• e enjte, 26 dhjetor 2024

Blloku opozitar shqiptar paralajmëron kallëzim penal kundër Georgievskës nëse nuk e zhbllokon punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime

Blloku opozitar shqiptar paralajmëron kallëzim penal kundër Georgievskës nëse nuk e zhbllokon punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime

Shkup, 30 janar 2024 (MIA) - Blloku opozitar shqiptar sot ka mbajtur takim me kryetarin e ri të Kuvendit, Jovan Mitreski dhe ka kërkuar zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së anëtarit të KSHZ-së.

Pas takimit, Fadil Zendeli nga Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN) në deklaratën për media tha se procesi është bllokuar te kryetarja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, Marija Georgievska dhe nëse ajo në ditët në vazhdim nuk e zhbllokon punën e Komisionit, paralajmëron kallëzim penal kundër saj.

"Qëllimi i takimit tonë ka qenë zgjedhja e anëtarit të KSHZ-së, çështje e cila zvarritet me muaj në Kuvend, kështuqë i gjithë procesi është bllokuar në punimet e Kuvendit nga deputetja e LSDM-së, Marija Georgievska e cila është kryetare e Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Po shqyrtojmë alternativa të reja në veprimin tonë politik. Jemi në kontakt me zyrën e avokatëve në Shkup për të ngritur kallëzim penal kundër kryetares së Komisionit për emërime Marija Georgievska nëse ajo ditëve në vazhdim nuk e zhbllokon punën e Komisionit dhe nuk lejon kandidatin e opozitës shqiptare Abdush Demiri të kalojë", ka thënë Zendeli.

Ka thënë se e gjithë procedura është komplikuar nga ish kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i cili siç tha ai i ka dhënë mundësinë një partie të sapoformuar e cila nuk ka kompetenca ligjore të marrë postin e anëtarit të KSHZ-së.

"Duke pasur parasysh që partia që propozoi kandidat, ai kandidat nuk ishte anëtar i tyre, ajo parti konform votave të fundit që kemi pasur në Kuvend u tregua se mbështet shumicën dhe një pjesë të pushtetit ekzekutiv dhe ata tashmë janë bartës të disa posteve të drejtorëve në pushtetin ekzekutiv. Situata është e qartë se ajo parti është parti e shumicës, pra nuk mund të ketë  anëtar të komisionit zgjedhor me intencë se Kodi zgjedhor qartë thekson se ai vend i takon opozitës, në rastin konkret opozitës shqiptare", ka thënë Zendeli.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR