• e premte, 27 dhjetor 2024

Gjykata Supreme i refuzoi si të pabaza kërkesat për rishqyrtimin e vendimit përfundimtar për vrasjen e Denis Tot

Gjykata Supreme i refuzoi si të pabaza kërkesat për rishqyrtimin e vendimit përfundimtar për vrasjen e Denis Tot

Shkup, 9 shkurt 2024 (MIA) - Gjykata Supreme i refuzoi si të pabaza kërkesat e mbrojtjes për rishqyrtim të vendimit përfundimtar për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot.

Për lëndën pas kërkesave të parashtruara për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit përfundimtar për vrasjen e hedbollistit kroat Denis Tot, siç informojnë nga Gjykata Supreme, ka vendosur Këshilli për Vepra Penale pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

"Këshilli për Vepra Penale në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka sjellë aktgjykimin KVP2-101/23, me të cilin kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të parashtruara nga të dënuarit A. Gj., K.L. dhe A.K. kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore Penale Shkup K. nr.1768/22 të datës 30.11.2022 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup KZh-224/23 të datës 05.06.2023, i refuzoi si të pabaza", thuhet në kumtesën e Gjykatës Supreme.

Apeli në korrik të vitit të kaluar e refuzoi ankesën e të akuzuarit Anxhelo Gjorgjievski si të pabazë, përderisa ankesat e të akuzuarve Andrej Kostovski dhe Klementina Levkovska pjesërisht i pranoi dhe i ndryshoi vlerën e dënuar në emër të dëmit jomaterial.

"Gjykata e Apelit në Shkup, në interes të opinionit dhe mediave, njofton se duke vepruar në lëndën penale KZH-224/23, dhe pas seancës publike të mbajtur më 15.05.2023, ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ankesa e të akuzuarit A.Gj. është refuzuar si e pabazuar, ndërsa ankesat e të pandehurve A.K. dhe K.L. respektohen pjesërisht, në atë mënyrë që aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale të ndryshohet në lidhje me shumën e dhënë në emër të dëmit jomaterial dhe të pandehurit janë të obliguar që bashkërisht t'i paguajnë 4.000.000 denarë nënës së të ndjerit Denis Tot, T.T. Një shumë identike do t'i paguhet edhe I.T., babai i të ndjerit, ndërsa B.T., vëllai i të ndjerit, në emër të dëmit jomaterial në vlerë prej 3.000.000 denarë. Sipas aktgjykimit, gjatë pagesës do të llogaritet edhe kamata gjobë ligjore nga dita e marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë", thuhet në kumtesën e Gjykatës së Apelit.

Mbrojtësit e të pandehurve në rastin e vrasjes së hendbollistit kroat Denis Tot kërkuan një herë nga Gjykata e Apelit që të përsëritet procedura. Ata konsideruan se aktgjykimi është i pabazuar për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendjes faktike të vërtetuar gabimisht, shkeljes së Kodit Penal dhe vendimit për sanksionin penal.

Prokuroria, nga ana tjetër, ka propozuar që ankesat të refuzohen si të pabazuara, pasi sipas tyre është vërtetuar saktë gjendja faktike.

Aktgjykimi i shkallës së parë mbetet i njëjtë sa i përket dënimit me burgim me të cilin Gjykata Themelore Penale Shkup në nëntor të vitit të kaluar i dënoi Anxhelo Gjorgjevskin dhe Klementina Levkovskën me 18 vjet burgim dhe Andrej Kostovskin me 16 vjet për vrasjen e hendbollistit kroat, i cili vdiq më 8 prill 2022 pasi ishte rrahur nga të akuzuarit para një klubi në Parkun e Qytetit në Shkup.

Sipas aktakuzës, Gjorgjievski, Levkovska dhe Kostovski më 7 prill pas një mosmarrëveshje të shkurtër e kanë sulmuar Totin dhe i kanë shkaktuar disa goditje dhe lëndime të rënda trupore, me çka ka rënë në gjendje kome dhe të nesërmen ka ndërruar jetë.

Gjykimin e udhëhoqi gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa akuza u përfaqësua nga prokurorja Tanja Trajçevska. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR