• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Murtezani: Ndryshimet kushtetuese gjithsesi do të ndodhin, por përmes një procesi gjithëpërfshirës me konsensus të gjerë

Murtezani: Ndryshimet kushtetuese gjithsesi do të ndodhin, por përmes një procesi gjithëpërfshirës me konsensus të gjerë

Shkup, 1 korrik 2024 (MIA) - Ndryshimet kushtetuese janë domosdoshmëri dhe nuk ka altrenativë sa i përket anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, deklaroi sot ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në konferencë për media pas takimit të parë zyrtar me ambasadorin evropian, Dejvid Gir.

Murtezani thotë se ndryshimet kushtetuese sigurisht do të ndodhin, por duhet të jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës, në të cilin do të ketë një konsensus të gjerë kombëtar.

"Si koalicion 'Vlen', kemi shprehur qëndrimin tonë se ndryshimet kushtetuese janë domosdoshmëri dhe se nuk ka aleternativë sa i përket anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Sigurisht se do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, megjithatë ne kemi parë në të kaluarën se duhet të jetë proces gjithëpërfshirës, më i gjerë për të pasur një konsensus të gjërë kombëtar", theksoi Murtezani.

Theksoi se përpjekja e qeverisë paraprake për të zbatuar ndryshimet kushtetuese pa përfshirjen e opozitës, ishte e gabuar.

"Qeveria e kaluar tentoi ta bënte këtë pa VMRO-DPMNE-në dhe ne e dimë si përfundoi. Po ashtu, në Qeverinë e re kemi detyrë se ky duhet të jetë një proces më gjithëpërfshirës. Është mirë që nuk ka dyshime për anëtarësimin e vendit në BE dhe rrugën euroatlantike. Ajo që po ngadalësohet është protokolli që del nga korniza e negociatave. Sigurisht se në negociata dhe diskutime të afërta me BE-në dhe me Qeverinë do të shohim se cila është zgjidhja më e mirë pa me këtë rast krijuar probleme në rrugën drejt integrimeve evropiane", tha Murtezani. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR