• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Bislimovski: Nga 1 gushti faturat për ngrohje për pjesën më të madhe të amvisërive të Shkupit do të jenë më të ulëta për 3,16 për qind

Bislimovski: Nga 1 gushti faturat për ngrohje për pjesën më të madhe të amvisërive të Shkupit do të jenë më të ulëta për 3,16 për qind

Shkup, 29 korrik 2024 (MIA) - Çmimi i ngrohjes për amvisëritë në Shkup nga 1 gushti ulet për 3,16 për qind për shfrytëzuesit e EMV-së, për 1,71 për qind për shfrytëzuesit e ngrohtores Shkup Veri edhe për 0,5 për qind për shfyrtëzuesit e EMV Energjetikë. Për shfrytëzuesit afaristë, gjegjësisht rreth 1.200 firma, shkolla dhe institucione të cilat janë përfshirë në ngrohjen qendrore të qytetit, lirohet për 17,3 për qind te ata të përfshirë në EMV, për 17,22 në Shkup Veri edhe për rreth 40 për qind në EMV Energjetikë.

Siç informon kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE) Marko Bislimovski në konferencën e sotme për media, ulja e çmimit të amvisërive është përllogaritur pa subvencione. Nëse vazhdon subvencionimi i faturave për ngrohje qendrore ulja e çmimit do të ishte 17,35 për qind. Çmimi, i shfrytëzuesve afaristë aspak nuk ishte subvencionuar edhe deri më tani. 

"Këto çmime për amvisëritë janë pa subvencione. Nëse subvencionet vazhdojnë, ulja do të ishte për 17,35 për qind, por KRRE vlerëson se aktualisht po hyjmë në stabilizim sa i përket çmimeve të energjisë në përgjithësi, gazi natyror po kthehet në normalitetin e pritur dhe se nuk ka nevojë për subvencione. Subvencionet padyshim ndihmuan në zbutjen e efekteve të krizës energjetike, më parë edhe nga pandemia. Kjo është periudhë e shkëlqyer që kompanitë energjetike të stabilizohen dhe konsolidohen financiarisht dhe të fillojnë me realizimin e projekteve investive, si dhe përpjekjet për rehabilitimin e infrastrukturës" tha Bislimoski.

Siç theksoi, ai ishte mbështetësi më i madh i subvencioneve kur duhej në mënyrë enorme të rritet çmimi i ngrohjes, por tani çmimet e gazit natyror u stabilizuan dhe nuk sheh kurrfarë arsye që më mos të ketë subvencione. Gjatë 2,5 deri tre vitetet e kaluara, shtoi, për shkak të krizës energjetike dhe pandemisë çmimi i ngrohjes për qytetarët e Shkupit ishte subvencionuar nga Qeveria. Për këtë qëllim gjithsej ishin shpenzuar 12 milionë euro nga taksapaguesit.

Vendimi për çmimin, siç tha, është pozitiv për konsumatorët, por situata në teren është shqetësuese. 

"Tubi në urën 'Bellasica' nuk është në funksion, kjo është gjendja faktike që kam si informacion për momentin. Kaloi një vit që ky operacion të përfundonte. Para fillimit të sezonit të ngrohjes paralajmërojmë se si të dimë dhe dimë të respektojmë interesin publik dhe ta bëjmë tubin funksional. Askush nuk e di se çfarë dimri do të kemi, nëse do të jetë i butë apo me temperatura minus. Gazsjellësi alternativ ka kapacitet më të vogël dhe nëse ka dimër të ftohtë do të ketë probleme në furnizimin e shumicës së konsumatorëve në Shkup nëse gazsjellësi nën 'Bellasica' nuk vendoset me kohë", thekson Bislimoski dhe shtoi se apelon që përfundimisht të përfundojë rikonstruksioni i tubacionit.

Theksoi se një pjesë e kompanive kanë paralajmëruar se do të ankohen për vendimin e KRRE-së për uljen e çmimit të energjisë së ngrohjes para Gjykatës Administrative. Pjesa më e madhe e tyre kërkonin rritje të çmimit prej 50 për qind. 

"Jam i sigurt se faktet të cilat i kemi përmendur në vendimet e tona janë të mira dhe nuk do të ketë kurrfarë ndryshime të këtyre vendimeve", tha Bislimoski.

Në sistemin e ngrohjes qendrore në Shkup përfshihen 64.000 amvisëri. Prej tyre, më së shumti  - 59.000 janë në sistemin e EMV ose ish BEG, 1.900 janë në ngrohtoren e Hekuranës ose në EMV Energjetikë, ndërsa 400 amvisëri janë në Ngrohtorja Shkup Veri. Sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe zgjat deri më 15 prill. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR