• e martë, 24 dhjetor 2024

Kosovën nga fillimi i këtij viti e kanë lëshuar 96 mjekë, 167 në vitin 2023

Kosovën nga fillimi i këtij viti e kanë lëshuar 96 mjekë, 167 në vitin 2023

Prishtinë, 22 tetor 2024 (MIA) – Oda e Mjekëve të Kosovës thotë se nga fillimi i këtij viti e deri në fund të shtatorit nga shteti janë larguar 96 mjekë, përderisa për gjithë vitin 2023 ky numër është 164, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu për portalin “Gazeta Ekspres” deklaroi se rekrutimi i mjekëve nga Kosova për të kërkuar vende më të mira të punës dhe kushte në vende të ndryshme të botës “mbetet sfidë për institucionet në vend, sepse largimi i tyre reflektoi në mungesën e kuadrit në institucionet shëndetësore në Kosovë”.

“Ky trend ka vazhduar edhe këtë vit dhe shifrat janë shqetësuese. Nga janari i këtij viti e deri më sot janë 96 mjekë të cilët e kanë marrë dokumentin për status profesional ("good standing"), ndërsa vitin e kaluar të njëjtin dokument e kanë marrë 167 mjekë” thotë Sejdiu.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në shkurt të këtij viti, gjatë llogaridhënies para Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës, në pyetjen e deputetëve nëse ka strategji për ndërprerjen e kësaj dukurie, tha se me këtë problem përballen edhe vendet perëndimore dhe shprehu shqetësim se largimi nga vendi nga ana e profesionistëve shëndetësorë do të vazhdojë. 

“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u bërë transformime rrënjësore në shumë prej klinikave të cilat kanë pas nevojë që të investohet për shumë vjet me radhë, në anën tjetër specializantët të cilët gjatë vitit 2020, kanë marrë specializime me vetëfinancim, ka vazhduar subvencionimi i vazhdueshëm i tyre përkundër që kanë nënshkruar një kontratë ku ata pranojnë që ata vet t’i bartin shpenzimet e këtij specializimi, por një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që ne përkundër të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, tha ministri Vitia.

Sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licencuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra, shkruan “Gazeta Ekspres”. fc/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR