti për një periudhë pesëvjeçare.

"Ajo zgjidhje autostrade praktikisht do të jetë nga Tetova deri në kufirin shqiptar dhe në fund autostradë ndërmjet Prilepit dhe Manastirit me gjatësi prej 40 kilometrash. Është projekti më i madh infrastrukturor që do të bëhet dhe ka një rëndësi të madhe. Autostrada eksprese me Bullgarinë është tashmë në ndërtim e sipër, është një rrugë krejtësisht e re, po zgjerohet korsia e tretë para Deve Bairit, që do të thotë se më në fund pas përfundimit të Korridorit 8 së bashku me Korridorin 10 të përfunduar do të mund të dalim jo vetëm në portin e Selanikut, por edhe në portin e Durrësit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme mbi të gjitha për kompanitë dhe ekonominë", tha Kovaçevski në intervistë.

Në lidhje me euroobligacionin e lëshuar së fundmi, ai ka theksuar se një pjesë e parave të tij përdoren për shlyerjen e një borxhi të vitit 2016 që duhet të kthehet deri në korrik të këtij viti, ndërsa një pjesë e madhe e mjeteve do të përdoren edhe për investime kapitale. sa/

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR