IN Ansambli Muzikor - Tetovë ju fton në koncertin e paharrueshëm të fundvitit!
- IN Ansambli Muzikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Tetovë, me kënaqësi të veçantë ju njofton për Koncertin e Fundvititi, i cili do të mbahet më 28.12.2024 (e shtunë), me fillim nga ora 19:00, në skenën e Qendrës për Kulturë në Tetovë.
- Post By Besnik Shuki
- 13:09, 25 dhjetor, 2024
Tetovë, 25 dhjhetor 2024 (MIA) - IN Ansambli Muzikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut - Tetovë, me kënaqësi të veçantë ju njofton për Koncertin e Fundvititi, i cili do të mbahet më 28.12.2024 (e shtunë), me fillim nga ora 19:00, në skenën e Qendrës për Kulturë në Tetovë.
Në koncertin përmbyllës të realizuar në kuadër të Programit Vjetor të Ansamblit Muzikor të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Tetovë, do të interpretohen hitet më të mëdha pop nga artistë dhe bende të njohur si Sting, Michael Bublé, Tina Turner, Andrea Bocelli dhe shumë të tjerë, në intepretim të artistëve tanë të njohur: Fjolla Ibraimi, Leotrim Zejnula, Elita Ziberi, Shpëtim Mustafa dhe Vullnet Neziri, të shoqëruar nga orkestra profesionale nën drejtimin e dirigjentit Premtim Etemi.
Ushtruesi i detyrës drejtor i IN Ansambli Muzikor - Tetovë, fton të gjithë artdashësit e muzikës moderne në një ngjarje të paharrueshme muzikore në prag të magjisë festive që sjellin festat e fundvitit.
"Po bëjmë përgatitjet e fundit për Koncertin Përmbyllës të fubdvitit. Kemi përzgjedhur me kujdes një program, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë hitet më të njohura muzikore, në interpretimin e artistëve tanë, dhe talenteve të rinj që premtojnë shumë", deklaroi u.d. drejtori, Ardian Ismaili.
Një ditë më parë, të premten, më 27.12.2024, në Shkollën Shtetërore të Muzikës „T.S. Tetoec“ – Tetovë, me fillim nga ora 20:00, Ansambli Muzikor organizon koncertin „Talentët e Rinj“, me qëllim mbështetjen dhe promovimin e artistëve të rinj që kanë arritur suksese të mëdha në garat ndërkombëtare.
Orkestra profesionale do të jetë nën dirigjimin e Agona Çupit, ndërsa drejtues artistik dhe koordinator i projektit është pianisti dhe profesori i njohur, Shkëlzen Baftijari.
Në program do të interpretohen vepra të njohura nga kompozitorët e muzikës klasike, ndërsa koncerti do të shërbejë si një skenë ku artistët e rinj dhe premtues do të tregojnë dhe dëshmojnë aftësitë dhe virtuozitetin e tyre artistik.
Hyrja për koncertet është falas dhe të njëjtat janë nën patronazhin dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. bsh/