• e martë, 02 korrik 2024

Dita ndërkombëtare e fëmijëve në rrugë, gjendja e keqe socio-ekonomike e familjeve është një nga sfidat kryesore

Dita ndërkombëtare e fëmijëve në rrugë, gjendja e keqe socio-ekonomike e familjeve është një nga sfidat kryesore

Shkup, 12 prill 2024 (MIA) - Përmirësimi i gjendjes së vështirë socio-ekonomike në të cilën jetojnë familjet, si një nga arsyet kryesore që ato shpesh dalin në rrugë, është parakusht për zgjidhjen e problemit të fëmijëve në rrugë dhe lypsarëve. Ky është një nga rekomandimet e aktivitetit “Rritja e fëmijëve në mjedis të shëndoshë familjar, me kujdes prindëror cilësor – segment kyç për zgjidhjen efektive të dukurisë negative – fëmijët në rrugë” që mbahet sot me rastin e 12 Prillit - Ditës ndërkombëtare të fëmijëve në rrugë.

Në një deklaratë për media në Qendrën për qëndrim ditor të fëmijëve nën rrezik "Rruga e Shpresës" në Shuto Orizare, Vaska Bajramovska Mustafa, këshilltare shtetërore nga zyra e Avokatit të Popullit theksoi se hulumtimi i tyre tregon se dukuria e fëmijëve të rrugës ende ekziston edhe pse po merren masa nga organet kompetente duke miratuar protokolle për punë shumësektoriale për tejkalimin e këtij problemi.

"Të dhënat që kemi siguruar përmes Qendrave për punë sociale, përmes Institutit për veprimtari sociale, nga intervistat me prindërit, fëmijët e përkujdesur në qendrat ditore për fëmijët nën rrezik social, fëmijët në rrugë, tregojnë në atë se arsyet e paraqitjes së fëmijëve në rrugë nuk merren seriozisht, duke pasur parasysh se numri më i madh, nëse jo pothuajse të gjithë fëmijët lypsarë janë pjesëtarë të komunitetit rom, vijnë nga familje që jetojnë në kushte jashtëzakonisht të këqija, në kushte substandarde të jetesës, pa ujë, pa rrymë, pa asnjë mundësi për rritje dhe zhvillim normal, prindërit janë me arsimim të ulët ose pas asnjë edukim, pa punë dhe ekzistojnë vetëm duke bredhur rrugëve ose mundësisht përmes sigurimit të së drejtës për mbrojtje sociale", shpjegon ajo.

Siç shtoi ajo, si institucion konsiderojnë se kjo situatë alarmon për një përkushtim shumë më serioz për zgjidhjen e problemit të fëmijëve në rrugës duke pasur parasysh se një pjesë e këtyre fëmijëve nuk janë të evidentuar në librat amë gjë që i bën edhe më të rrezikuar nga aspekti social.

Fakti që çdo ditë jemi dëshmitarë të fëmijëve që nuk lypin të vetëm – por edhe me prindërit, lypin me persona të tjerë që janë ose nuk mund të jenë të afërm të tyre, sipas saj, tregon për përfshirjen e të gjitha institucioneve për zgjidhjen e problemit.

Zgjidhja më pranueshme, sipas institucionit Avokat i Popullit është të mund të punohet me këta fëmijë edhe me prindërit në mënyrë të barabartë.

" Ajo që mungon, atë çfarë tregon hulumtimi ynë është gjendja e keqe materiale. Situata e vështirë socio-ekonomike në të cilën jetojnë këto familje është një nga arsyet pse ato shpesh përfundojnë në rrugë. Prandaj, një nga rekomandimet tona nga hulumtimi është që për këto familje të sigurohen të ardhura të përhershme sepse ekzistenca me asistencë sociale është e qartë se nuk jep rezultatet e nevojshme. Të sigurohet nëse asgjë tjetër, punësim i këtyre personave, të arsimohen, të mundësohet rikualifikimi i tyre nëse është e nevojshme", tha ajo.

Sa i përket numrit të fëmijëve në rrugë, ajo informoi se nuk mund të vërtetohet saktësisht.

"Nëse nisemi nga fakti se me rregulloren e re të kujdesit për fëmijët, në nivel shtetëror kemi vetëm tre qendra ditore për kujdes ndaj fëmijëve në rrugë - kjo është në Kisella Vodë dhe dy në Shuto Orizare. Sipas ligjit, pra sipas rregullave është i kufizuar numri në maksimum 24, që do të thotë se mesatarisht, numri maksimal nuk është më shumë se 70-80 fëmijë që kujdesen, por ky numër nuk është real. Numri që shohim çdo ditë në rrugë, të cilin e shohim orëve të pasdites, tregon për një shifër shumë më serioze dhe ky është edhe një nga rekomandimet për tu zhvilluar monitorim sistematik të numrit, sepse me disa të dhëna dalin qendrat për punë sociale, pastaj me tjetër organizatat civile, pastaj Instituti për veprimtari sociale e cila poashtu bënë mbikëqyrje, apo ka kompetenca për këtë fenomen negativ. Pra, ky është një alarm se duhet të merremi shumë më seriozisht për zgjidhjen e problemit të fëmijëve në rrugë, fëmijëve në rrezik social", theksoi Bajramovska.

Ngjarja është organizuar në kuadër të projektit të BE-së: Forcimi i të drejtave bazë dhe aplikimi i përforcuar i masave alternative" mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR