• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

“Një udhëtim arti” në Tetovë nga sot deri më 20 dhjetor

“Një udhëtim arti” në Tetovë nga sot deri më 20 dhjetor

Tetovë, 16 dhjetor 2024 (MIA)- Tetova do të bëhet epiqendra e një ngjarje artistike në Maqedoninë e Veriut nga sot deri më 20 dhjetor 2024, me realizimin e projektit kulturor “Një udhëtim arti”. 

Ky projekt i organizuar nga produksioni Arbfilm dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, synon të bashkojë artistët dhe publikun në një festë të artit dhe kulturës. Me një program të pasur dhe në fokus promovimin e artistëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut “Një udhëtim arti” pritet të jetë një përvojë unike për komunitetin kulturor.

“Udhëtimi artistik” ka në thelb tri nënprojekte, secili me synimin për të nxitur dhe promovuar aspekte të ndryshme të artit shqiptar në Maqedoninë e Veriut; Shfaqja e filmave artistikë – Një retrospektivë filmash të metrazhit të gjatë nga regjisorë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë mbështetur nga Agjencioni i Filmit; Ekspozita e fotografive nga celulari – një galeri unike që vlerëson fuqinë e teknologjisë moderne në artin e fotografisë, duke sjellë së bashku punime nga amatorë dhe profesionistë; Katalogu i aktorëve shqiptarë – një burim i çmuar për industrinë e artit skenik dhe kinematografik, që dokumenton aktorët shqiptarë duke i vendosur ata në qendër të vëmendjes së regjisorëve dhe producentëve.

Europe House dhe Fakulteti i arteve - USHT në Tetovë do të jetë mikpritësja e kësaj ngjarje, ku për pesë netë radhazi do të shfaqen filmat artistikë të krijuar nga regjisorë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Programi i filmave do të fillojë nga sot deri të premten më 20 dhjetor, ndërsa do të shfaqen: Kthimi nga Kastriot Abdyli; Babai nga Shqipe Duka; Pranverë e paharruar në një fshat të harruar nga Kushtrim Bekteshi; I Treturi nga Arben Thaçi dhe I Fshehuri nga Arsim Fazlia. 

Ditën e fundit gjegjësisht më 20 dhjetor në hapësirat e Europe House do të organizohet ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga profesionistë e amatorë që pasqyrojnë momente unike të kapura nga telefonat celularë.

Ekspozita do të hapet në orën 13:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri në shfaqjen e filmit “I Fshehuri” në orën 19:00.

“Një Udhëtim arti” nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por një platformë që promovon artin dhe krijimtarinë shqiptare duke frymëzuar pjesëmarrësit dhe publikut për të eksploruar kufijtë e krijimtarisë artistike”, thonë organizatorët.

Foto: produksioni i Arbfilm

QËNDRONI TË LIDHUR