• e enjte, 26 dhjetor 2024

Grubi: Marrëveshja e Ohrit hapi kapitull të ri për zhvillimin e vendit

Grubi: Marrëveshja e Ohrit hapi kapitull të ri për zhvillimin e vendit

Shkup, 13 gusht 2023 (MIA) - Nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit para 22 viteve hapi një kapitull të ri zhvillimi për vendin duke vendosur themelet e paqes dhe kohezionit të brendshëm, barazisë dhe demokracisë konsensuale. Mbi skepticizmin, majorizimin, tendencat e vazhdueshme të devalvimit të qëllimeve të saj paqësore, triumfoi vullneti i palëkundur për të thyer barrierat e paragjykimit dhe diskriminimit, për të ndërtuar bashkë të ardhmen mbi respektin e vlerave identitare të njëri - tjetrit, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, Artan Grubi.

Sipas tij impakti që pati ky akt paqësor në ecurinë zhvillimore të vendit gjatë dy dekadave që lamë pas janë të pakontestueshme dhe qartësisht të dukshme në aspekt të konsolidimit të brendshëm demokratik, integrimit në NATO dhe perspektivës europiane të vendit, të arritura rreth të cilave kjo marrëveshje na bëri bashkë.

"Guximi i liderëve të vitit 2001 për të marrë vendime të vështira por vizionare duhet të na shërbejë si shembull edhe sot për ta vazhduar rrugëtimin europian të vendit", theksoi Grubi.mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR