• e mërkurë, 23 tetor 2024

Koreja e Veriut mohon se ka dërguar ushtarë në Rusi për luftën në Ukrainë

Koreja e Veriut mohon se ka dërguar ushtarë në Rusi për luftën në Ukrainë

Phenian, 22 tetor 2024 (MIA) - Koreja e Veriut mbrëmë i ka mohuar raportimet se po i siguron Rusisë ushtarë që mund të përdoren në konfliktin në Ukrainë. Përfaqësuesi i përhershëm i Phenianit në Kombet e Bashkuara e përshkroi pretendimin e Seulit si një "thashethem të pabazë".

"Sa i përket të ashtuquajturit bashkëpunim ushtarak me Rusinë, delegacioni im nuk e konsideron të nevojshme të komentojë këto thashetheme tendencioze të pabaza", tha përfaqësuesi i Koresë së Veriut në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mbajtur mbrëmë vonë në Nju-Jork.

Pretendimet e Seulit "kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe të minojnë marrëdhëniet legjitime, miqësore dhe bashkëpunuese midis dy shteteve sovrane", shtoi ai.

Më herët dje, Koreja e Jugut e thirri ambasadorin rus në Seul për të kërkuar tërheqjen "e menjëhershme" të trupave, për të cilët thotë se ishin dërguar nga Pheniani për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Jugut.

Rreth 1,500 ushtarë të forcave speciale të Koresë së Veriut janë tashmë në Rusi për ambientim dhe pritet të shkojnë së shpejti në front, tha të premten inteligjenca koreano-jugore. Sipas tij, gjithsej pritet të dërgohen rreth 12 mijë ushtarë.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut publikoi gjithashtu imazhe të detajuara satelitore që tha se tregonin dislokimin e parë të trupave të Koresë së Veriut. Mediat koreano-jugore raportuan se Seuli po shqyrton dërgimin e një delegacioni të përfaqësuesve të inteligjencës ushtarake në Ukrainë për të monitoruar dislokimin e forcave të Koresë së Veriut.

Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë pretenduar prej kohësh se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Xhong-un ka dërguar armë në Rusi për përdorim në Ukrainë. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR