• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Fon der Lajen dhe Merc pas takimit me De Vever: Të gjitha vendet e BE-së duhet të mbajnë të njëjtin rrezik nga "huaja e reparacioneve"

Fon der Lajen dhe Merc pas takimit me De Vever: Të gjitha vendet e BE-së duhet të mbajnë të njëjtin rrezik nga

Bruksel, 6 dhjetor 2025 (MIA) - Brenga e Belgjikës në lidhje me shfrytëzimin e fondeve të ngrira ruse për pagesën e "huasë së reparacioneve" për mbështetje të Ukrainës është e pamohueshme dhe rreziku i këtij plani duhet të ndahet, porositën mbrëmë në deklaratën e përbashkët kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kancelari gjerman Fridrih Merc pas takimit me kryeministrin belg Bart de Vever në Bruksel.

"Patëm një shkëmbim shumë konstruktiv të mendimeve për këtë temë. Brenga specifike e Belgjikës në lidhje me shfrytëzimin e fondeve të ngrira ruse është e pamohueshme dhe duhet të tejkalohet në një mënyrë të tillë që të gjitha vendet evropiane do ta mbajnë rrezikun e njejtë", porositën Fon der Lajen dhe Merc pas takimit dy orësh.

Pa theksuar nëse është bërë ndonjë progres në përpjekjet të bindet De Vever të bie dakord me planin, në deklaratë theksohet se duke e pasur parasysh situatën momentale gjeopolitike, bashkëbiseduesit u pajtuan se mbështetja financiare për Ukrainën është e rëndësishme për sigurinë e Evropës.

"U pajtuam ta vazhdojmë këtë dialog me qëllim që të arrijmë konsensus në Samitin e BE-së më 18 dhjetor", theksuan Fon der Lajen dhe Merc.

Belgjika, e cila mban pjesën më të madhe të fondeve të ngrira ruse, me vlerë gati 180 miliardë euro, e kundërshton planin, duke argumentuar se përdorimi i tyre mund të dëmtojë reputacionin e saj si një depozitë e sigurt dhe të rezultojë në tërheqjen e fondeve të huaja të depozituara. Përveç kësaj, Belgjika ka shprehur shqetësime në lidhje me ligjshmërinë e një procedure të tillë dhe po kërkon garanci të forta nga shtetet e tjera anëtare të BE-së se ato do të ndajnë përgjegjësinë nëse lind ndonjëherë situata ku paratë e përdorura nga fondet tani të ngrira duhet të kthehen në Rusi.

Qëndrimin e De Viver në lidhje me "huanë e reparacioneve" e mbështeti lideri i partisë më të madhe opozitare në Belgjikë, Interesi flaman (IF), Tom Van Griken.

Sipas Van Griken, ngrirja e aseteve ruse është një "gjë e mirë", por përdorimi i tyre për të mbështetur Ukrainën do ta përshkallëzonte situatën.

Në kushte kur De Vever nuk duket i gatshëm të bëjë lëshime, Komisioni Evropian, në takimin e djeshëm të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të BE-së (Koreper), promovoi një "Plan B" për të siguruar 165 miliardë euro për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027, i cili parashikon huamarrjen e BE-së në tregjet e kapitalit përmes emetimit të eurobondeve. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR