• e premte, 27 dhjetor 2024

Hulumtim: Shkalla e natalitetit në vendet e pasura është përgjysmuar

Hulumtim: Shkalla e natalitetit në vendet e pasura është përgjysmuar

Paris, 20 qershor 2024 (MIA) - Shkalla e natalitetit dukshëm është ulur në disa nga vendet më të pasura në botë dhe sipas gjitha gjasave do të mbetet e ulët sepse hallet ekonomike i detyrojnë njerëzit që t'i vlerësojnë shpenzimet për lindjen e fëmijëve, thuhet në raportin e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Shumë persona në vendet anëtare të OECD-së tani zgjedhin nëse do të kenë fëmijë më vonë në jetë ose aspak nuk do të kenë, thuhet në raportin e publikuar sot. 

"Edhe burrat edhe gratë e reja gjithnjë e më shumë e gjejnë kuptimin e jetës jashtë prindërimit", shtohet në raport. 

Shkalla e përgjithshme e fertilitetit në vendet e OECD-së ra në mesatarisht 1,5 fëmijë për grua në vitin 2022 prej 3,3 në vitin 1960, thuhet në raport, duke shfrytëzuar njësi e cila e mat numrin mesatar të fëmijëve të lindur për grua gjatë rrjedhës së jetës. 

"Edhe pse vendet zbatojnë një varg politikash për mbështetje të familjeve, çmimi ekonomik dhe pasiguria financiare afatgjate vazhdojnë dukshëm të ndikojnë ndaj vendimit të njerëzve që të bëhen prindër", tha Stefano Skarpeta, drejtor i Departamentit për Punësim, Punë dhe Çështje Sociale të OECD-së.

Shkalla më e ulët e fertilitetit është matur në Kore, me 0,7 fëmijë për grua, ndërsa pastaj vijojnë Italia dhe Spanja, ku shkalla është 1,2. Shkallë më të larta janë matur në Izrael me 2,9 fëmijë për grua, ndërsa pastaj vijojnë Meksika dhe Franca me 1,8. 

"Numri i njerëzve pa fëmijë rritet gati kudo", thotë Tomas Sobotka, hulumtues në Institutin e Demografisë në Vjenë. 

Presioni që të jenë prindër të mirë, që përfshin përkushtim të kohës për edukimin e fëmijëve, gjithashtu i detyroi të rinjtë ta shtyjnë ose shmangin krijimin e familjes, sipas organizatës me seli në Paris. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR