• e premte, 27 dhjetor 2024

Izraeli kreu një seri sulmesh në Liban

Izraeli kreu një seri sulmesh në Liban

Jerusalem, 20 shtator 2024 (MIA) - Aeroplanët luftarakë izraelitë mbrëmë bombarduan objektivat e Hezbollahut në jug të Libanit dhe goditën qindra raketahedhës që ishin gati për sulme në territorin izraelit. Ushtria kumtoi se aeroplanët e saj luftarakë nga mbrëmja e kaluar kishin goditur rreth 100 raketahedhës të aftë për të gjuajtur gjithsej rreth 1.000 raketa.

"IDF (Forcat izraelite mbrojtëse) do të vazhdojnë të veprojnë për të kufizuar infrastrukturën dhe mundësitë e organizatës terroriste Hezbollah me synim ta mbrojnë shtetin e Izraelit", thuhet në një kumtesë të forcave të armatosura.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë kumtoi se nevojitet urgjentisht një zgjidhje diplomatike, ndërsa Britania bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Granatimet intensive pasuan pas sulmit në fillim të javës, të cilat Libani dhe Hezbollahu ia atribuuan Izraelit ku shpërthyen radiot dhe pejxherë të Hezbollahut duke lënë të vrarë 37 persona, ndërsa plagosën rreth 3.000 në Liban.

Izraeli paralajmëroi sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Llojd Ostin në një telefonatë të martën se një operacion ushtarak do të kryhej në Liban, por nuk dha detaje, deklaruan zyrtarët amerikanë.

Gjatë operacionit të natës së kaluar, forcat izraelite hodhën dhjetëra bomba në jug të Libanit, kumtuan tre burime libaneze të sigurisë. Për momentin nuk ka informata për viktima. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR