• e enjte, 26 dhjetor 2024

Deri të premten zgjat mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president në zgjedhjet e ardhshme

Deri të premten zgjat mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president në zgjedhjet e ardhshme

Shkup, 4 mars 2024 (MIA) - Deri të premten zgjat mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët për kandidatët për president në zgjedhjet e ardhshme. Në listën e kandidatëve që mblodhën 10.000 nënshkrimet e nevojshme, në ditët e kaluara ishin edhe kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), deri më tani kandidati Stevo Pendarovski ka mbledhur 21.852 vota, ndërsa Gordana Siljanovska 28.029 vota.

Më herët numrin e duhur të votave e kanë mbledhur kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Bujar Osmani, Arben Taravari nga blloku opozitar “Vlen”, Maksim Dimitrievski lideri i ZNAM-Për Maqedoninë tonë, Biljana Vankovska Cvetkovska kandidate e të Majtës dhe kryetari i GROM-it Stevço Jakimovski.

Dimitrievski ka fituar 11 601, Osmani 11 085, Jakimovski 10 887 nënshkrime, Taravari 10 709 nënshkrime dhe Vankovska Cvetkovska 10 432.

Të gjithë kandidatët e tjerë të regjistruar për president të shtetit kanë më pak nënshkrime - kandidatja Mersiha Smailoviq e përkrahur nga Lidhja Demokratike Boshnjake ka 1596, kandidati Velo Markovski 1466, Gjorgi Manaskov 429, Zorica Cvetkovska 204, Z. Poposki 119 nënshkrime. Sipas të dhënave të KSHZ-së, në këto pesë ditë nuk është pranuar asnjë nënshkrim për kandidatin Tome Nikoloski.

Nënshkrim për kandidatët për president të shtetit kanë dhënë gjithsej 108 409 qytetarë.

Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve, e cila ka nisur më 23 shkurt, do të vazhdojë në vazhdimësi çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa ditën e fundit më 8 mars deri në mesnatë.

Mbledhja e nënshkrimeve bëhet në të gjitha drejtoritë rajonale dhe zyrat e KSHZ-së të vendosura në selitë e 34 vetëqeverisjeve lokale dhe para noterëve kompetentë.

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme të mblidhen të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.

Pjesëmarrësit në zgjedhje, listat me kandidatë për president të shtetit duhet t'i dorëzojnë në KSHZ më së voni deri më 19 mars, në mesnatë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR