• e hënë, 08 korrik 2024

"Koha": Kosova është jashtë agjendës të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Prishtinë, 13 maj 2024 (MIA) - Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës nuk do të diskutojë për Kosovën në mbledhjen që pritet ta mbajnë gjatë kësaj jave, njoftoi portali "Koha", duke iu referuar një burimi në KE.

Në një përgjigje për mediat e Prishtinës nga zyra për media e këtij institucioni është thënë se nuk mund të ndajnë më shumë informacione në këtë fazë. 

"Kosova nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e ardhshme. Nuk kemi më shumë informacione në këtë fazë", thuhet shkurt në përgjigjen e KE-së.

Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

Agjenda do të përfshijë masat që KE-ja po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kornizë për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

Asambleja Parlamentare e KE-së më 16 prill të këtij viti në Strasburg e miratoi raportin e raportueses së Kosovës, Dora Bakojani, në të cilin rekomandohet anëtarësimi i Kosovës në atë organizatë ndërkombëtare pa kurrfarë kushte. 

Pas diskutimit i cili zgjati më shumë se dy orë dhe në të cilin morën pjesë 59 deputetë, për pranim të Kosovës votuan 131 deputetë, 29 ishin kundër, ndërsa 11 ishin të përmbajtur. Ishte e nevojshme shumicë prej dy të tretave e përfaqësuesve të pranishëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës prej 46 vendeve anëtare. 

Pas votimit në AP të KE, mbetet edhe Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të votojnë që Kosova të pranohet në anëtarësi të organizatës.

Disa shtete aleate të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe Francën, kanë kërkuar nga Qeveria e Albin Kurtit që të ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pas së cilës do të garantohej pranimi në KE. Kurti refuzon ta bëjë këtë, duke pretenduar se Prishtina i ka plotësuar të gjitha kërkesat e parapara nga Këshilli dhe Asociacioni deri më tani nuk ka qenë kusht për anëtarësim në organizatë. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR