• e mërkurë, 08 prill 2026

Gashi: Pa romët shoqëria nuk është e plotë, barazia e romëve nuk pasqyrohet plotësisht edhe në realitet

Gashi: Pa romët shoqëria nuk është e plotë, barazia e romëve nuk pasqyrohet plotësisht edhe në realitet

Shkup, 8 prill 2026 (MIA) - Lufta për barazi dhe avancim të romëve duhet të jetë qëllimi i të gjithë faktorëve në shoqëri. Komuniteti rom është pjesë integrale e kësaj shoqërie, me të njëjtin dinjitet, të njëjtat të drejta dhe të njëjtën vlerë si çdo qytetar tjetër. Mirëpo, barazia e romëve nuk pasqyrohet plotësisht në realitet, ata ende përballen me pengesa të ndryshme ose diskriminim në shumë sfera të jetës, u theksua në aktivitetin e sotëm "Nga padukshmëria në barazi - përfshirje e qëndrueshme dhe identitet ligjor për komunitetin rom" që u mbajt në Kuvend me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prilli.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se sot nuk duhet vetëm ta shënojmë këtë datë, por edhe të reflektojmë mbi realitetin tonë shoqëror dhe institucional.

"Ky është një çast për ta riafirmuar pasurinë e shoqërisë sonë, të ndërtuar mbi diversitet, dinjitet dhe dallime kulturore. Por, mbi të gjitha, kjo është edhe një mundësi për t’u zotuar për vlerat e barazisë, drejtësisë dhe përfaqësimit adekuat. E derisa jemi në këtë ditë, dua t’ju them se komuniteti rom është një celulë e pandashme e kësaj shoqërie, me të njëjtin dinjitet, me të njëjtat të drejta dhe me të njëjtën vlerë si çdo qytetar tjetër. Megjithatë, nuk do të ishte e sinqertë ose do të dukej si vetëmashtrim nëse pretendojmë se kjo barazi reflektohet plotësisht", ka thënë Gashi.

Ai vlerëson se përkundër përparimeve në legjislacion dhe politika publike, shumë qytetarë romë ende përballen me pengesa ose diskriminim për qasje në arsim, në punësim dhe në shërbime të tjera bazë, gjë që paraqet provë serioze të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe barazisë.

"Prandaj tema e sotme 'Nga padukshmëria drejt barazisë' synon ta ngrejë pikërisht këtë angazhim. Sepse padukshmëria nuk nënkupton mungesë të të drejtave, por mungesë të drejtësisë. Ajo nuk nënkupton mungesë të barazisë si koncept, por mungesë të mundësive reale, nuk është pra mungesë e prezencës, por është mungesë e përfaqësimit. Mbi të gjitha, padukshmëria nuk është mungesë identiteti, por shpeshherë është mungesë e respektit dhe dinjitetit qytetar dhe në këtë pikë ne të gjithë kemi përgjegjësi", tha ai.

Gashi tha se beteja për barazi dhe promovim të romëve duhet të jetë objektiv edhe i ekzekutivit, andaj shfrytëzoj rastin që, në prani të kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë të pushtetit ekzekutiv, të shpreh inkurajimin tim për përkushtim më të madh dhe bashkëpunim më të konsoliduar për ngritjen e mundësive të përfaqësimit, arsimimit dhe punësimit të romëve. Pa romët, tha ai shoqëria nuk është e plotë dhe institucionet nuk janë të drejta. 

"Sa i përket Kuvendit, në radhë të parë më duhet ta theksoj angazhimin e çdo deputeti për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave, promovimin e kulturës dhe ndërtimin e politikave që çojnë drejt barazisë. Këtu, në veçanti, rol të veçantë luan grupi ndërpartiak për të drejtat e romëve, që përfaqëson një shembull se si çështjet thelbësore për shoqërinë duhet të jenë konsensuale. Në anën tjetër, ashtu siç kam theksuar edhe njëherë, ndonëse nuk kemi një deputet rom në përbërjen parlamentare, personalisht dua ta potencoj me bindje të plotë se unë do të jem gjithmonë një zë i përgjegjshëm dhe i angazhuar për t’i mbrojtur të drejtat dhe aspiratat e të gjithë romëve të vendit tonë", tha ai.

"Zëri juaj ka rëndësi  dhe prania juaj është thelbësore. Andaj, mos e shihni veten si përfitues të politikave, por si ndërtues të tyre. Angazhimi juaj në arsim, në jetën publike, në institucione dhe në proceset vendimmarrëse është çelës për ndryshimin që e kërkojmë të gjithë. Institucionet janë të detyruara t’i hapin dyert, por po aq e rëndësishme është që ato dyer të shfrytëzohen me guxim, me besim dhe me këmbëngulje. Përfshirja e vërtetë fillon atëherë kur secili e sheh veten si pjesë aktive të shoqërisë e jo si spektator të saj", ka thënë ai.  

Gashi tha se nëse duam institucione më të forta, ato duhet t’u shërbejnë të gjithëve njësoj, dhe, nëse duam një të ardhme më të sigurt e paqësore, "ajo fillon sot me vendimet që i marrim dhe me guximin për t’u përfshirë në ato. 

"Dua ta përfundoj fjalën time me urim dhe shpresë që diskutimet e sotme të na çojnë drejt avancimit, ndërsa shënimi i ardhshëm i Ditës ndërkombëtare të romëve të na gjejë me politika më të mira, me përfaqësim më të shtuar dhe me vetëdijesim më të madh", theksoi Gashi.

Eduard Anderson, përfaqësues i lartë i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi se së bashku me anëtarët e Misionit kanë shqyrtuar Strategjinë për romët dhe kanë identifikuar sfidat në fushat e punësimit, akomodimit, arsimit, shëndetësisë...

“Do të vazhdojmë të ecim përpara. Kjo qasje kërkon koordinim dhe i sjell të gjithë palët e interesuara në të njëjtën tryezë. Qëllimet tona kryesore janë të mos lëmë asnjë fëmijë pas, asnjë individ, të sigurohemi se institucionet janë të përgjegjshme dhe efikase. Kjo kërkon qëndrueshmëri, punë të përbashkët dhe përgjegjësi”, ka thënë Andersoni.

Jashe Sefer, përfaqësues i komunitetit rom në Komitetin për marrëdhënie mes bashkësive në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se shënimi i kësaj dite nuk duhet të jetë vetëm një shënim, por një kujtesë se rruga drejt përfshirjes dhe dukshmërisë së plotë është ende shumë përpara nesh.

Ai vlerësoi se e drejta e identitetit është e drejtë themelore njerëzore dhe në këtë kontekst, vendi ka miratuar disa ligje që kanë mundësuar që padukshmëria të bëhet e dukshme për romët.

“Ende kemi shumë fëmijë që rriten në rrugë në varfëri, të përjashtuar nga procesi arsimor, të rinj që përballen me diskriminim në punësim. Politikat e qëndrueshme mund të krijohen vetëm kur dëgjohet zëri i komunitetit. Le të jetë 8 prilli i ardhshëm një angazhim dhjetë vjet më vonë se nuk do të flasim për problemet, por për progresin e arritur”, ka thënë Seferi.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR