• e shtunë, 24 gusht 2024

Fillon edicioni i 63-të i Mbrëmjeve strugane të poezisë

Fillon edicioni i 63-të i Mbrëmjeve strugane të poezisë

Shkup, 22 gusht 2024 (MIA) - Me mbjelljen tradicionale të pemëve dhe leximin e poezisë në parkun e poezisë për nder të fituesit të "Kurorës së artë" për vitin 2024, poetit dhe dramaturgut të shquar francez, Zhan Pjer Simeon sot në Strugë fillon edicioni i 63-të i mbrëmjeve strugane të poezisë.

Hapja zyrtare e manifestimit do të bëhet në mbrëmje me ndezjen e flakadanit të festivalit, ndërsa për hapjen e festivalit drejtori Todorçe Tasevski paralajmëroi se do të ketë një skenografi të përgatitur enkas e cila nxjerr në pah potencialin e hapësirës skenike duke e lidhur skenën kryesore me skenën verore.

Përveç laureates në mbrëmjet e 63-ta strugane të poezisë, poezitë e tyre do t’i lexojnë fituesit e çmimeve "Vëllezërit Miladinovi", poetja dhe teoricientja e letërsisë nga Maqedonia e Veriut Katica Qulafkova, "Urat e Strugës", poetja gjermane Katrin Pic, si dhe poetët Bengt Berg nga Suedia, Ana Hofman nga Gjermania, Gjokçenur Çelebioglu nga Turqia, Galsansuh Dezhidma nga Mongolia.

Motoja për këtë vit është "Prekja e së bukurës" e cila i kushton homazh inovacionit të shkrimit Braill, kodifikimi i së cilës 200 vjet më parë u mundësoi të verbërve përmes prekjes dhe lehtësimit të saj të prekin botën e librit dhe letrës dhe të ndjejnë bukurinë e poezisë.

Në kuadër të programit parashihen lexime poezish ndërkombëtare, si dhe lexime poetike nga poetë të përzgjedhur për çmimin "Vëllezërit Miladinovi" për vitin 2024. Një pjesë e pandashme janë edhe portretet e fituesve të "Urave të Strugës", "Vëllezërve Miladinovi" dhe "Struga e re" si dhe portretet tradicionale të lauretit në kishën "Shën Sofija" në Ohër.

Në program përfshihet edhe përvjetori i pesë poetëve të Maqedonisë së Veriut dhe përkujtimi i 90 vjetorit nga lindja e Petre M. Andreevski, 95 vjet nga lindja e Gane Todorovskit dhe Mateja Matevskit", si dhe kafeja tradicionale me poezi me poetë nga platforma Versopolis. Do të jetë e hapur ekspozitë e Litov Namdag Jançivin, konsull nderi i Mongolisë me rastin e 30 vjetorit nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

Festivali përfundon të dielën në manifestimin "Urat" në Urën e poezisë me lexime poetike dhe me ndarjen e çmimeve më të larta, çmimet "Kurora e artë", "Urat e Strugës", "Vëllezërit Miladinovi" dhe "Struga e re". laureatëve të këtij viti Zhan Pjer Simeon, Katrin Pic, Katica Qulafkova dhe Filipa Sara Popova.

Për shkak të aktiviteteve të instalimit të skenografisë, prej orës 15 do të jetë e mbyllur rruga "Boris Kidriç" para pllajës së Qendrës së kulturës, ndërsa të dielën në orën 12 do të jetë e mbyllur rruga "Partizanska" për mbylljen solemne të manifestimit "Urat". rq/

Foto: arkivi i MIA-s dhe MSP

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR